Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli shkoi në vizitë në Shkup gjysëm dite para mbylljes së fushatës për referendumin e së dielës, ndërkohë që me homologun e tij Talat Xhaferi kanë biseduar për një sërë çështjesh të marrëdhëieve midis dy vendeve dhe për zhvillimet rajonale.
Zoti Veseli theksoi qëndrimin për mbështetjen e fuqishme të marrëveshjes midis Shkupit dhe Athinës dhe pritjet për rrugën e integrimit euroatlantik të Maqedonisë.
“Thërras qytetarët e Republikës së Maqedonisë që ditën e dielë në mënyrë masive t’i drejtohen vendimmarrjes që i hapë perspektivën shtetit tuaj, mirëqenies tuaj drejt BE-së dhe NATO-s; që t’i thoni PO referendumit. Nuk do të lejojmë që në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë të kemi asnjë lloj precedence negative që do të përdorej dikund tjetër. Për të qenë më speficik, sovraniteti dhe integriteti tokësor i Republikës së Maqedonisë për ne është shumë qenësor dhe thelbësor për vetë shtetin tonë të pavarur dhe sovran për t’u respektuar kështu siç është”, tha zoti Veseli.
Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi thekson shpresat për një zgjidhje të mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, që do të rezultonte me qëndrueshmëri dhe paqe në rajon:
”Republika e Maqedonisë dhe të gjitha institucionet e saj mbështesin përpjekjet e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për vazhdimin e bisedimeve bilaterale për gjetjen e zgjidhjes përfundmitare për marrëdheniet në mes dy vendeve, me çka do t’i vihej fund, thënë kushtimisht, konfliktit të fundit në vendet e Balkanit Perëndimor. E me këtë do të tejkaloheshin pengesat e fundit për stabilitet më të qëndrueshëm, siguri të vazhdueshme të vendeve të rajonit”, tha zoti Xhaferi.
Ndërkohë, tw enjten në Bruksel fillon pocesi i vlerësimit të përputhshmërisë së ligjeve të Maqedonisë me ato të Bashkimit Evropian. Një delegacion qeveritar prej dyzet vetash, ekspertë dhe pjesëtarë të administratës i udhëhequr nga zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, i cili është shef i delegacionit ka një detyrë të vështirë para vetes.
Zyrtarët e BE-së dhe ata të Maqedonisë do ta hapin kapitullin 23 që ka të bëjë me sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore dhe që shikohet si aspekti më vëllimor dhe i vështirë, reformat e të cilit do të priten në një fazë të mëtejme nga Brukseli.
Fillimi i bisedimeve për anëtarësim është parashikuar për në qershorin e 2019-s por për këtë vendet anëtare do të marrin një vendim brenda muajve që vijnë.
Përveç reformave të domosdoshme Maqedonia duhet ta kalojë me sukses referendumin e së dielës që bëhet për ndryshimin e emrit të këtij vendi ballkanik në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Prej sonte në mesnatë fillon heshtja zgjedhore. Partitë e koalicionit qeveritar dhe partitë shqiptare të cilat mbështesin referendumin kanë zhvilluar një fushatë të qetë më tepër mediatike, pa tubime të mëdha. Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE e cila e kundërshton referendumin nuk ka marrë një qëndrim të prerë, por ajo tërthorazi ua ka lënë të kuptohet përkrahësve të saj se nuk duhet dalë në votim më 30 shtator. Që referendumi të jetë i suksesshëm, në të duhet të dalin gjysma e elektoratit prej 1 milion e tetëqind mijë votuesish të regjistruar. Dhe pesëdhjetë përqindëshi i tyre, ose pak mbi 450 mijë të votojnë pro. Referendumi nuk ka karakter detyrues. Në rast të dështimit, parlamenti do të marrë proceset në duar.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply