Ndryshimi fillon me dëgjimin dhe plotësimin e kërkesave të drejta të studentëve!
Shqipëria po përjeton një periudhë shqetësuese tensioni politik, institucional dhe shoqëror. Protestat e të rinjve në Tiranë, kërkesat për largimin e Kryeministrit, konfliktet politike, tensionet parlamentare, pakënaqësia ndaj reformave dhe mosbesimi ndaj institucioneve janë tregues të një problemi që shkon përtej përplasjes së zakonshme mes qeverisë dhe opozitës.
Në vlerësimin tim, Shqipëria sot po përballet me një krizë të dyfishtë: krizën e keqqeverisjes dhe krizën e funksionimit të sistemit politik.
E para lidhet me mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe me përgjegjësinë e shumicës qeverisëse për rezultatet e qeverisjes. E dyta lidhet me dobësinë e institucioneve, partive politike dhe mekanizmave demokratikë për të kontrolluar pushtetin, për të korrigjuar keqqeverisjen dhe për të prodhuar alternativa të besueshme.Këto dy kriza nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato ndërveprojnë, ushqejnë dhe thellojnë njëra-tjetrën.
Keqqeverisja vazhdon të prodhoi pakënaqësi dhe humbje besimi, ndërsa sistemi politik i pa fuqishem të korrigjojë atë dhe të krijojë kushtet për zgjidhjen e krizës.
Kriza e parë: Keqqeverisja dhe përgjegjësia e shumicës.
Kriza aktuale nuk lindi në vakuum dhe përgjegjësia për të nuk mund të shpërndahet në mënyrë të barabartë mes të gjithë aktorëve politikë.
Pas më shumë se 13 vitesh qeverisjeje nga Partia Socialiste, përgjegjësia kryesore politike për problemet e akumuluara në qeverisje i takon shumicës që ka ushtruar pushtetin.Arroganca ndaj qytetarëve, shqetësimet serioze për korrupsionin, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, dobësitë në ofrimin e shërbimeve bazë, reformat jofunksionale apo me rezultate të pamjaftueshme dhe premtimet e pambajtura, dhe kontrolli i çdo pushteti kanë ushqyer zhgënjimin dhe pakënaqësinë shoqërore.
Qytetarët nuk e vlerësojnë qeverisjen vetëm nga numri i ligjeve të miratuara, investimeve të shpallura apo reformave të ndërmarra. Ata e vlerësojnë nga cilësia e jetës, drejtësia, mundësitë ekonomike, shërbimet publike dhe besimi se institucionet veprojnë në interesin e tyre ne jetën e përditëdhme, aty ky blejnë me çmime më të shtrejnta se në vende të zhvilluara, aty ky trokasin për te kërkuar zgjidhje, që nuk e marrin, aty ku protestojnë për të drejta dhe marin padrejtësi etj.Kur këto pritshmëri nuk përmbushen, besimi dobësohet-qytetaret me të drejtë revoltohen dhe mbushin sheshet.Por kur pakënaqësia përballet me arrogancë, tallje, përbuzje dhe monologje dhe më e turpshmja përdorim të pajustifikuar të forcës, dhunës, ujit dhe gazit,kriza thellohet.
Mandati elektoral nuk është një çek i bardhë për ushtrimin e pushtetit dhe as imunitet ndaj llogaridhënies-kurrësesi çertifikate pushteti e perjetëshme.
Një qeveri mund të ketë shumicën parlamentare dhe njëkohësisht të përballet me krizë të besueshmërisë publike, dhe keto ndodhin kudo.Prandaj, përgjegjësia për krizën e keqqeverisjes duhet të kërkohet së pari te qeveria,e cila ka kompetencat, burimet dhe detyrimin për t’u përgjigjur për rezultatet e politikave të saj, jo me mendjemadhesinë e saj.
Kriza e dytë: Dobësia e funksionimit të sistemit politik
Problemi nuk përfundon te qeveria.Në një demokraci funksionale, ekzistojnë mekanizma që kontrollojnë pushtetin, korrigjojnë gabimet, ndërmjetësojnë konfliktet dhe mundësojnë ndryshimin demokratik të qeverisjes.Çfarë ndodh kur këta mekanizma dobësohen?
Kur Parlamenti nuk ushtron me efektivitet kontrollin mbi ekzekutivin, kur partitë politike nuk prodhojnë alternativa bindëse, kur institucionet perceptohen si të ndikuara politikisht dhe kur qytetarët nuk gjejnë përfaqësim të besueshëm, atëherë kriza e qeverisjes merr përmasa sistemike.Kjo është kriza e dytë që, sipas meje, po përjeton Shqipëria.
