Knut Fleckenstein, në një bisedë me mediat kritikon opozitën që bojkoton Reformën Zgjedhore, si dhe përmend nevojën bashkëpunimit të bashkëkryetarëve të komisionit “ad hoc”. Sipas tij, reforma zgjedhore, ka dalë jashtë standardeve të OSBE/ODHIR
Lindita Bushgjokaj
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein gjatë një konferencës së djeshme me gazetarët, është shprehur kundër bojkotit të opozitës dhe ka inkurajuar vazhdimin e reformës zgjedhore. Eurodeputeti shpreh shqetësimin për situatën politike në vend, sipas të cilit nuk është aspak e mirë, ndërsa bëri thirrje bashkëkryetarëve të komisionit “ad hoc” që të punohet me reformën zgjedhore, e cila në këto kushte është jashtë standardit të zgjedhjeve, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, por dhe kundra zhvillimeve të PE dhe BE. “Gjithmonë kur politikanët dhe deputetët mendojnë se duhet të bojkotojnë parlamentin unë nuk jam në anën e tyre, pavarësisht nëse bëhet fjalë për demokratët apo socialistët. Mendoj se mund të bësh shumë jashtë parlamentit si deputeti, por mendoj se mund të bësh shumë në parlament”, tha Fleckenstein. Ai tha se dy kryetarët duhet të punojnë seriozisht për reformën zgjedhore, e cila ka devijuar nga rekomandimet e OSBE-së. “Për sa i përket reformës zgjedhore e konsiderojmë shumë të rëndësishme dhe kam përshtypjen ende që dy kryetarët e komisionit “ad hoc” po bëjnë më të mirën e tyre për të shpëtuar atë për të cilën po punojnë. Dua t’i bëj thirrje palëve se do ishte një shenjë për BE, KE, PE që në një çështje kaq thelbësore është e mundur që palët të gjejnë dakordësi. Jam shumë i lumtur për dy bashkëkryetarët dhe përpjekjet që po bëjnë”, u shpreh raportuesi i PE-së. Situata është jo e mirë. Ne e dimë që në këtë proces mund të ketë një efekt domino, por nuk e shoh si një problem që nuk mund të zgjidhet së shpejti. Për deputetët që janë të përfshirë në krime në Gjermani ne kemi zyrën e Prokurorisë dhe nëse prokurori e verifikon sigurisht që shkarkohet. Nëse bëhet fjalë për deputetin që ka miq është më e vështirë. Por ne kemi gjyqësorin. Duhet që prokuroria të bëjë punën e saj. Teksa u pyet në lidhje me faktin, nëse këtë sesion parlamentar nuk miratohet reforma zgjedhore, Fleckenstein tha se nëse ndodh kjo gjë në Shqipëri do të ketë zgjedhje që nuk janë në përputhje me OSBE-OHDIR. “Nuk e di. Por e di që sërish kjo do të thotë që të ketë zgjedhje që nuk do të jenë tërësisht në përputhje me standardet e OSBE-OHDIR. Kjo do ta lëndonte procesin. S’mund të them se gjithçka do ishte dramatike, por do kishte diçka negative në diskutimet tona”, tha ai.
Konflikti Kryeministri-Presidencë
Raportuesi i Shqipërisë në PE, Knut Fleckenstein zhvilloi edhe një takim me Presidentin Ilir Meta, i cili ka nisur në orën 14:30 në Presidencë dhe erdhi pas deklaratës që zyrtari i BE bëri duke kërkuar zgjidhje të konfliktit mes dy institucioneve. “Nuk do guxoj të mbaj anën e askujt. Besoj në gjetjen e një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet një ministri i Brendshme funksionale. Informacioni që unë kam rreth zotit Lleshaj është pozitiv. Unë nuk i di arsyet përse Meta nuk e ka dekretuar. Presidenti mund të ketë ndonjë hetim më të thelluar që e kanë çuar drejt vendimit të tij, por unë nuk jam njeriu që duhet të kritikojë Presidentin, sepse unë nuk i di arsyet. Për zotin Lleshaj unë mund veçse të konfirmoj se komuniteti ndërkombëtar vlerëson punën dhe reputacionin e tij. Është një zyrtar i lartë i mirënjohur, i cili gjithashtu është trajnuar ndërkombëtarisht prandaj gëzon një reputacion shumë të mirë”, u shpreh raportuesi për Shqipërinë.
Situata politike në vend
Duke komentuar situatën politike në vend, Fleckenstein tha se partitë kanë këndvështrime të ndryshme për situatën. “Vitin që vjen kemi zgjedhje në PE dhe një nga pyetjet është çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, dhe unë jam i sigurte se pavarësisht zgjedhjeve do ketë një maxhorancë, që do të jetë pro procesit të zgjerimit, përveç partive të ekstremit të djathtë, të cilat asnjëherë nuk duan asgjë. Problem është ndonjëherë Këshilli, pasi jo të gjitha shtetet anëtare bien dakord në të njëjtin moment. Zgjedhje ne PE do te sjellin shumica të tjera, por do të jenë besoj gjithnjë pro rrugëtimit të Shqipërisë në BE.” tha Fleckenstein
Shekulli.com.al


Leave a Reply