Në Tiranë, u publikua studimi mbi shkaqet e radikalizmit dhe fillesat ideologjike të tij në Shqipëri.
Autorët e Institutit për Studime Ndërkombëtare pohuan se një ndër këto shkaqe është edukimi fetar kaotik, i ardhur nga jashtë vendit.
Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare publikoi sot studimin “Feja dhe doktrina: rrënjët ideologjike dhe shkaqet e radikalizmit në Shqipëri”, ku paraqitet një pamje e gjerë mbi përhapjen e ideologjive radikale në Shqipëri.
Drejtuesi i Institutit dhe i studimit, Albert Rakipi, tha se edukimi fetar mund të çojë tek radikalizmi. Shqipëria u befasua kur qindra shqiptarë shkuan në luftën në Irak dhe Siri, tha zoti Rakipi, sepse ekstremizmi dhe radikalizmi fetar janë të huaj për islamin shqiptar.
“Deri në vitin 2012 debati rreth fesë dhe radikalizmit ka qenë periferik. Politika, shteti
dhe feja kanë pasur marrëdhënie të fortë, veçanërisht para Luftë së Dytë Botërore. Gjatë luftës së ftohtë Shqipëria ka qenë larg debateve radikale fetare. Shqipëria ka qenë e imunizuar nga xhihadizmi” – tha zoti Rakipi.
Sipas tij, radikalizmin e ka ushqyer shteti i dobët në çështjet sociale, ndaj shumica e shqiptarëve që iu bashkuan Shtetit Islamik, ishin nga zona të varfra.
Zoti Rakipi tha se edukimi fetar në dekadën e parë pas diktaturës komuniste ishte kaotik, informal, pa infrastrukturë, pa programe shkollore të miratuara. Në këtë periudhë ndodhi një konvertim nga islami i moderuar në një islam më konservator, më ekstremist.
“Çështja e financimeve është thelbësore për t’u mbrojtur nga ndikimet e huaja. Radikalizmi nuk ka lidhje me shtetin e dobët ose faktorë ekonomikë sepse Shqipëria ishte më e dobët në vitet 90-të se sa në 2012” – tha zoti Rakipi.
Autorët e studimit pohuan se faktorët ideologjikë janë të rëndësishëm në shtysat e radikalizmit.
Gjatë tranzicionit ngritja e radikalizmit u duk qartë, pohuan ata, sepse filloi krijimi i një perceptimi të ri mbi islamin në Shqipëri, mbi transformimin e fesë dhe ringjalljen e saj, me bashkëpunim nga jashtë, me mbështetje dhe financim nga organizata të huaja.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply