Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe më pritët, 36 i zhveshur dhe më veshët, i sëmurë dhe më vizituat, në burg dhe erdhët tek unë pèr tè mè gjetur. 37 Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen: ‘Zot, kur të pamë të uritur dhe të ushqyem, ose të etur dhe të dhamë për të pirë? 38 Kur të pamë si të huaj dhe të pritëm, ose të zhveshur dhe të veshëm? 39 kur të pamë të sëmurë dhe tè vizituam, kur tè erdhèm në burg pèr tè tè takuar? 40 Duke u përgjigjur, Mbreti u thotè atyre: ‘Në të vërtetë po ju them, çdo herè qè i keni bërë këto gjèra edhe vetèm njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë Mua.’ (Mateu 25:35-40)
Ky fragment nga Ungjilli i Mateut, i cili paraqet Gjykimin e Fundit, në një farë mënyre përmbledh jetën e një Shenjtoreje të madhe të kohës sonë: Shën Tereza e Kalkutës, e cila dedikoi jetën e saj për të varfrit në të gjithë botën. Kush janë të varfrit? Sigurisht, ka shumë njerëz të varfër sot që vuajnë nga uria dhe varfëria, që u mungon një shtëpi ose paratë për të mbijetuar; por një varfëri më e madhe, ende e pranishme sot, është varfëria e atyre që ndihen të padashur, të padëshiruar, të panjohur ose të pakuptuar. Lista në Ungjillin e Mateut, e cila rendit të uriturit, të eturit, të huajin, të zhveshurin, të sëmurët dhe të burgosurit, kujton veprat e mëshirës që çdo njeri është i thirrur të ndjekë në jetën e tij. Ajo që është mbresëlënëse në këtë fragment është se gjykatësi, Mbreti, e konsideron veten marrës të veprimeve të tilla: “Siç ia keni bërë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë Mua”. Ndihma e dhënë ose e refuzuar të varfërve është ndihma e dhënë ose e refuzuar vetë Jezusit. Biri i Njeriut, Mbreti, qëndron në solidaritet me të varfrit dhe identifikohet me ta.
Nënë Tereza shpesh përsëriste se të varfrit kanë nevojë së pari për Zotin, dashurinë e Tij të bërë të dukshme nga njerëzit që jetojnë pranë tyre, të cilët në thjeshtësinë e jetës së tyre shprehin dhe nxjerrin në pah fuqinë e dashurisë së krishterë. Zoti përdor shumë rrugë dhe mjete të pafundme për të arritur zemrat e njerëzve. Nënë Tereza pohonte: “Sigurisht, të varfrit na afrohen edhe sepse po u shpërndajmë ushqim, por ajo që ata vërtet kanë nevojë shkon përtej vaktit të ngrohtë ose sanduiçit që u ofrojmë. Të varfrit kanë nevojë për duart tona për t’i ngritur, zemrat tona për të ndier përsëri ngrohtësinë e dashurisë, praninë tonë për të kapërcyer vetminë. Ata kanë nevojë për dashuri, thjesht. Por në të njëjtën kohë, të varfrit na shpëtojnë sepse na lejojnë të takojmë fytyrën e Jezu Krishtit.”
Dashuria mund të krijojë mrekulli vërtet të paimagjinueshme dhe të jashtëzakonshme. Ftesa e Nënë Terezës për të gjithë ne është të duam pa u lodhur. Le të jemi gjithmonë llamba që digjen për të gjithë ata që takojmë në jetën tonë. Pikat e vajit që i mbajnë llambat ndezur janë gjërat e vogla të jetës së përditshme: besnikëria, një fjalë e mirë, një mendim i mirè për të tjerët, mënyra jonë e të parit, të folurit dhe të vepruarit në situatat e jetës.
Nënë Tereza i kushtonte rëndësi të veçantë heshtjes në lutje. Ajo gjithmonë dëshmonte se frytshmëria e veprimit të saj dhe e motrave të saj vjen nga ora e përditshme e adhurimit para Sakramentit të Shenjtë. Në heshtjen e meditimit, Nënë Tereza dëgjoi britmën e Jezusit në kryq të jehonte: “Kam etje.” Kjo britmë, thellë në zemrën e saj, e shtyu atë në rrugët e Kalkutës dhe në të gjitha periferitë e botës, duke kërkuar Jezusin tek të varfrit, të braktisurit dhe ata që po vdisnin.
Qeniet njerëzore kanë etje për dinjitet. Ne duhet ta mirëpresim butësinë e të tjerëve me butësi, duke ditur se të gjithë jemi qenie të plagosura, të prekshme dhe të brishta.
Nënë Tereza gjithmonë e bashkonte Eukaristinë dhe shërbimin ndaj të varfërve. Nga Eukaristia ajo shkoi tek të varfrit dhe nga të varfrit shkoi në Eukaristi. Kur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e prezantoi atë në OKB, duke e quajtur “gruan më të fuqishme në tokë”, Nënë Tereza u përgjigj duke thënë: “Unë jam vetëm një murgeshë që lutet”. Ajo shtoi: “Duke u lutur, Jezusi vendos dashurinë e tij në zemrën time dhe unë shkoj ta sjell atë tek të varfrit e botës, tek të varfrit që takoj”.
Në vitin 1979, e gjithë bota e njohu madhështinë e Nënë Terezës duke i dhënë asaj Çmimin Nobel për Paqen. Ishte një moment shikueshmërie planetare, një skenë që shumëkush do ta kishte përdorur për të lavdëruar veten.
Por jo Ajo. Nënë Tereza e pranoi çmimin “në emër të të uriturve, të pastrehëve, të padëshiruarve, të gjithë atyre që askush nuk i do”. Edhe para të fuqishmëve të botës, gazetarëve dhe kamerave të botës, Ajo mbeti thjesht Ajo që kishte qenë gjithmonë: një murgeshë e vogël që donte t’i jepte Jezusit “një dashuri pa kufij”.
Gjatë fjalimit të Saj të pranimit, ajo foli për Shenjtërinë e Jetës, për dashurinë për të palindurit, për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore. Fjalët e saj ishin të pakëndshme për shumë njerëz, por ajo nuk po kërkonte vlerësime botërore. Ajo thjesht po përpiqej të ishte besnike ndaj zërit që kishte dëgjuar në atë tren dyzet vjet më parë.(Kur iu pèrgjigj thirrjes sè Zotit)
Më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku shenjtëroi Nënë Terezën e Kalkutës para qindra mijëra besimtarëve të mbledhur nga e gjithë bota. Ishte shenjtërimi zyrtar i asaj që populli i Zotit e kishte ditur prej kohësh: ajo murgeshë e vogël shqiptare ishte vërtet një Shenjtore.
Shën Nënë Tereza e Kalkutës mbetet sot një pikë referimi për të gjithë ata që dëshirojnë ta jetojnë Ungjillin në formën e tij më të pastër dhe më radikale: dashuri konkrete për ata që nuk kanë zë, butësi për të refuzuarit dhe rikthim të dinjitetit për ata që e kishin humbur atë.
Qoftè lèvduar Jezu Krishti!
E Shènjta Nènè Tereza e Kalkutès – Gonxhe Bojaxhiu, lutu pèr ne qè tè drejtohemi Ty!
Lavdi Atit, e tè Birit, e Shpirtit tè Shenjtè!💖
Amen


Burimi/Facebook


Leave a Reply