Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës publikoi identitetin dhe dëshmitë e bashkëpunëtorit, që kreu audio-regjistrimin me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të brendshëm, ku pretendohet riaktivizimi i tij në veprimtari kriminale dhe trafiqe narkotikësh.
Opozita publikon identitetin e dëshmitarit kundër vëllait të ministrit të Brendshëm
Opozita e ndërmori këtë hap pas deklaratave të qeverisë se përgjimet ishin të manipuluara dhe synonin destabilizimin e vendit.
Dëshmitari, Albert Veliu, garantoi se zëri në regjistrim është i Agron Xhafajt.
Partia demokratike e opozitës publikoi sot identitetin e një dëshmitari, që njihej me vëllain e ministrit Xhafaj, dhe që provoi riaktivizimin e tij në veprimtari kriminale.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha shfaqi në fund të një conference të tij një dëshmi nga Albert Veliu, i cili e kishte njohur Agronin vite më parë në Itali, teksa të dy punonin në trafikun e drogës, dhe se me të kishte inate pse njëri ra në burg, ndërsa tjetri u kthye në Shqipëri si biznesmen.
Veliu thotë se nuk e di se kush e ka bërë përgjimin, dhe se i kanë kërcënuar djalin pas publikimit të videos.
Dëshmitari Veliu tha në videon e publikuar në sallën e konferencave të PD-së se dikur ishte shoqërues gomonesh, ndërsa Agron Xhafaj në Itali sillte droga, që i shiste ai me shokë. Ai tha se në 2005 u burgos 7 vjet për 12 kg kokainë.
Kur doli nga burgu në gjendje të rëndë ekonomike, Alberti i kërkoi Agronit të conin hashash në Itali dhe ai e dërgoi tek persona të tjerë.
Ai e kërkoi rrugën e trafikut, por nuk e kreu dërgesën por i hyri kësaj vetëm për të demaskuar se cili është Agron Xhafaj, i cili sipas tij komandon Vlorën.
Opozita e ndërmori këtë hap pas deklaratave të qeverisë se përgjimet ishin të manipuluara. Vëllai i ministrit, Agron Xhafa u nis dje drejt Italisë për t’u dorëzuar para organeve të drejtësisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se policia po ndjek tani bashkëpunëtorin X të audio-përgjimit, që zbuloi veprimtarinë kriminale të vëllait të ministrit, në vend që të arrestonte Agron Xhafajn e dënuar nga gjykatat italiane dhe hetonte pasuritë e tij në bazë të ligjit antimafia.
Zoti Basha tha se audiopërgjimi i vëllait të ministrit të brendshëm me një bashkëpunëtor është i vërtetë, origjinal dhe aspak i manipuluar, sic deklaroi dje kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama i cilësoi dje si një “maskaradë me synime destabilizuese” akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me vëllanë e tij, i arrestuar në Itali në vitin 2002 dhe më pas i dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2012 nga Gjykata italiane e Kasacionit, me 7 vjet e dy muaj burgim, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale e cila merrej me trafikun e drogës.
Ai tha se mashtrimi me audio-përgjimin është një vepër të ndëshkohet me burgim, nëse nuk provohet shkencërisht saktësia e materialit të shfaqur nga opozita si një provë mbi riaktivizimin kriminal të vëllait të ministrit të brendshëm.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply