Sot, në ditën e parë të vitit mësimor, në çdo hyrje shkolle, do të lexoni banderolën tradiconale: “Mirësevini, nxënës të dashur” dhe oborret e shkollave, do të mbushen plotë me nxënës, por një kategori fëmijësh, nuk do mund ta përjetojnë këtë moment, mbasi nuk kanë guxim të dalin as nga dera e shtëpisë!Bëhet fjalë, për fëmijët e ngujuar, histori që po vazhdon e thellohet prej 27 vitesh, qysh kur komunikimi i të rriturve për punët e tyre, nisi të bëhet me pushkën e konflikteve e të gjakut, duke marrë shumë jetë njerëzish e arratisur mijëra familje nga trojet dhe ka izoluar me “vetëburgosje”, qindra fëmijë e të rinj në moshë shkollore, shkruan Pamfleti . Pikërisht, këta fëmijë të ngujuar, i janë drejtuar kryeminsitrit Edi Rama, me këtë apel: – Zoti kryeministër, qytetar e prind! Ne disa nga fëmijët e ngujuar në zonën verilindore, prej pushkës së hasmit jo për fajin tonë, por prej çmendurisë së të rriturve, ju kemi kërkuar çdo vit, të na krijoni mundësinë, për të shkuar në shkollë, si gjithë fëmijët e tjerë. Ju kemi kërkuar, të na riktheni lirinë, për ta gëzuar edhe ne, këtë të drejtë sociale e shoqërore. Nga ana juaj, nuk na është kthyer asnjëherë përgjigje, por kemi dëgjuar vetëm ministren e Arsimit në televizion, që ka premtuar, se do na mundësojë shkollim, me projektin: “Mësim pranë vatrës”, pra, në kushtet e vetë-izolimit, ku gjendemi! Ju kujtojmë, se shumë nga vëllezërit, motrat e të afërmit tanë, i kanë kaluar vitet shkollore në ngujim, duke mbetur analfabetë dhe kjo fatkeqësi po vazhdon me brezin tonë e nëse nuk veprohet, do vazhdojë brez pas brezi. Në “burgjet” ku jetojmë, mësues dashamirës e shumë të respektuar prej nesh, lënë punët dhe kohën e tyre të lirë dhe, vijnë në banesat tona, duke na bërë nga 1 e 2 orë mësim në javë, aq sa të mundemi të shkruajmë e lexojmë emrin tonë. Zoti kryeministër, me lutje të sinqertë e të dhimbshme, ndërhyni me fuqinë e ligjit, për të na larguar “pushkët e hasmit” nga dyert e shtëpive, që edhe ne, të dalim e të shkojmë në lirisht në shkollë, aktivitete e argëtime, bashkë me fëmijët e tjerë, mbasi 5 vite më parë, kur na erdhët për vota edhe brenda shtëpive tona të ngujimit, na premtuat, se brenda mandatit të parë të pushtetit (2017), do të zhdukej kjo pagë e rëndë. Edhe për ministrin Fatmir Xhafaj, kemi disa pyetje: Përse nuk ka forcë “Forca e Ligjit”, të verpoj ndaj disa individëve, që kanë deklaruar publikisht kërcënimet e tyre, se do të na vrasin, nëse dalim nga shtëpia? Përse policia e shtetit, nuk ka fuqi për të shpëtuar e dhënë lirinë, që po na mbanë të vetë-burgosur, ndërkohë nuk zbatohet urdhëri i kryeministrit Rama që ka deklaruar se brenda mandatit të parë të pushtetit (2017), nuk do jetë më kjo plagë e rëndë”.
bulevardionline.com


Leave a Reply