Kisha kohë që nuk e kisha vizituar Spitalin e Traumës, aty ku kam shërbyer si mjek një jetë të tërë..
Sot më kishin ftuar për një kafe në Laprakë ca miqtë e mi, po kur mbrita tek hyrja e spitalit, dëshira për tu takuar me kujtimet e mia që ende gjenden aty, më shtyu instiktivisht drejt derës së urgjencës.
Pas kësaj dere është një jetë e tërë jetuar mes sfidave, sakrificave dhe dhimbjesh.
Shkrepa një foto, sa për për ta bërë pjesë të kujtimeve dhe u ktheva tek lokali ku po më prisnin…
Biseda që ndaj me miqtë në kafe është e çmuar për mua…dhe si ngaherë edhe sot më mbytën me pyetje…
Dok, çmendim ke për jetën më pyeti Landi, një nga miqtë e mi më gazmorë, teksa po shijoja kafen…?
Jeta ka mënyrën e saj të heshtur për të na mësuar. Shpesh, në çastet kur besojmë se gjithçka do të vazhdojë qetësisht, gjendemi përballë një sfide të vështirë që na fton të zbulojmë sa kurajë kemi për të përqafuar ndryshimin.
Të ka pëlqyer të ndjekësh turmën apo….?
Sa herë jam gjendur në anën e shumicës, kam ndalur për një çast, dhe kam zgjedhur të ecë në një tjetër drejtim.
A të janë dashur vite për tu ndjerë i pavarur ?
Vitet më kanë mësuar se pjekuria nuk matet me fitoret tona, por me paqen që arrijmë të bëjmë me gjërat që nuk mund t’i ndryshojmë, me guximin për të ndryshuar ato që varen prej nesh dhe me mençurinë për të dalluar kufirin mes të dyjave.
A të kanë penguar në rrugën tënde?
Absolutisht po, por edhe kur ka ndodhur, kam zbuluar se njeriu mban brenda vetes një forcë që zgjohet kur rrugët duken të mbyllura.
Edhe kur humbja më ka qëndruar pranë si një hije, kam zgjedhur të guxoj.
Dhe, pikërisht në ato çaste kam fituar atë që kishte më shumë vlerë.
Kam ecur edhe zbathur nëpër rrugë të shtruara me dhimbje.
Kam parë plagë që mbuloheshin me buzëqeshje dhe buzëqeshje që fshihnin hipokrizi.
Por as humbja dhe as dhimbja nuk arritën të më bëjnë të urrej.
Dok çfarë gjëje të lëndon më shumë…?
Mosmirënjohja dhe humbja e besimit tek ata që kam besuar më shumë
Të pëlqen vetmia?
Kur zgjodha të qëndroja vetëm me veten, zbulova mikun më besnik që kisha kërkuar prej kohësh.
Kam kuptuar se njeriu që respekton veten nuk mund të ndihet inferior, përveçse nëse ia dorëzon vetë këtë të drejtë dikujt tjetër.
Pse nuk je pëfshirë në politikë.?
Unë kam qënë tridhjetë vjet mjek ushtarak, por edhe kur dola në rezervë, zgjodha të qëndroj larg zhurmës së politikës, larg etjes për pushtet dhe magjisë së rreme të parasë.
Dok çmendim ke për paranë?
Sa herë që më janë dashur më kanë munguar, dhe ndonjëherë kur kam patur ndonjë lekë më ka sjell probleme.
Pse beson se thjeshtësia është mënyra më e bukur për të jetuar?
Sot, më shumë se kurrë, besoj se thjeshtësia është forma më fisnike e mençurisë.
Pse të pëlqen të qëndrosh me njerëz të thjeshtë, kështu si ne, shtoi Landi për herë të fundit duke qeshur…
Zakonisht, njerëzit që kanë më pak, janë ata që japin më shumë. Ndoshta nga që e dinë ç’do të thotë të kesh pak.
Ndodh jo rrallë që njerëzit që nuk kanë tituj, dinë më shumë se ata që i kanë
Ndoshta nga jeta kanë mësuar më shumë se nga librat.
Mendoj se njerëzit e vuajtur janë më shpirtmirë.
Ndoshta nga që një zemër e plagosur di si të mos u shkaktojë dhimbje të tjerëve.
Edhe nga një pije nga unë shtoi Landi që ta mbyllim tavolinën për sot.
Të gjithë ne të tjerët nuk gjetëm arsye të refuzojmë bujarinë e tij…
Burimi/Facebook


Leave a Reply