Gazeta Shqip
VJOLLCA BRAHO
Shqiptarët ishin dëshmitarë të një lajthitjeje të një deputeti nazist si Kristo Papas, i cili nuk ngurroi të zbërthente një dëshirë të një pjese jo të vogël të fqinjëve për të varrosur jo vetëm historinë çame, por edhe të një pjese të Shqipërisë. Natyrisht që nuk duhet të besojmë se kështu mendojnë të gjithë grekët. Por Papas la të kuptojë se në axhendat e qarqeve të caktuara politike është gjithnjë zgjuar dëshira për të varrosur përgjithnjë çështjen çame dhe për të ngritur alibira qesharake lidhur me historinë e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Ai paraqiti përpara shqiptarëve filozofinë më famëkeqe të kolonel Zervës, duke na e servirur si zgjidhjen më të pëlqyeshme nga një pjesë e grekëve.
Ky qëndrim i Papas, në fakt, rikthen përpara gjithë shqiptarëve një nevojë emergjente: të mbështesë pa asnjë hezitim rezolutën çame. Jo si një kundërpërgjigje ndaj një mendjeje arkaike si Papas. As si një shenjë force ndaj fqinjëve. Por në respekt të një të drejte të rëndësishme historike, në respekt të atyre fëmijëve, grave dhe burrave të dhunuar, shqiptarët duhet të mbështesin këtë rezolutë, për të treguar se mbi të gjitha, do të mbrohet dinjiteti ndaj gjërave më të shenjta njerëzore.
Unë besoj se tashmë shumica e shqiptarëve është me ne, duke besuar se çamët sot janë në anën e duhur morale dhe historike dhe se fitorja e këtij komuniteti tashmë u përket të gjithë shqiptarëve. Në këto muaj ne kemi marrë një mbështetje nga i madh e i vogël, nga Veriu në Jug, nga të majtë e të djathtë, duke na bërë ne çamëve të besojmë se jemi në rrugën e duhur për të kthyer një të drejtë historike në shinat e njohjes së saj. Paraqitja e rezolutës në Kuvend është pjesë e kësaj fryme mbështetje që ka marrë kjo çështje, e cila tashmë e ka marrë rrugën e zgjidhjes së pashmangshme.
Gjatë këtij procesi, kreu i PDIU, z. Shpëtim Idrizi, e ka bërë të qartë se, rezoluta është një çështje që më parë se gjithçka ka të bëjë me dinjitetin dhe se mbështetja ndaj rezolutës çame është një mbështetje për të drejtën që u takon çamëve në historinë e tyre, si një nga historitë më të trishta njerëzore të shekullit të kaluar. Dhe duke mbështetur këtë rezolutë, ne vetëm i japim më shumë forcë kauzës.
Vite më parë ka pasur mes komunitetit çam që nuk besonin se një ditë kjo çështje do të ishte kaq popullore dhe kaq e mbështetur mes shqiptarëve. Por tashmë shumica e çamëve besojnë se kjo çështje është në rrugën e zgjidhjes dhe se zgjidhja e saj nuk ka të bëjë vetëm me çamët apo PDIU-në, por me mbarë shqiptarët.
Ne çamët duam të besojmë se lajthitjet e Papas janë mbetje e së shkuarës edhe për vetë pjesën e shëndoshë greke. Ndërsa kauza jonë ka të bëjë me atë të drejtë që nuk vdes kurrë, që i përket së tashmes dhe së ardhmes, sepse është pjesë e dinjitetit njerëzor. Ndaj dhe besojmë se mbështetja ndaj kësaj rezolute do të jetë e sigurt dhe e mirëpritur nga të gjithë.
http://www.top-channel.tv/video.php?id=22324
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply