Pasi u gëzuam me të drejtë që Aleksandar Vuçiç theu qafën, e mira është të shohim se çfarë ka për të ardhur në pushtet në raport me ne, shqiptarët.
• E ashtuquajtura “Lëvizje Studentore Serbe” mban një qëndrim të prerë, i cili refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës.
• Megjithëse kjo lëvizje thotë që po lufton për vlera demokratike të stilit europian brenda vendit, në aspektin gjeopolitik rajonal, ajo mbetet thellësisht e ndikuar nga narrativat nacionaliste serbe.
Me një fjalë për ne, shqiptarët ujku thjesht ka ndërruar qimen.
Kush i fitoi zgjedhjet në Serbi dhe çka mendojnë ata për Kosovën?
Nga Berat Buzhala
Kush i fitoi zgjedhjet në Serbi dhe çka mendojnë ata për Kosovën?
Foto: Nacionale
Edhe një pushtet që dukej i përjetshëm e paska fundin e vet.
Sonte, më 25 tetor, Aleksandar Vuçiqi e pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Pas 12 vitesh si figura dominuese e politikës serbe, ai u detyrua ta pranonte se ishte mposhtur nga një lëvizje që deri para dy vitesh as që ekzistonte.
Sipas projeksioneve preliminare që i bëri publike vetë Vuçiqi, Lista e Studentëve pritet t’i fitojë ndërmjet 135 dhe 140 mandate, kurse koalicioni i tij rreth 105.
Nëse këto shifra konfirmohen, Serbia po hyn në një kapitull të ri politik.
Mirëpo, para se me e hapë shampanjën, sidomos ne në Kosovë, duhet t’i shtrojmë dy pyetje: Kush janë këta njerëz që e mundën Vuçiqin dhe çfarë mendojnë ata për Kosovën?
Për ta kuptuar këtë, duhet të kthehemi në nëntor të vitit 2024, kur në Novi Sad u shemb streha e stacionit hekurudhor, duke shkaktuar vdekjen e 16 njerëzve.
Një tragjedi që shumë qytetarë serbë nuk e konsideruan thjesht aksident. Ata dyshuan se prapa saj qëndronte korrupsioni, cilësia e dobët e punimeve dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale.
Aty filloi orteku.
Fillimisht dolën studentët. Kërkuan drejtësi, kërkuan përgjegjësi, kërkuan llogari. Pastaj protestat u zgjeruan dhe morën përmasa që Serbia nuk i kishte parë prej kohës së rrëzimit të Slobodan Millosheviqit.
Për mua, mënyra se si studentët serbë u organizuan dhe e shndërruan protestën në fuqi elektorale ka me u studiu edhe jashtë Serbisë.
Sepse ata arritën të organizohen përballë një pushteti që e kishte ndërtuar kontrollin e vet mbi shumicën e institucioneve, që kishte ndikim të jashtëzakonshëm mbi mediat dhe që kishte në dispozicion një aparat partiak të fuqishëm.
Vuçiqi mendonte se me këto instrumente mund ta kontrollonte edhe pakënaqësinë qytetare.
Nuk ia doli.
Studentët arritën ta bëjnë atë që opozita tradicionale serbe nuk kishte arritur ta bënte për vite të tëra. E bashkuan pakënaqësinë dhe ia dhanë asaj një formë politike.
Por këtu duhet ta sqarojmë diçka.
Lista e Studentëve nuk është një listë me studentë që kanë vendosur të bëhen deputetë.
Studentët e kanë organizuar procesin dhe kanë ndikuar në përzgjedhjen e kandidatëve. Në listë janë profesorë universitarë, mjekë, artistë, juristë, sportistë dhe personalitete të tjera publike.
Bartësi i listës është Ilija Srdanoviq, kardiolog dhe profesor universitar. Shumica e kandidatëve nuk kanë mbajtur funksione të larta shtetërore.
Kjo listë nuk është parti tradicionale politike. Nuk ka një figurë të vetme rreth së cilës sillet gjithçka.
Dhe, ndoshta, pikërisht kjo ka qenë njëra prej përparësive të saj në përballjen me Vuçiqin.
Mirëpo, ajo që ka qenë përparësi për t’i fituar zgjedhjet, mund të shndërrohet në vështirësi kur të vijë puna te qeverisja.
Sepse Lista e Studentëve është një përzierje njerëzish me pikëpamje të ndryshme.
Ka njerëz me orientim proevropian. Ka liberalë dhe konservatorë. Ka njerëz që kërkojnë lidhje më të forta me Perëndimin, por edhe të tillë që janë më të afërt me Rusinë.
Ata i ka bashkuar një kauzë: largimi i Vuçiqit dhe lufta kundër korrupsionit.
Por nuk është e thënë që të gjithë e kanë të njëjtin vizion për të ardhmen e Serbisë.
Tash vijmë te Kosova.
Çfarë mendojnë këta njerëz për neve?
Përgjigjja, së paku në këtë fazë, nuk është aq e këndshme sa mund të dëshirojë dikush.
Në platformën e tyre politike, Kosova vazhdon të konsiderohet pjesë e Serbisë.
Pra, në këtë pikë nuk kemi ndonjë ndryshim thelbësor nga pozicioni zyrtar që Serbia e ka mbajtur deri tash.
