Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, foli sot me shqetësim për vonesat në reformimin e sistemit gjyqësor dhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të saj.
“Në korrik mbushen 3 vjet që u miratua me konsensus maksimal reforma në drejtësi. Ende edhe sot rezultatet nuk po duken. Kam kërkuar nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, që vlerësojnë ecurinë e reformës në sistemin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej disa kohësh kur ajo nuk duhej të heshtte asnjë ditë” – tha Presidenti Meta.
Zoti Meta i bëri këto komente gjatë një fjalimi në një konferencë të Qendrës George Marshall mbi sigurinë rajonale, ku vuri në dyshim suksesin e reformës në drejtësi.
Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj këtyre kritikave me një status në rrjetet sociale se “Falë Vetingut Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda”. Sipas zotit Rama, kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e vet. Ai pyeti në mënyrë retorike nëse e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë datën e zgjedhjeve, që vet e dekretoi sipas Kushtetutës.
“Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme, por edhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit” – theksoi kryeministri Rama.
Presidenti Meta tha në Konferencën e Qendrës Marshall se Shqipëria është në një krizë serioze, pasi në 2008 me ndryshimet në Kushtetutë vendi kaloi nga një sistem parlamentar në një sistem të mbyllur partiak, ndaj parlamenti nuk është funksional, sepse “partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet e tyre, por ka qenë jofunksional edhe kur kanë qenë ata”.
“Ne flasim për sukseset e reformës në drejtësi. Po bën 3 vite nga miratimi me konsensus i reformës në drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve” – tha zoti Meta.
Replikat e sotme mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama shënojnë një zhvillim të ri në situatën e acarruar politike të Tiranës, kur qeveria po shkon me vendosmëri drejt zgjedhjeve vendore, ndërsa opozita po vazhdon me po aq këmbëngulje serinë e protestave për të penguar zhvillimin e tyre.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply