Një zjarr i madh përfshiu të hënën katedralen e njohur të Notre Dame në qendër të Parisit, duke i shkaktuar dëme të mëdha ndërtesës së shekullit të 12-të.
Katedralja vazhdoi të digjej me rënien e mbrëmjes; flakët ngriheshin në qiell edhe pas rrëzimit të kambanores.
Zëdhënësi i katedrales, Andre Finot, i tha medias franceze se e gjithë struktura prej druri e katedrales ishte në djegie e sipër dhe mund të shkatërrohej.
Nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanuel Gregoire tha se punëtorët po përpiqeshin “të shpëtonin të gjitha veprat e artit që mund të shpëtonin”.
Policia franceze thotë se nuk ka njoftime për viktima. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Agjencia franceze e lajmeve tha se sipas zjarrfikësve, flaka mund të ketë lidhje me punimet e rinovimit që po i bëhen ndërtesës.
Në disa pjesë të katedrales ishin vendosur skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi ishin hequr javën e kaluar për arësye të rinovimit.
Presidenti francez Emmanuel Macron shkruante: “Si të gjithë bashkatdhetarët, jam i trishtuar këtë mbrëmje kur shoh të digjet kjo pjesë që është e ne të gjithëve”.
Për shkak të zjarrit, zoti Macron shtyu një fjalim televiziv që duhet të mbante të hënën për politikën kombëtare.
Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë katedrales Notre Dame dhe pastruan zonën rreth saj nga hiri që binte.
Dëshmitarët thanë se zjarrfikësit shkuan me urgjencë në zonën e katedrales menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, pak para orës 7 të mbrëmjes. Qindra njerëz u mblodhën në urat e Parisit mbi lumin Senë për të parë skenën.
Presidenti i SHBA, Donald Trump shkruante në Twitter: “Është vërtet e tmerrshme të shohësh zjarrin masiv në katedralen Notre Dame në Paris, ndoshta duhen përdorur çisterna me ujë nga ajri. Duhet vepruar shpejt!”
Zonja e parë e SHBA, Melania Trump shkruante: “Më dhemb zemra për popullin e Parisit kur shoh zjarrin në katedralen Notre Dame. Lutem për për sigurinë e secilit “.
Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë. Ajo daton në shekullin e 12 dhe është e famshme si vendi ku vendosen ngjarjet e romanit klasik të Victor Hygosë, “Kurrizoja i Notrë Damës”.
Ndërtesa është e njohur për figurat mitologjike prej guri, dritaret prej qelqi të ngjyrosur dhe trarët karakteristikë që mbajnë muret.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply