Familja Gashi nga Kosova, për tre vjet me radhë është duke jetuar në Oberhausen, por tashmë rrezikon dëbimin. Por edhe pse duket shumë e vështirë, në fund të tunelit shfaqet pak dritë për këtë familje. Për të shmangur dëbimin e saj është impenjuar drejtori gjerman i Menaxhimit për ndërtim nga Oberhauseni (OGM), Hartmut Schmidt. Në një postim në Facebook, drejtori i OGM ka shprehur solidaritetin e saj me familjen.
“Familja Gashi janë një shembull kryesor i integrimit të suksesshëm”, thotë drejtori. Familja vjen nga Kosova dhe jeton që nga viti 2015 në Oberhausen. Babai Halili punon në departamentin e shërbimit teknik të ndërtesave në OGM, “dhe kjo për kënaqësinë tonë të madhe”, thotë drejtori menaxhues, përcjell albinfo.ch.
Halili dhe Fakete, bashkëshortja e tij, angazhohen vullnetarisht për të ndihmuar refugjatët. “Nëse bëhet fjalë për përkthime apo për organizimin e veprimeve në shtëpitë e refugjatëve, çifti Gashi gjithmonë janë të gatshëm për të ndihmuar”, thotë Hartmut Schmidt. Mësohet se edhe fëmijët e tyre janë të integruar mire në komunitet. Djali Flamuri, 23 vjeç, e ka përfunduar trajnimin e tij si një murator, vajza Fitore, 21 vjeçe, si edukatore dhe më e vogla, Rona, 7 vjeçe, është duke ndjekur klasën e dytë.
Lajmi për një dëbim të mundshëm ka tronditur familjen. “Këtë lajm e kemi pranuar me keqardhje”, shprehet Hartmut Schmidt, i cili është duke u angazhuar seriozisht për bashkëpunëtorin e tij. Familja Gashi ka paraqitur një kërkesë që rasti i tyre të pranohet si rast i rëndë, sepse një dëbim ligjor do të ishte i ligjshëm, pasi që Kosova është klasifikuar në Gjermani si vend i sigurt i origjinës. Tani, për fatin e familjes duhet të vendosë Komisioni për raste të rënda mbi bazën e informatave të autoriteteve të migracionit nga Oberhauseni. Por për familjen Gashi, tani vijnë ditë të gjata mes ankthit dhe shpresës.
Familja shqiptare rrezikon dëbimin nga Gjermania, ja çfarë bën drejtori për ta


Leave a Reply