Ndaj është domosdoshmëri ndarja dhe ekuilibrit të pushteteve.Nëse njëri shkon te dhuna, tjetri duhet përdore mekanizmat për ta ndaluar.Në thelb, demokracia nuk është vetëm një mekanizëm për të zgjedhur qeverinë. Ajo është një sistem institucionesh dhe rregullash që kufizojnë pushtetin dhe mbrojnë qytetarin.
Problemi i Shqipërisë është modeli se si qeveriset ajo dhe nga kushnga njëra anë,por nga ana tjetër edhe sa efektivisht funksionojnë institucionet që duhet të kontrollojnë ata që qeverisin.
1-Partitë politike dhe kriza e përfaqësimit
Partitë politike janë shtylla themelore të demokracisë përfaqësuese. Ato duhet të organizojnë interesat shoqërore, të ndërtojnë alternativa programore dhe të krijojnë mundësi për konkurrencë të ndershme politike.
Por kur partitë shndërrohen në struktura të mbyllura, të përqendruara rreth liderëve dhe të orientuara më shumë drejt ruajtjes apo marrjes së pushtetit sesa përfaqësimit të interesit publik, ato humbasin një pjesë të funksionit të tyre demokratik me prirje drejt përqendrimit oligarkik të vendimmarrjes.Kjo dukuri ështe serioze në realitetin shqiptar.
Sot, pakënaqësisë qytetare vërtet dhe me të drejtë drejtohen ndaj qeverisë, por shoqërohet edhe me mosbesim ndaj klasës dhe partive tradicionale, mediava apo pjesëve të tjera të arkitetktures së këtij sistemi që lengon dhe në e quajm rëndomë tranzicion 35 vjecarë- qoftë ky viti fundit.
Qytetarët e kanë humbur besimin te qeveria dhe po kërkojnë të gjejnë alternativën e besueshme. Në këtë rast kriza e përfaqësimit politik thellohet.Megjithatë, përgjegjësitë nuk mund të barazohen. Qeveria mban përgjegjësinë kryesore për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe rezultatet e qeverisjes, ndërsa opozita ka përgjegjësinë të kontrollojë pushtetin, të përfaqësojë pakënaqësinë qytetare dhe të ofrojë një alternativë të besueshme qeverisëse- tani është rasti për reflektim.
2-Presidenti dhe Parlamenti: Kur institucionet duhet të dëshmojnë rolin e tyre
Në këtë situatë, nuk mund të lihet jashtë analizës as institucioni i Presidentit të Republikës.
Kushtetuta përcakton se Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Ky rol merr rëndësi të veçantë në periudha tensionesh dhe krizash politike.
Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive për të zgjidhur drejtpërdrejt krizën, por ka autoritetin institucional dhe moral për të nxitur dialogun, për të mbrojtur parimet kushtetuese dhe për të kontribuar në uljen e tensioneve.Barack Obama përdorte shprehjen e njohur “pen and phone” -penën dhe telefonin-për të përshkruar instrumentet e veprimit presidencial.Në realitetin shqiptar, Presidenti duhet të përdorë penën brenda kompetencave të tij kushtetuese, por edhe mikrofonin, fjalën publike dhe autoritetin moral të institucionit-për të denuar dhunën ndaj protestuesve.Presidenti nuk duhet të bëhet palë politike, por as ta ngatërrojë paanshmërinë me pasivitetin.Në periudha krizash si këto,heshtja e Kreut të Shtetit nuk ndihmon.
Po kështu, Parlamenti duhet të rikthehet në funksionin e tij themelor: përfaqësimin e qytetarëve, kontrollin e qeverisë, debatin mbi alternativat politike dhe prodhimin e zgjidhjeve.Një ligj mund zë presë për miratim, por një situatë si kjo në bulevard nuk pret as me minuta.
Një Parlament ku konfliktet dhe bllokimet pengojnë funksionimin normal demokratik nuk arrin të përmbushë plotësisht përgjegjësinë e tij ndaj qytetarëve, ai e ka humbur legjitimitetin qytetarë.
Institucionet nuk duhet të jenë spektatore të krizës. Ato duhet të jenë pjesë e zgjidhjes.
Protestat e të rinjve: Një sinjal që politika duhet ta kuptojë
Protestat e të rinjve në Tiranë duhet të shërbejnë si një moment reflektimi për të gjithë shoqërinë dhe klasën politike.Kur gjimnazistët, studentët dhe qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar drejtësi, dinjitet dhe një të ardhme më të mirë, institucionet kanë detyrimin t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen.Legjitimiteti demokratik lidhet ngushtë me debatin publik, pjesëmarrjen dhe komunikimin mes qytetarëve dhe institucioneve. Protesta, në këtë kuptim, nuk është kërcënim për demokracinë. Ajo është një nga instrumentet që qytetarët përdorin për të kërkuar funksionimin e saj.Përdorimi i pajustifikuar dhe joproporcional i forcës ndaj protestuesve duhet dënuar. Njëkohësisht, protesta duhet të ruajë karakterin paqësor dhe respektin për të drejtat e të tjerëve dhe sektorit privat.
Rinia shqiptare nuk është problemi që shteti duhet të menaxhojë. Ajo është një kapital njerëzor dhe demokratik që shteti duhet ta dëgjojë, respektojë dhe përfshijë në vendimmarrje.
Nëse politika nuk arrin ta kuptojë këtë mesazh, rrezikon të thellojë më tej hendekun mes qytetarëve dhe institucioneve.
Çfarë na mësojnë përvojat ndërkombëtare?
Historia politike europiane tregon se krizat e thella zgjidhen me dorëheqje, largime, ndryshime dhe shkuarje ne zgjedhje të parakoshme apo forma tjera që burojnë nga sistemi politik bazuar ne vullnet dhe integritet.Ndryshimi i qeverisë mund të jetë pjesë e zgjidhjes së krizës, por pa reformimin e institucioneve, partive dhe kulturës demokratike, problemet rrezikojnë të përsëriten.
Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re demokratike
Në vlerësimin tim, Shqipëria ka nevojë për një proces serioz kombëtar që të rikthejë funksionalitetin, integritetin dhe besueshmërinë e sistemit politik.
Ky proces duhet të përqendrohet në demokratizimin e partive politike, forcimin e kontrollit parlamentar, ushtrimin aktiv të përgjegjësive kushtetuese nga institucionet, depolitizimin e administratës, garantimin e konkurrencës së ndershme zgjedhore, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, vlerësimin e rezultateve të reformave, forcimin e decentralizimit dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
Një nismë e tillë mund të marrë formën e një Pakti Kombëtar për Funksionalitetin Demokratik dhe Integritetin Politik, do ta quaja unë, me përfshirjen e institucioneve, forcave politike, universiteteve, shoqërisë civile, të rinjve, studentëve dhe aktorëve të tjerë shoqërorë.
Jo një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, jo një kompromis për të mbrojtur interesat e elitave politike, por një angazhim për garantimin e funksionimit demokratik të shtetit.
Një marrëveshje ku askush nuk është mbi institucionet, ku pushteti kontrollohet dhe ku interesi publik mbizotëron mbi interesat partiake.
Kriza politike kërkon zgjidhje politike.Këtu qëndron thelbi i reflektimit tim.Një krizë politike nuk zgjidhet me forcë policore, propagandë, ndryshime administrative apo thjesht me ndryshim dhe miratimin e ligjesh e kodesh pa konsensusin publik.Ajo kërkon zgjidhje politike dhe përgjegjësi institucionale.
Shqipëria nuk ka nevojë për një cikël tjetër të pafund konfliktesh.Ajo ka nevojë për institucione që funksionojnë, parti që përfaqësojnë, drejtues që japin llogari dhe marrinpërgjegjësi dhe qytetarë që kanë besim se zëri i tyre dëgjohet.Kriza aktuale duhet të shërbejë si një moment reflektimi dhe ndryshimi demokratik.
Ndërsa dobësia e sistemit politik për ta kontrolluar, korrigjuar dhe për të prodhuar alternativa të besueshme dëshmon nevojën për reformim të thellë demokratik.
Kriza e keqqeverisjes kërkon përgjegjësi politike. Kriza e sistemit politik kërkon reformim demokratik. Zgjidhja e qëndrueshme kërkon të dyja.
Dhe mbi të gjitha, Shqipëria ka nevojë që politika t’i rikthehet misionit të saj themelor:Të prodhojë zgjidhje për qytetarët dhe të ardhmen e vendit, jo vetëm konflikte për pushtetin.
Ndryshimi duhet të fillojë sot. Dhe duhet të fillojë me studentët!
Burimi/Facebook


Leave a Reply