Ishte një ditë e nxehtë gushti e vitit 1991, kur Adrian Kokphi vendosi të rrezikojë gjithçka.
Bashkë me dy shokë u ngjit në bordin e një kamioni rrangallë, të mbushur plot me shqiptarë në kërkim të një jete më të mirë, në mes të kaosit të atij vendi të paqendrueshëm në atë kohë.
Udhëtoi për 50 kilometra mbi kofanon e kamionit, i kapur tek një fener. Kurrë nuk kishte parë diçka kaq të mbushur me njerëzit, derisa mbërriti në qytetin-port të Durrësit.
Atje, 40 metra larg bregut, anija ‘Vlora’ ishte mbushur plot e përplot- 20 mijë shqiptarë të ngjeshur kishin zënë çdo centimetër.
Ishte një torturë, por ishte më mirë se në Shqipëri, ku i gjithë vendi po shpërthente.
Kokphi, 22 vjeç, ëndërronte për një jetë më të mirë në Itali. U hodh në ujë dhe nisi të notonte.
Ai humbi një këpucë, por nuk kishte kohë që që të kthehej.
Ndërkohë që tymi nisi të dalë dhe motorët e anijes u vunë në punë, i riu kapi një shkallë dhe u ngjit.
Kur mbërriti në majë, e kuptoi se nuk kishte vend për të.
Anija lundroi në Kanalin e Otrantos, ndërsa ai mbahej tek shkalla përgjatë shumicës së udhëtimit.
“Ishte një kohë e gjatë duke lundruar, ishte një torturë,” kujton 46-vjeçari.
“Ishim të paketuar si sardele, por secili kishte ëndrra, ëndrra të ndryshme”.
Pamjet e udhëtimit të anijes “Vlora” janë rishfaqur në median sociale këtë javë, por historia është krejt ndryshe.
Fotot i janë bashkëngjitur një historie për Luftën e Dytë Botërore.
Autorët shkruajnë se emigrantët po arratiseshin nga Europa për në Afrikë.
Kjo është false, por fotot janë shpërndarë mijëra herë pavarësisht kësaj.
Kokphi thotë se është koha që njerëzit të dëgjojnë historinë e vërtetë, atë që i ndryshoi jetën përgjithmonë.
***
Gjërat po ndryshonin në Shqipëri në vitin 1991 dhe jo për mirë.
Zgjedhjet lanë në pushtet Partinë e Punës, të mbështetur nga komunistet, por një qeveri koalicioni u formua shumë shpejt.
Ndryshimet sollën trazira sociale.
Kokphi thotë se Shqipëria po shpërthente.
“Gjithçka po mbyllej, i gjithë vendi. Ekonomia kaloi në kolaps, fabrikat u mbyllën, nuk kishte asgjë për të bërë. Nuk shihnim të ardhme aty”.
Pasuan largimet masive në portet e Adriatikut dhe turma të mëdha mblidheshin për të hipur në anijët e tejngarkuara.
Këtu nis historia e zotit Kokphi.
Në bord, ai thotë se nuk merrje dot frymë. Kishte njerëz me armë dhe pa ushqim, ujë apo strehë.
“Nuk kam parë kurrë kaq shumë njerëz. Zoti im. Anija ishte e mbushur plot”.
Ai nuk e mban mend mirë se sa u desh për të mbërritur në portin italian të Barit.
Të dhënat zyrtare thonë se u deshën më shumë se 36 orë, por duhej të kishte qenë një jetë e tërë.
Kur anija u ankorua, ishte një kaos total.
“Njerëzit hidheshin nga anija dhe përdornin litare për të dalë. Policia ishte kudo, por nuk ishin gati për ne. Nuk kishte shans kaq shumë sa ishim ne”.
Shumë u arratisën në Itali, të tjerët qëndruan aty për tu regjistruar.
Ishte një udhëtim i gjatë dhe i tmerrshëm, që përfundoi në një stadium futbolli të mbushur plot, pa ushqim dhe pa rend.
***
Rreth 20 mijë njerëz u transportuan në stadiumin e zbrazur. Atje, ata prisnin regjistrimin duke e ditur se do ktheheshin në Shqipëri të gjithë.
Brenda stadiumit, secili punonte në kokë të vet.
Kokphi thotë se gjithçka shkonte keq.
“Italianët na sillnin ushqim dhe tavolina dhe siguroheshin që gratë e fëmijët të ushqeheshin të parët. Disa njerëz e humbën durimin”.
“Ata nisën të shtyheshin dhe gjithçka doli nga kontrolli. Një burrë me uniformë shtyu dikë. Ky djali u zemërua dhe shkoi në dhomë, kapi një copë dru dhe e goditi burrin me uniformë me forcë sikur të ishte një top bejsbolli. Ai u shemb përtokë”.
Pas kësaj, policia u largua dhe ushqimi u hidhej me helikopter.
Në një pikë, u dëgjuan të shtëna dhe të gjithë vrapuan për tek njëra anë e shkallëve. Ato u shembën.
Kokphi tha se donte të regjistrohej, por një vendim i qeverisë për të kthyer këdo në Shqipëri, nuk i la zgjedhje.
Ai tha se ai dhe të tjerët u trajtuan me respekt dhe dashuri nga njerëzit që takuan, pavarësisht raportimeve.
Por ky nuk ishte fundi i udhëtimit për të. Kokphi u kthye në Shqipëri për të përfunduar vitin e pestë të universitetit, përpara se të fitonte një punë në Kanada.
Ai tani jep mësim në një gjimnaz, është i martuar dhe jeton i lumtur në Toronte.
Ai pranon se ishte e vështirë të bëhej pjesë e komunitetit në fillim, por ishte i vendosur për të përqafuar vlerat kanadeze dhe është i lumtur në shtëpinë e tij të re.
MAPO.AL
Leave a Reply