Ndërkohë që rrjetet sociale në Shqipëri shpërthyen nga euforia se “studentët do të bëjnë ndryshimin”, pak kush u ndal të kuptonte se çfarë kishin bërë realisht studentët serbë.
Lista Studentore ishte studentore në nismë, në frymë dhe në vendimmarrje, por jo në përbërjen e kandidatëve! Nga 250 kandidatë, asnjë student! Plot 160 prej tyre ishin doktorë shkencash. Profesorë universiteti, shkencëtarë, mjekë, juristë dhe profesionistë të fushave të ndryshme, të përzgjedhur nga vetë asambletë studentore. Në krye të listës, një profesor me publikime shkencore në revista ndërkombëtare prestigjioze.
Studentët nuk kërkuan karrige për vete. Ata kërkuan njerëzit më të përgatitur për vendin e tyre! Kjo është ajo që shumëkush nuk e kuptoi, ose nuk deshi ta kuptonte. Të rinjtë serbë nuk e ngatërruan energjinë e protestës me aftësinë për të qeverisur. Nuk e zëvendësuan meritën me entuziazmin, as profesionalizmin me popullaritetin.
Ata kuptuan se ndryshimi nuk vjen thjesht duke zëvendësuar një brez me një tjetër, por duke zëvendësuar mediokritetin me dijen, paaftësinë me kompetencën dhe servilizmin me integritetin. Dhe mbi të gjitha, ndryshimi nuk ndërtohet mbi plagjiaturën, titujt e pamerituar dhe diplomat që nuk dëshmojnë dije!
Prandaj, përpara se të brohorasim, të nxjerrim përfundime e të shpallim modele për t’u ndjekur, le të lexojmë, të mendojmë dhe të reflektojmë. Mësimi nuk është se studentët duhet të marrin pushtetin. Mësimi është se studentët mund të kenë pjekurinë të zgjedhin ata që e meritojnë përgjegjësinë e pushtetit. Studentët serbë, sipas këtij modeli, nuk zgjodhën moshën. Zgjodhën dijen, profesionalizmin, integritetin dhe aftësinë për t’i dhënë vendit një vizion të ri.
Po ne?! A jemi gati të zgjedhim meritën përpara militantizmit, dijen përpara diplomës dhe integritetin përpara interesit? Ndryshimi nuk bëhet me brohoritje. Dhe, mbi të gjitha, nuk bëhet me plagjiaturë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply