“Historia nuk do t’i kujtojë ata që bllokuan shtetin, por ata që gjetën guximin ta zhbllokojnë atë.”
Albin Kurti, si fitues i zgjedhjeve, duhet ta tejkalojë kokëfortësinë e humbësve. Duhet t’i ftojë në takim dhe t’u thotë: “Ejani, rrini në Parlament dhe, nëse është e nevojshme, merrni edhe më shumë se sa ju takon, por mos e mbani peng atdheun. Ta ndërtojmë bashkë shtetin dhe të mos ua bëjmë qejfin Serbisë dhe armiqve të Kosovës.”
Historia na mëson se edhe kundërshtarët më të mëdhenj politikë mund ta shtrijnë dorën e pajtimit kur mbi gjithçka vendosin interesin e shtetit.
Ibrahim Rugova, kur ishte në pyetje interesi i Kosovës, i linte mënjanë përplasjet politike. Edhe pse e dinte se kush qëndronte pas vrasjeve dhe atentateve ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe ndaj vetë atij, ai gjente forcën t’ua shtrinte dorën e pajtimit kundërshtarëve politikë, sepse nuk dëshironte që Kosova të humbiste për shkak të përçarjeve.
Edhe sot, kur institucionet vazhdojnë të mbeten të bllokuara, do të ishte në interes të Kosovës që të gjitha palët të gjenin forcën për dialog dhe bashkëpunim.
Sipas mendimit tim, ata që po e bllokojnë krijimin e institucioneve jan opozitaret,me veprimet e tyre po e dëmtojnë interesin e vendit, ndërsa përgjegjësia e çdo lideri duhet të jetë funksionimi i shtetit para interesave partiake.
Kur është në pyetje interesi i shtetit, partitë politike nuk duhet të mbajnë rivalitete kaq të ashpra mes vete. Situata e tanishme është një dëshmi se bllokada institucionale po e dëmton atdheun.
Përgjegjësinë për këtë e mbajnë edhe ata që nuk po lejojnë zhbllokimin e institucioneve.
Albin Kurti është në një pozitë që, sipas bindjes sime, t’u tregojë atyre që po bllokojnë institucionet se si ndërtohet demokracia dhe si mbrohet shteti. Liderët politikë nuk janë të detyruar të mendojnë njësoj, por janë të obliguar t’i shërbejnë të njëjtit shtet.
Mospajtimet janë pjesë e demokracisë, por bllokimi i institucioneve nuk i shërben askujt. Kur qytetarët presin zgjidhje, politika duhet të prodhojë përgjegjësi dhe bashkëpunim, jo ngërç institucional. Në fund, interesi i Republikës së Kosovës duhet të jetë mbi çdo interes partiak.
Prandaj, është koha që liderët e Kosovës t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit, të ulen në një tavolinë dhe të ndërtojnë institucionet që kanë mbetur të bllokuara prej gati dy vjetësh. Nuk ka fitues kur shteti mbetet peng i mosmarrëveshjeve politike; fitues është vetëm ai që i shërben interesit të Republikës së Kosovës.
Historia i kujton me respekt ata udhëheqës që dinë të lënë mënjanë krenarinë personale për hir të vendit. Edhe Kosova sot ka nevojë për këtë pjekuri politike: më pak hasmëri, më shumë dialog; më pak përplasje, më shumë bashkëpunim; më pak interesa partiake, më shumë përgjegjësi shtetërore.
Në fund të fundit, qytetarët nuk i zgjedhin udhëheqësit për t’i parë të përçarë, por për t’i parë të bashkuar kur është në pyetje e ardhmja e shtetit. Dora e shtrirë për pajtim nuk është shenjë dobësie; është shenjë burrështetësie dhe përgjegjësie ndaj Kosovës.
Burimi/Facebook


Leave a Reply