Aktivitetet shkencore të mbajtura në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, vazhdojnë të ngjallin interes jo vetëm nga publiku, por edhe nga studiues të shquar të huaj dhe shqiptarë që prezantojnë për herë të parë studimet e tyre shkencore, mbi vlerat e paçmueshme që figura e heroit ka tejçuar në shekuj në letërsi, por jo vetëm.
Historiani Nicolas Battista, i cili merret me kërkime shkencore në sektorin e armatimeve pranë Pallatit të Venecias, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare për ligjërimin e tij u shpreh se, “jam ftuar me shumë kënaqësi këtu, në këto ditë studimesh mbi Skënderbeun, që në fund e kam zbuluar me profesoreshën Lucia Nardin edhe pse emrin e Skënderbeut e kisha dëgjuar edhe më parë në historinë e Europës”.
Ai shtoi se, “jam më shumë specialist i armëve antike, sesa i armëve në përgjithësi dhe kemi zbuluar në inventarin e arsenalit të Venecias se kishte armaturë të kohës së Skënderbeut. Duhet ta studiojmë këtë personazh dhe për këtë arsye jemi këtu në Tiranë”,– tha Battista.
“Për mua është figura më e rëndësishme ushtarake e fundit të periudhës së viteve 1400. Një figurë e Adriatikut të cilën duhet ta njohim mirë. Një figurë kombëtare e një rëndësie të madhe, duhet ta njohim mirë se si janë armët, armaturat dhe për mua si kurator dhe koleksionist, ne kemi ruajtur armët e famshme nga shekujt, ashtu siç janë transmetuar nëpër koleksione deri në ditët e sotme”, – shtoi historiani Battista.
Battista gjithashtu theksoi se, “është shumë e rëndësishme lidhja mes njohjes dhe aktualitetit në Europë për brezat e rinj, që nuk i njohin figura si Skënderbeu, atëherë është shumë e freskët më në fund, duhet të fitojmë, ta zotërojmë këtë histori dhe ta kuptojmë më mirë, mbi të gjitha mbi materialet dhe mjetet. Si në Francë, Belgjikë, Zvicër, sepse punoj në Zvicër”.
“Emri i Skënderbeut është i njohur jo nga të gjithë, por të paktën nga historianët, nga studentët e historisë dhe nga persona që bëjnë rishikime historike. Për shembull, e dinë që helmeta e Vjenës është e lidhur me këtë figurë, dhe mendojnë se ai ishte një lider ushtarak, por nuk e njohin ata që Skënderbeu luajti një rol edhe në historinë politike dhe qeverisëse të vendit. Kjo gjë mbase duhet të mësohet mbi të gjitha tek te rinjtë, në Francë”, – përfundoi historiani Battista.
Konferenca Albanologjike është e ndarë në tre sesione. Sesioni i parë nisi në maj dhe përfundon më 26 qershor.
Sesioni i dytë gjatë muajve shtator dhe tetor.
Të dy këto sesione i janë dedikuar ligjëratave të gjata të studiuesve të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Dhe sesioni i fundit, ai i tretë, në nëntor ku do të publikohen dhe konkluzionet, teksa të gjitha studimet dhe punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019.
maqedoniashqiptare.com


Leave a Reply