
GULEX do të përqendrohet në një mënyrë më të efektshme për të luftuar korrupsionin e përhapur gjerësisht e krimin e organizuar në Kosovë.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë
Raporti i Gjykatës Evropiane të Kontrollorëve tha se EULEX nuk ka qenë aq i efektshëm. [AFP]
EULEX është dakort me shumicën e një raporti të fundit nga Gjykata Evropiane e Kontrollorëve (ECA) që arrin në përfundimin se ndihma e misionit në Kosovë nuk është aq e efektshme.
Zyrtarët kanë trajtuar tashmë disa rekomandime, sipas Blerim Krasniqit, zëdhënës i misionit.
“Misioni është zgjatur deri më 2014 e rikonfiguruar për të përmirësuar shpërndarjen e burimeve e bashkërendimin,” i tha Krasniqi SETimes.
Sipas raportit, ndihma ndaj gjyqësorit e policisë së Kosovës ka arritur vetëm sukses modest.
“Nivelet e organizimit të krimit e korrupsionit në Kosovë mbeten të larta. Gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrja politike, mungesa e efektshmërisë e një mungesë transparence e zbatimi,” tha ai.
Krasniqi argumentoi megjithatë se misioni vazhdon të hetojë e të ndjekë penalisht zyrtarë të lartë, ish-komandantë të kohës së luftës, tregtarë e shërbime të informacionit.
“Qindra hetime në vazhdim, mbi 300 vendime në rastet penale e civile, 23,000 pretendime të zgjidhura konfliktesh lidhur me pronën e mbi 300 eshtra njerëzore të personave të humbur të kthyera familjeve të tyre provojnë gjithashtu ndikimin e misionit,” tha ai.
“[EULEX gjithashtu] ka vepruar si një aktor ndalues e parandalues, duke çaktivizuar gjendjet që përndryshe do të kishin shpërthyer në konflikte,” shtoi Krasniqi.
Por Betim Musliu, i Institutit të Drejtësisë së Kosovës, tha se raporti vlerësoi përshtatshmërisht mangësitë kryesore të EULEX-it.
“Ka dykuptimësi lidhur me qëllimet e misionit të EULEX-it në Kosovë … veprimet e tij ndonjëherë janë konsideruar politike, larg nga nxitja e standarteve evropiane,” i tha Musliu SETimes.
Korrupsioni i gjerë e krimi i organizuar në Kosovë nuk mund të luftohet me sukses duke krijuar një sistem të dyfishtë, vendor e ndërkombëtar, duke patur një prokuror shteti të Kosovës e një prokurori të EULEX-it, tha ai.
“Së pari ata arrestojnë njerëz, pastaj nisin hetimet e në fund dështojnë të sigurojnë provat e nevojshme,” tha Musliu lidhur me atë se ç’farë konsideron të jetë mangësia kryesore e EULEX-it.
Aftësia e kufizuar i Kosovës për të mbrojtur dëshmitarë kryesorë e vështirësitë e rivendosjes së dëshmitarëve jashtë vendit janë mangësi të rëndësishme, tha raporti e vuri në dukje se pothuajse nuk ka patur përparim në vendosjen e shtetit të së drejtës në Kosovën e veriut.
Raporti ofroi gjashtë rekomandime, duke përfshirë nevojën për arritje të caktuara për qëllimet e shtetit të së drejtës për Kosovën, një strategji të largimit të EULEX-it, dialogë policorë mes BE-së e institucioneve të Kosovës të përqendruar në forcimin e shtetit të së drejtës e lidhjen e stimujve e kushteve përparësore.
“ECA shpreson se përfundimet e rekomandimet do të përfshihën në përfundimet e [takimit] të Këshillit të Evropës të 14 dhjetorit,” i tha SETimes Aidas Palubvinskas, zyrtar i shtypit për ECA-n.
Kosova është marrësja më e madhe e ndihmës financiare për frymë të BE-së në botë dhe ka marë pothuajse pesë miliardë euro që më 1999.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Drejtësia dhe zbatimi i ligjit Politikë
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply