Nga Valentin Lumaj
Me 27 Qershor, nën emrin e Federatës Vatra u mbajt një mbledhje me rreth 30 persona të përzgjedhur. Ata të cilët mbahen si drejtues të Vatrës dëshirojnë ta quajnë Kuvendi i Vatrës, që për mendimin tim, në asnjë element të saj nuk ishte Kuvend. Mbledhja u mbajt në masa të rrepta sigurie, me dyer të mbyllura, me polici private, me ftesa të selektuara dhe kontroll të fortë fizik. Njerëzit qeshnin dhe thoshin: nga kush frigohen këta njerëz, kaq të këqija kanë bërë?!
Vatra mua më ngjet me një burg të përjetshëm, ku të burgosur janë ata që kanë mbetur brenda, drejtuesit e saj, që s’duan të dalin që andej, se po të dalin mbesin rrugëve te papërfillur nga asnjeri. Prandaj këto masa sigurie mua mu dukën sikur po tranportoheshin të “burgosurit kriminelë” nga burgu në gjykatë, nga friga se mos i egzekuton dikush!!!
Mu duk kjo mbledhje si sallë gjyqi, pasi ajo u mbikqyr nga një ish qyqtar 83 vjeçar i pensionuar i cili ishte emëruar nga gjykata Supreme e Bronx-it si Monitor, i cili aktroi tamam sikur mbledhja të ishte seancë gjyqsore, pasi kishte marrë ne mbledhje edhe çekiçin e gjyqtarit.
Mbledhja qe shoqëruar me kundërshti dhe debate të forta, ku të ftuarit nuk u lejuan të bëjnë pyetje për drejtimin e dështuar 4-vjeçar, buxhetin e Vatrës, fondin e humbur prej $83 000 të tërmetit në Shqipëri, Kanunoren e re e të tjera.
Shumë vatranë dëshmuan arrogancën e Monitorit dhe njëanshmërinë e tij në krah të “të burgosurve” të vetquajtur drejtues të Vatrës, që janë në fakt të paditur në këtë process gjyqsor.
Për ne që e ndoqëm nga jashtë dhe dëshmive të atyre që ishin brenda, kjo mbledhje ishte e padenjë të mbahej në emër të Vatrës, që e zhvlerësoi emrin dhe namin e saj duke e kthyer Federtën e famshme Vatra në objekt të qarash dhe të qeshurash per vatranet në publikun shqiptar. Për të qarë dhe për të qeshur ishte edhe vetë Monitori nëpërmjet disa urdhërave qesharakë dhe pa fuqi që mori.
Tri shpifje me urdhër. Dy korrigjime. Një e vërtetë.
Pak ditë para këtij ‘kuvendi”, si një rrufe në qiell te hapur, Gazeta Dielli publikoi një Urdhër të lëshuar nga Monitori, i cili mbasi ishte informuar nga zyrtarët e Vatrës, më akuzonte mua se kisha dhënë një njoftim në gazetën Dielli se Kuvendi i 27 Qershorit ishte anulluar, gjë që nuk e kisha bërë. Vetë gazeta Dielli, e cila e publikoi këtë urdhër brenda një ore, ishte në dijeni të plotë se unë nuk e kisha shkruar një njoftim të tillë, pasi unë nuk kisha asnjë akses në Gazetën Dielli.
Unë, nëpërmjet avokatit e njoftova Monitorin se ishte i keqinformuar, se urdhëri i tij ishte gënjeshtër dhe i shkrova se ose të paraqiste provën, ose të tërheqë urdhërin publik.
Të nesërmen, duke mos pasur asnjë provë, Monitori nxjerr në gazetën Dielli një urdhër të dytë ku shkruante se ishte informuar nga zyrtarët e Vatrës se njoftimi im se Kuvendi ishte anulluar nuk ishte nxjerrë tek Dielli, por sipas tij, unë ja kisha nisur me email nja 55 vatranëve. Kjo ishte një një tjetër shpifje me urdhër, pasi as këtë unë nuk e kisha bërë.
Përseri avokati im i kërkoi me forcë që Monitori është i detyruar të publikojë provat, ose të tërheqë urdhërat e dhënë, mbasi ai po dëmton reputacionin tim personal në publik.
Në mungesë provash, të nesermen Monitori, e përgenjeshtroi urdhërat e tij të mëparshëm me një urdhër të ri ku shkruante se Valentin Lumaj NUK ka thënë se Kuvendi ishte anulluar, dhe kishte urdhëruar gazetën Dielli të publikonte këtë urdhër. Dielli, qe ishte i shpejte në publikimin e urdhërit te pare, e publikoi këtë te fundit një javë mbrapa.
U deshën tre urdhra që Monitori të pranonte të vërtetën. Megjithatë reputacioni nuk rikthehet me një korrigjim, gënjeshtra ecën shpejt, vërteta ecën më ngadalë, dëmi ishte bërë. Për këtë, drejtuesit e Vatrës, Gazeta Dielli dhe Monitori do të jenë së shpejti objekt i një padie civile për shpifje me dashje dhe dëmtim të reputacionit tim.
Por Urdhëri i fundit nuk ishte thjesht një korrigjim. Mendoj se është një pasqyrë e qartë e mënyrës se si administrohet Vatra, se niveli i saj moral dhe mungesa e integritetit ku ajo ka rënë është tronditës. Kredibiliteti i lidershipit është dëmtuar rëndë. Një organizatë me mbi 100 vjet histori nuk mund të ndërtohet mbi akuza të pabazuara, shpifje, dezinformim dhe përjashtimin e zërave kritikë. Siç u shpreh një vatran, organizata po perceptohet gjithnjë e më shumë si një “Klan Pan-Shqiptar VATRA”. Fatkeqësisht, zhvillimet e fundit vetëm sa e kanë forcuar këtë perceptim.
Nga këto urdhëra që përgënjeshtrojnë vetveten, vetë integriteti i të gjithë procesit të ashtuquajturit Kuvend i Vatrës është kompromentuar. Nëse për një fakt lehtësisht të verifikueshëm u dhanë tre urdhëra publikë bazuar në informacione të pasakta dhe në vazhdimësi, si mund të kemi besim se vendimet e tjera janë marrë mbi informacione të sakta?
Ndërsa nga ana ime, edhe një herë u dëshmua se unë veproj me moral, integritet dhe transparencë. Ky lidership dhe kjo Vatër nuk i meriton më anëtarët e ndershëm të saj, as kohën, energjinë dhe përkushtimin e tyre. Këto zhvillime vetëm sa përforcojnë bindjen time se i gjithë ky proces pati si qëllim, sikurse ndodhi, riciklimin e të njëjtit lidership, jo rikthimin e besimit, transparencës dhe demokracisë se brendshme në VATËR.


Burimi/Facebook


Leave a Reply