Në Shqipëri, ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka njoftuar Presidentin e Republikës, Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë shqiptare. Ligji parashikon që pas përfundimit të detyrës, Prokurori i Përgjithshëm mund të emërohet gjykatës i Apelit. Këtë njoftim zoti Llalla ia ka nisur për dijeni dhe organeve të ngarkuara me procesin e rivelrësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ish Prokurori i përgjithshëm është në listën e drejtuesve të Lartë të sistemit të Drejtësisë emrat e të cilëve po i nënshtrohen këtij procesi.
Tërheqja për të qenë pjesë e sistemit të Drejtësisë megjithatë nuk e ndërpret rivlerësimin ndaj ish Kryeprokurorit. Ligji parashikon që një gjë e tillë ndodh vetëm nëse dorëheqja do të realizohej brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të kësaj norme. Vitin e kaluar dy shoqatat e gjyqtarëve që veprojnë në Shqipëri, ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar ndër të tjera dhe këtë parashikim. Por në vendimin e saj të dhjetorit të kaluar, Gjykata nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë.
Zoti Llalla u largua nga detyra dy muaj më parë në përfundim të mandatit, ndërsa zëvendësimi i tij me një drejtues të përkohshëm, zonjën Arta Marku u shoqërua me polemika të forta dhe kundërshtime nga ana e opozitës, sipas së cilës qeveria po vendoste kontrollin mbi Prokurorinë. Gjatë vitit të fundit të tij në detyrë, zoti Llalla pati përplasje pubike me ambasadën amerikane. Atij ju refuzua viza për në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ambasadori amerikan e akuzoi hapur se prej kohësh ishte angazhuar kundër Reformës në Drejtësi, ndërsa për largimin e tij nga detyra ambasada amerikane u shpreh se “Prokurori i Përgjithshëm që refuzonte të ndiqte penalisht politikanë është i ikur”.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply