Ziadin Sela dëshmoi në cilësinë e dëshmitarit në tentativën për vrasje ndaj tij më 27 prill të vitit kaluar. Në deklaratën e tij në Gjykatë Sela shpjegoi momentet kritike, duke potencuar goditjet në kokë me ekran kompjuteri, goditjet me shtizë flamuri dhe grushtet. Përveç të akuzuarve, për të cilët tha se një pjesë të tyre i ka parë në sallën e konferencave, Sela përmendi edhe një gazetare e cila i është kërcënuar me fjalët “do ta shihni se çfarë do t’ju gjej”, në momentet kur ai bashkë me Syrija Rashidin ka bërë plane të shkojnë në zyrat e tyre në Kuvend.
Megjithatë, theks të veçanta Sela i kushtoi mungesës së incizimeve nga kamerat e sigurisë kur ai është sulmuar brutalisht. Për këtë, sipas Selës fajtorë janë edhe organet e Qeverisë aktuale të cilët nuk qartësojnë dilemat, ka ose jo incizime të tilla.
Unë nuk e besoj se Parlamenti duhet të ketë skute të errëta jashtë objektivit të kamerave të sigurisë. Pse nuk ka dal asnjë incizim prej momentit kur unë sulmohem, kjo edhe njëherë e dëshmon atë që thash pak më herët, se prapa sulmeve të 27 prillit, nuk janë vetëm ca individë dhe doras që kanë bërë sulmin, por ka një organizim të mirëfilltë të strukturave të shtetit të atëhershëm të cilët kanë planifikuar me detaje gjithçka. Zaten edhe tendencat për vjedhjen e incizimeve nga kamerat e Kuvendit, e dëshmojnë edhe njëherë këtë që sapo thashë – deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Para trupit gjykues Sela kujtoi momentet se si është larguar nga salla me hamendje si pasojë e goditjeve, si ka rënkuar në korridor dhe si ka ndje goditjet e para në kokë me shqelma dhe grushte. Ai madje shpjegoi edhe fjalët që ka dëgjuar nga protestuesit “Ja Sela. Ejani, ja ku është Sela”.
Në mesin e personave që ka njohur është edhe Igor Jug, i akuzuar aktualisht për “udhëheqje të turmës” e që në ditën kritike në sallën e konferencave shihet teksa lëviz me armë të ftohtë në duar.
Sela madje përmendi edhe evakuimin e tij të veshur me fanellë dhe me një logo të policisë në krahë, ku personat që e kanë larguar nga Kuvendi kanë aktruar se gjoja ka polic të lënduar. Në këtë kontekst ai përmendi edhe konfliktin që njerëzit e tij kanë pasur me ish ministrin e Shëndetësisë, Nikolla Todorov i cili ka kërkuar që Sela të dërgohet në Spitalin e Qytetit, por që Arben Taravari dhe ekipi tij kishin përgatitur Qendrën Klinike në Spitalin Shtetëror.
Për tentim vrasje ndaj Selës akuzohen dhjetë persona të cilët në fjalët e para u deklaruan të pafajshëm dhe nuk u pajtuan me veprën që i ngarkohet. Në cilësinë e dëshmitarit, Prokuroria Publike ka propozuar kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, deputetë aktual, ministra, gazetarë dhe protestues.
Adrian Kerimi
tetovanews.info
Leave a Reply