
TIRANE – Rëndohet bilanci i vrasjes të ndodhur gjatë mbrëmjes së sotme në kryeqytet. Sokol Andrea, i cili mbeti i plagosur, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Tiranës rreth orës 23:10, tre orë pasi u qëllua me armë zjarri nga Ardian Ndreko. Sokol Andrea 42 vjeç ishte drejtues i automjetit me të cilin udhëtonte dhe autori i ngjarjes, Ardian Ndreko dhe Iglend Hazhialliu, rreth të 30-ave i cili gjeti vdekjen e menjëhershme nga plumbat e marrë.
ARRESTIMI I AUTORIT
Arrestohet nga polica Ardian Ndreko, autori i vrasjes së Iglend Haxhialiut dhe plagosjes së Sokol Andrea, mbrëmjen e sotme, teksa udhëtonin të tre në të njëjtën makinë, pranë kryqëzimit të Tiranës së Re në kryeqytet.
Vënia në pranga e tij u bë në Mamurras në afërsi të Laçit, rreth orës 22:50. Autori do të sillet në Tiranë ku do të merret në pyetje nga grupi hetimor i ndërtuar nga oficerë të Policisë gjyqësore, si dhe prokurori i ngjarjes.
Menjëherë pas ngjarjes autori u largua nga makina, ndërsa policia bëri të mundur identifikimin e tij nëpërmjet kamerave të sigurisë të vendosur në zonën ku ndodhi ekzekutimi, te kryqëzimi i Tiranës së Re.
Dyshimet e para nga hetimet e kryera deri tani, bëjnë të ditur se 36 mijë euro është shifra e borxhit mes autorit dhe dy personave të tjerë, ndërsa dyshohet të jetë për pazare droge.
NGJARJA
Një vrasje me armë zjarri është shënuar në orët e mbrëmjes së sotme (rreth orës 20:00) në kryeqytet te kryqëzimi i Tiranës së Re, ku lidhet me zonën e Selitës ose te stacioni i fundit i Tiranës së Re, si pasojë e së cilës ka gjetur vdekjen një person ndërsa një tjetër është plagosur.
Një konflikt për pazare droge mes tre personave të cilët udhëtonin së bashku në një makinë, dyshohet të ketë qenë shkaku i vdekjes së njërit prej tyre, dhe plagosjes rëndë të tjetrit.
Andrea Ndreko është identifikuar nga policia përmes kamerave të sigurisë të vendosura në rrugët e kësaj zone si autor i kësaj ngjarjeje. Pas debatit, që dyshohet se ka nisur për pazare droge me dy shtetasit e tjerë me të cilët udhëtonte në makinë, Ndreko ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar kundrejt Iglend Haxhialiu (pasagjer) dhe Sokol Andrea (drejtuesi i automjetit).
Si pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme Iglend Haxhialiu rreth të 30-ave, ndërsa është plagosur rëndë Sokol Andrea 42 vjeç. 42-vjeçari është dërguar nga forcat e policisë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas bluzave të bardha gjendja e tij shëndetësore paraqitet kritike për jetën.
Sipas gazetarit të televizionit A1Report, Arsen Rusta, pasi ka qëlluar me armë, e cila mësohet se është e tipit pistoletë të pajisur me silienciator, autori është larguar nga makina. Sipas informacioneve paraprake, mendohet se Ndreko është ndihmuar nga disa persona të tjerë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se autori të jetë larguar për në rrugën e brendshme të këtij kryqëzimi që njihen si “Vilat e Selitës”.
Policia ka ndaluar automjetin tip “Mazda” me targa TR9205S me të cilin udhëtonin personat e përfshirë në ngjarje, ndërsa pak çaste më vonë karrotreci i Policisë së Shtetit ka lëvizur automjetin, pasi u mor nga ambulanca e morgut edhe trupi i Iglend Haxhialiu, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme.
*Foto ambulanca duke transportuar të plagosurin Sokol Haxhialiu drejt Spitalit Ushtarak (Sjellë në redaksinë e Shqiptarja.com nga një qytetar përmes rubrikës RAPORTONI JU)
(Shkrimi u publikua fillimisht në orën 20:00 dhe u përditësua në orën 23:15 të datës 1 dhjetor)
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply