Hasan Kryeziu nga Prizreni ka 22 vite i humbur. Mendohet se eshte ne Troyes te Frances dhe ka perfunduar endacak. I’u lutem shqiptareve atje te na ndihmojne qe ai te kontaktoje me vajzen…
Hasan Abdyl Kryeziu
Datëlindja: 25-03-1964
Vendlindja: Prizren – Kosovë
Gjurmët e Fundit: shkurt 1994 nga Hollanda
Aktualisht mendohet se jeton në qytetin Troyes të Francës
Hasan Kryeziu ka lindur në Prizren të Kosovës dhe një pjesë të jetës e ka kaluar aty e një pjesë në Beograd duke qenë se nëna e tij Cveta ishte prej andej. Rreth vitit 1985 ai martohet me Kimeten dhe sjellin në jetë fëmijën e vetëm, vajzën Luljeta. Mbas dy vitesh martese çifti divorcohet. Luljeta u rrit nën kujdesin e gjyshërve, prindërve të Hasanit dhe vetëm në moshën 12 vjeçare mori vesh se kush ishte babai i vërtetë i saj. Megjithëse jetonin në një shtëpi me Hasanin, Luljeta kujtonte se ai ishte vëllai i saj dhe jo i ati.
Fill pas divorcit me gruan e parë, Hasani martohet sërish me Enerën dhe pati dy fëmijë, vajzë e djalë. Fatkeqësisht të dy fëmijët e tij gjetën vdekjen kur ishin ende të vegjël: vajza 1 muajshe dhe djali kur ishte 8 muajsh.
Nga kjo gjw, Hasani pësoi një depresion të thellë dhe u detyrua ta ndante gruan
5-6 muaj pasi i vdiq djali. Përpara kësaj ai shkonte shpesh herë në emigracion, kryesisht në Gjermani. Atje qëndronte 2-3 muaj dhe kthehej sërish, me shpresën se do të mblidhte të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjen.
Pasqyrimin e gjithë vuajtjeve shpirtërore të tij dhe emigracionin ai kishte nisur ta shfaqte nëpermjet një ditari, i shkruajtur në gjuhën boshnjake. Aty thoshte se ishte i mërzitur nga gjërat që i kishin ndodhur, vdekja e fëmijëve, divorcet etj. Por aty ka patur dhe një adresë e cila mendohet të ketë qenë vendqëndrim i tij në Wuppertal të Gjermanisë gjatë kohës kur vente dhe vinte apo mund të ketë qenë adresë e ndonjë miku.
Në datën 25 korrik 1992, Hasan Kryeziu niset në drejtim të Hollandës. Në atë kohë Luljeta ishte fare e vogel, 6-7 vjeçe. Në shkurt të vitit 1994 ai dergon letrën e parë dhe të fundit për familjen e tij ku u thoshte se ishte shëndosh e mirë dhe se po mundohej të mblidhte para dhe mbase të rikthehej sërish në Kosovë. Kjo ka qene hera e fundit që familja (nëna dhe vajza) kane marrë lajm nga Hasani.
Në familjen Kryeziu vinin vazhdimisht thashetheme nga njerëz të ndryshëm se Hasani ishte parë në Gjermani sërish, se mund të kishte përfunduar në burg për mungesë dokumentacioni etj. por asnjëherë nuk u vërtetuan thënie të tilla.
Në muajin maj 2001, një punonjës i Kryqit të Kuq francez në Prizren i quajtur Petrit, shkon në familjen Kryeziu dhe u thotë atyre se Hasani ishte interesuar për ta nga qyteti Troyes i Francës. Ai kishte dashur të informohej nëse ishin gjallë familja e tij pasi druhej mos kishin pësuar gjë gjatë luftës së Kosovës. Nëna dhe vajza i shkruajnë një letër me dy – tre fjali, mes tyre dhe numrin e telefonit të shtëpisë. Pritën për një kohë të gjatë që t’u vinte një përgjigje nga Hasani por ai nuk shkruajti. Më vonë, nëna dhe vajza e tij ndërruan shtëpinë dhe nuk e dispononin më atë numër ku mund ti merrte Hasani. Nga viti 2010 nëna e Hasanit u nda nga jeta me një brengë të madhe në zemër, që nuk arriti ta shohë djalin e saj sa ishte gjallë.
Në vitet e fundit është mësuar nga shqiptarë të shumtë se Hasan Kryeziu mund të jetojë sërish në qytetin Troyes të Francës por tashmë si endacak rrugëve. Mendohet se aty Hasani ka patur probleme të theksuara psikologjike e të tjerë pohojnë se ai mund të ketë qenë dhe në spital psikiatrik. Shqiptarët thonë se ky person është vërtetë Hasan Kryeziu nisur nga fotoja, trupi shumë i gjatë i tij, mustaqet, fakti që flet gjuhën serbo-kroate etj. E gjitha kjo gjendje e rënduar psikologjike dhe ekonomike i është shkaktuar nga hallet e shumta dhe disfatat në jetë. Një tronditje të madhe thuhet se e ka marrë gjatë luftës së Kosovës ku ka menduar se familja e tij është vrarë.
Në fakt nga gjithë njerëzit që ka patur, sot i ka mbetur vetëm vajza e tij e cila asnjëherë nuk rresht së kërkuari babain e saj.
Nëse keni ndonjë informacion për ta, ju lutemi të na kontaktoni në inbox ose të dërgoni email në adresën: gjurmetejetes@gmail.com
Anonimati juaj do të ruhet plotësisht!


Leave a Reply