Lista e Studentëve nuk ka dalë para elektoratit serb me premtimin se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, ajo mbështetet në Kushtetutën serbe kur flet për statusin e Kosovës.
Kjo është një e dhënë që nuk duhet ta injorojmë.
Në politikën e jashtme, kjo listë ka deklaruar gjithashtu se nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë.
As ky nuk është ndonjë ndryshim rrënjësor nga politika e Vuçiqit.
Në raport me Bashkimin Evropian, ajo e konsideron të domosdoshëm bashkëpunimin me Brukselin, por anëtarësimin e Serbisë në BE e sheh si çështje për të cilën duhet të vendosin qytetarët në referendum.
Pra, kemi një lëvizje që kërkon ndryshime të mëdha demokratike brenda Serbisë, por që, të paktën deri tash, nuk ka paralajmëruar një revolucion të ngjashëm në politikën e jashtme.
Reklamë
Kjo nuk do të thotë që fitorja e saj nuk është e rëndësishme.
Përkundrazi.
Humbja e Vuçiqit është një zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme për rajonin.
Gjatë viteve të pushtetit të tij, Vuçiqi ka arritur të luajë një lojë politike ndërmjet Brukselit, Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit.
Ka kërkuar përfitime prej të gjithëve, pa u rreshtuar plotësisht me asnjërin.
Në të njëjtën kohë, qeverisja e tij është përballur me akuza të vazhdueshme për korrupsion, kapje të institucioneve, lidhje me krimin e organizuar dhe përfshirje në destabilizimin e rajonit.
Për Kosovën, largimi i një pushteti të tillë mund të hapë mundësi të reja.
Por nuk duhet t’i ngatërrojmë mundësitë me garancitë.
Sepse problemi i Serbisë nuk ka filluar me Aleksandar Vuçiqin.
Ai është shumë më i vjetër.
Në Serbi, nacionalizmi vazhdon të jetë një prej forcave kryesore të jetës politike. Strukturat e sigurisë, trashëgimia e shërbimeve sekrete dhe lidhjet e tyre me pushtetin janë probleme që nuk zhduken vetëm pse një parti i humb zgjedhjet.
Një problem tjetër është ndikimi i jashtëzakonshëm i Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike.
Sipas meje, Serbia nuk mund ta përfundojë transformimin e vet demokratik pa e vendosur një ndarje më të qartë ndërmjet pushtetit politik dhe autoritetit fetar.
Këto janë çështje shumë më të thella sesa fati personal i Vuçiqit.
Serbia pati një periudhë të shkurtër shprese në kohën e Zoran Gjingjiqit, kur dukej se vendi mund ta merrte një drejtim më liberal dhe më evropian.
Por ajo periudhë u ndërpre tragjikisht, me vrasjen e tij në vitin 2003.
Prej atëherë, Serbia nuk ka arritur ta ndërtojë një konsensus të qëndrueshëm rreth orientimit të vet politik dhe strategjik.
Tash e ka edhe një mundësi.
Mirëpo, nuk jam shumë optimist se gjithçka do të ecë lehtë.
Lista e Studentëve e ka një program me 11 pika, të përqendruar kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe reformimin e institucioneve. Por formimi i një qeverie dhe përkthimi i këtyre zotimeve në politika konkrete janë probleme krejt të tjera.
Është shumë më lehtë të bashkohesh kundër një njeriu sesa të pajtohesh se si do ta qeverisësh një shtet.
Çfarë do të ndodhë kur të fillojnë përplasjet për ministritë, për shërbimet e sigurisë, për raportet me Rusinë, për Kosovën dhe për Bosnjën?
A do ta ruajnë unitetin ata që deri sot i bashkonte kundërshtimi ndaj Vuçiqit?
Kjo mbetet për t’u parë.
Për ne në Kosovë, zhvillimet në Beograd duhet të jenë shumë të rëndësishme.
Është absurde me thanë që nuk na intereson se kush e qeveris Serbinë.
Natyrisht që na intereson.
Na intereson kush e kontrollon ushtrinë serbe, kush i kontrollon shërbimet sekrete dhe kush i merr vendimet për politikën e jashtme.
Na intereson çfarë raporti do të ketë pushteti i ardhshëm serb me Rusinë, me Evropën dhe me shtetet fqinje.
Por, në të njëjtën kohë, nuk kemi arsye të biem në eufori.
Sonte ka ndodhur një ndryshim i madh politik në Serbi. Vuçiqi ka pranuar humbjen. Studentët dhe kandidatët e mbështetur prej tyre kanë arritur një fitore që deri para pak kohësh dukej pothuajse e pamundur.
Por fitorja e tyre nuk është domosdoshmërisht fitore e një politike të re ndaj Kosovës.
Madje, nuk përjashtohet që disa prej njerëzve që do të marrin përgjegjësi në pushtetin e ardhshëm të kenë pikëpamje më të afërta me Moskën sesa vetë Vuçiqi.
Prandaj, shampanjën nuk ka nevojë ta hapim ende.
Sepse sonte kemi marrë vesh se kush i humbi zgjedhjet në Serbi.
Tash duhet të shohim çfarë do të bëjnë ata që i fituan.
Serbia nuk pushon së befasuari. Shpesh edhe për keq.
Burimi/Facebook


Leave a Reply