Koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën nënshkruan sot koalicion paszgjedhor me Aleancën Kosova e Re të Behgjet Pacollit. Nënshkrimi i koalicionit u bë vetëm disa orë pas largimit të AKR-së nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nënshrimi i koalcionit pritet t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja, pasi që tashmë koalicioni fitues pritet t‘i ketë 63 deputetë, të mjaftueshme për të formuar qeverinë.
Nënshkrimi u bë nga udhëheqësit e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, udhëheqësi i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe udhëheqësi i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha pas nënshkrimit se marrëveshje është në të mirë të të gjithë qytetarëve.
“Është një marrëveshje për qytetarët e Republikës tonë, për drejtimin tonë perëndimor, për Kosovën e zhvilluar ekonomikisht dhe për perspektivën e të rinjve dhe të rejave tona. Të njejtën kohë besojmë shumë se do të zbatojmë obligimet që I kemi përballë intergrimeve euro-atlantike. Drejtimi jonë drejt Bashkimit Evropian është i palëkundshëm dhe drejtimi për miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë përparësi e jona në katër vitet e ardhshme. Në të njejtën kohë edhe fqinjësia e mirë, por fuqzimi I shtetit dhe integrimtetit tonë do të jenë përparësi e punës sonë. Kjo është e mirë për të gjithë qytetarët tanë, ky koalicion është në shërbim të çdo qytetari dhe në shërbim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet e 11 qershorit”, tha zoti Veseli duke nënvizuar se formimi i qeverisë së re është çështje ditësh.
Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se çuarja përpara e sfidave me të cilat përballet Kosova ka shtyrë atë të bëjë koalicion paszgjedhor.
“Me këtë koalicion do t’i shtyjmë proceset përpara. Kemi sfida për të tejkaluar, ato tejkalohen vetëm me mirëkuptim, energji pozitive dhe punë,” tha zoti Pacolli.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shpreson që të çojë përpara reformat e nevojshme.
“Ky bashkim, jam i bindur që i mundëson Kosovës nisjen shumë të nevojshme. Përgjegjësitë ne i kemi organizu sipas specifikave dhe vlerave që sjellim në qeverisje. Është një periudhë jo shumë e lehtë para nesh, jemi të vetëdijshëm, jemi të bindur se do t’ia dalim”, tha zoti Haradinaj.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj tha se nga sot hapet rruga e krijimit të institucioneve.
“Nga sot Kosova ka një koalicion me shumicë të konsoliduar dhe përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe nga ky moment mund të llogaritet që është fillimi i ndërtimit të institucioneve të vendit tonë që besoj janë shumë pritur nga qytetarët e Kosovës dhe shpresoj që kjo qeverisje të jetë në shërbim të reformave dhe sfidave që na presin”, tha zoti Limaj
Arritja e marrëveshjes pritet ti jap fund pritjes për formimin e institucioneve gati tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit.
Burimi/Zeri i Amerikes
Leave a Reply