Në Shqipëri Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike se ai është dënuar në Itali me 7 vjet e dy muaj burg për pjesmarrje në një organizatë kriminale që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Burimet pranë Prokurorisë shpjeguan se ajo “po ndjek me vëmendje rastin dhe është duke kryer detyrën sipas ligjit”. Veprimet po kryhen në kuadër të Ligjit Antimafia, në bazë të të cilit pasuritë e vëllait të ministrit i nënshtrohen verifikimeve për të parë nëse ato janë ngritur ose jo në bazë të aktiviteteve kriminale, e mund të shtrihen edhe ndaj të afërmve të tij.
Partia demokratike e cila prej ditësh ka ngritur çështjen e vëllait të zotit Xhafaj, duke akuzuar këtë të fundit se ka bërë çdo përpjekje për të mbrojtur nga ligji të vëllanë, u shpreh sot se ministri nuk ka vepruar në zbatim të Ligjit Antimafia sipas të cilit “Policia e Shtetit, që është nën varësinë e Ministrit të Brendshëm, ka detyrimin që të veprojë me iniciativën e vet, për të verifikuar pasurinë e Agron Xhafajt. Pasi merr dijeni për pasuritë, Policia ja referon çështjen prokurorisë. Është detyrë e prokurorisë të bëjë hetimin e mjeteve financiare, të pasurive, veprimtarive ekonomike, tregtare dhe profesionale, mënyrës së jetesës, si dhe të burimeve të të ardhurave”, thanë sot demokratët.
Vëllai i ministrit Xhafaj u arrestua në Itali në vitin 2002 dhe pas pak më shumë se një muaji u riatdhesua nga policia italiane. Ndaj tij nuk është lëshuar ndonjë urdhër arresti ndërkombëtar dhe autoritetet gjyqësore italiane nuk kanë bërë as kërkesë ekstradimi. Partia demokratike ka akuzuar ministrin Xhafaj se duke shfrytëzuar funksionin e tij si kryetar i Komisionit të Ligjeve ka ka ndërhyrë vitin e shkuar, duke bërë një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, pikërisht në nenet që parashikojnë rastet e ndalimit të ekstradimit, e që sipas saj mbron direkt të vëllanë e tij. Anëtarja e Komisionit, socialistja Vasilika Hysi hodhi dje poshtë pretendimet e opozitës duke deklaruar se neni të cilit ajo i referohet është reflektim i Konventës europiane, Protokolli shtesë i saj. Neni që është kazusi i radhës i opozitës është reflektim i konventës së ekstradimit, protokolli shtesë. Në komision është votuar varianti që është në fuqi”, shkruajti zonja Hysi në një postim të gjatë në Facebook. Por demokratët këmbëngulin në variantin e tyre.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply