Disa orë pas një shpërthimi në metronë e Shën Petersburg të hënën, autoritetet ruse janë në kërkim të përgjegjësve për ngjarjen. Shërbimi rus i lajmeve “Interfax” tha po kërkohet për dy të dyshuar si autorë të ngjarjes.
Sistemi i metrosë në Shën Petersburg u mbyll pas shpërthimit, që sipas Ministrisë së Shëndetësisë ruse shkaktoi 10 persona të vranë dhe plagosjen e rreth 50 të tjerëve. Gjashtë prej tyre ndodhen në gjendje kritike për jetën. Në Moskë autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë në sistemin e metrosë.
Imazhet në mediat sociale nga stacioni i Shën Petersburgut tregojnë pasojat e shpërthimit me një numër viktimash të shtrirë në platformën e metrosë. Pamjet nga vendgjarja tregojnë pasagjerët që lëvizin nëpër një stacion të mbuluar nga tymi.
Zyrtarët ishin të kujdesshëm për të mos dalë në përfundimin se bëhej fjalë për një akt terrorizmi, por thanë se shpërthimi ishte duke u hetuar si një akt i mundshëm terrorizmi. Mediat ruse raportuan se vendosja e lëndës shpërthyese ishte e qëllimshme.
Sipas agjensisë së lajmeve “Interfax” kamerat e sigurisë në metro mund të kanë kapur imazhe të të dyshuarit me një çantë ku mban eksplozivin.
Gjithashtu u gjet dhe çaktivizua një pajisje e dytë. Zyrtarët në Rusi kanë shpallur tri ditë zie kombëtare.
Në Uashington, presidenti Donald Trump e quajti shpërthimin në Shën Petersburg “diçka të tmerrshme.”
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply