Nga HABJON HASANI
TIRANE – Adelina Taraj është bashkëshortja e ushtarakut që u gjet i vdekur në zyrën e tij më datën 28 nëntor në Ministrinë e Mbrojtjes, Gëzim Taraj. 49-vjeçari ka humbur jetën ndërsa në tëmth kishte një plagë me armë zjarri, që sipas të dhënave paraprake thuhet se i përket një kolegut të tij, të cilën Gëzimi e ka siguruar pasi ka shpërthyer kasafortën e kolegut. E kontaktuar nga Shqiptarja.com Adelina Taraj është shprehur se ajo, njeriu që i qëndronte më pranë Gëzimit, në asnjë moment nuk ka vërejtur ndonjë presion apo shenjë depresioni tek ai, duke shtuar se edhe ditën e ngjarjes ai është sjellë shumë normalisht si çdo ditë tjetër. E pyetur nëse kishte ndonjë apel për institucionet shtetërore në lidhje me zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, Adelina Taraj tha se nuk dëshironte të bënte apel, por theksoi me kast se bashkëshorti i saj ishte një njeri shumë korrekt me punën.
Zonja Taraj, pikësëpari ngushëllime për humbjen kolosale që ju është shkaktuar juve dhe familjes tuaj. Nisur nga informacioni i paktë zyrtar në lidhje me atë që klasifikohet si “vetëvrasje” e bashkëshortit tuaj, e gjejmë me interes t’iu pyesim dhe juve në lidhje me këtë ngjarje…….
Faleminderit, unë e vlerësoj interesimin pavarësisht se sot media ka thënë shumë të pavërteta rreth kësaj çështje.
Për cilat të pavërteta e keni fjalën zonja Taraj?
Po për ato që janë shkruar, deri edhe te nxjerrja e fotos së Gëzimit që e kishte në “facebook” me një gotë përpara duke aluduar se kishte varësi nga pija apo çështje të tjera që thonë borxhet, depresioni e shumë të tjera.
Në fakt atë foto e kemi botuar dhe ne. Është një foto krejt normale, në një darkë familjare madje, kështu që një gotë para është gjëja më normale në një darkë familjare apo jo?
Po pikërisht interpretimi i asaj fotoje më ka shqetësuar. Megjithatë janë edhe shumë gjëra të tjera. Sigurisht që unë nuk kam ndërmend të merrem me median apo me ato që janë thënë se kam hallin tim aq të rëndë e të madh tani sa……kam humbur njeriun që doja më shumë në botë, njeriun më të mirë për mua. Përpara kësaj të gjitha janë krejt pa vlerë.
E prisnit vetëvrasjen e bashkëshortit tuaj? Kishit vënë re shenja shqetësimi të tij zonja Taraj?
Absolutisht, e përsëris absolutisht jo. Asnjë shenjë. Asnjë të vetme. Ka qenë një lajm i rëndë se as në ëndrrat më të këqija nuk e mendoja.
Ka pasur probleme apo presione që lidhen me financat e familjes apo probleme në kuadrin e punës bashkëshorti juaj zonjë?
Probleme ka ç’do familje ndaj dhe mos prisni që unë të tregoj për gazetat tani problemet e familjes time. Por ju siguroj se as mund të imagjinoja dhe nuk kam vërejtur asnjë shenjë të vetme të Gëzimit për të bërë këtë akt.
Supozojmë që është një vetëvrasje. Ju vetë në analizën tuaj kujt do t’ia dedikonit më shumë motivin, aspektit të problemeve private apo atyre që lidhen me punën?
Unë di të them vetëm që në shtëpi ka qenë një familjar si pakkush dhe tejet i kënaqur dhe i realizuar si në jetën bashkëshortore dhe në lidhje me fëmijët. Po ashtu edhe në punë, ka qenë njeri jashtëzakonisht korrekt, shembull madje dhe model për të tjerët. Në punën e tij ai ka qenë përgjegjës dhe nëse nuk do ishte korrekt dhe tejet serioz nuk kishin për t’i besuar atë post.
Në fakt ka qenë në një post tejet të rëndësishëm dhe delikat në ministri zonjë, ishte përgjegjës në një zyrë ku kalonin informacione shumë të rëndësishme, ndaj dhe kjo “vetëvrasje” ngjall ca pikëpyetje apo jo…?
Ai në punë ka qenë më korrekt se çdokush tjetër. Jam e sigurt madje e bindur se nuk ka gabuar dhe as nuk është bërë shkak i ndonjë problemi në punën e tij.
Flitet se koha në të cilën kishte shkuar në zyrë ishte jashtë orarit zyrtar të punës, juve si ju rezulton?
Absolutisht jo, ai ka qenë në zyrë si çdo ditë dhe ka qenë fiks në orarin e punës, s’ka dyshime për këtë.
Mund të më thoni se si ishte dita e tij e fundit, në raport me ditët e tjera? Ka patur ndonjë gjest a sjellje anormale , diçka që ju tani e mendoni si detaj?
Ka qenë një ditë si gjithë të tjerat. I qeshur dhe i dashur si çdo ditë tjetër, ndaj ju them se më ka rënë si bombë vetëvrasja e tij sepse as më shkonte ndërmend.
Kur jeni ndarë atë ditë me Gëzimin?
Jemi ndarë paradite, pasi bëmë adetet e mëngjesit, pimë kafen ai u nis në punë dhe më pas erdhi dhe lajmi…..
Ju ka ardhur ndonjë sms nga Gëzimi pak minuta përpara vetëvrasjes së tij?
Çfarë sms-je?
Kështu flitet se ka nisur një sms familjes në minutat e fundit të jetës?
Jo jo, absolutisht nuk ka lidhje, s’ka fare sms të tilla.
Ju ka folur ndonjëherë për probleme që mund të ketë pasur me punën, ndonjë debat, ndonjë të papritur?
Jo, ta thashë që ka qenë një njeri shumë korrekt me punën.
Zonja Taraj keni ndonjë apel apo kërkesë për institucionet shtetërore shqiptare?
Asnjë lloj apeli nuk kam.
Në ç’kuptim? Ju jeni e bindur se ai është vetë¬vrarë, apo mendoni se mund të ketë vend për verifikime dhe për zbardhje të plotë të asaj që ka ndodhur?
Dëgjo, unë kam pësuar një humbje të parikuperueshme. Tani unë kam tre fëmijë dhe kam përgjegjësinë e tyre. Gëzimin nuk ma kthen më asgjë dhe tani duhet të shikoj përpara për të menduar për fëmijët e mi. Ai ka qenë një njeri shumë korrekt dhe shumë serioz në punën e tij. Këtë di të them unë. Vetëvrasja e tij ka qenë një ngjarje krejt e paimagjinuar nga unë, e paimagjinueshme nga familja dhe të gjithë ata që e njihnin. Asnjë shenjë që të çonte të mendoje se mund të vetëvritej.
Zonja Taraj faleminderit që treguat durim për të folur me ne në këtë moment kaq të vështirë……
Ju falënderoj dhe unë për interesimin.
Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com
(Gre.M/Shqiptarja.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani
Leave a Reply