Si sot, një vit më parë, “trojka” (bashki, sindikatë dhe politika) e mbledhur nën një urë të autostradës, pranë Spaçit, i dha fund grevës më shumë se njëmujore të minatorëve të TETES.
Sot, pas një viti, ka kaluar kohë e mjaftueshme për të mos u mjaftuar më me kujtimet, deklaratat dhe fotografitë e asaj dite. Është koha për të bërë disa pyetje, qoftë miqësore për transparencë të munguar nga ai moment. Jo vetëm për atë që nuk u tha, por për atë që u bë. Jo për atë që u premtua, por për atë që u realizua.
Dhe pyetjet janë të pashmangshme:
– CILI ISHTE ROLI REAL I “TROJKËS” NË PËRFUNDIMIN E GREVËS?
Çfarë ndodhi realisht nën urën pranë Spaçit?
Si shpjegohet që bashkia, sindikatat dhe politika, të cilat në atë periudhë shfaqeshin, të paktën në dukje, në qëndrime të përbashkëta kundërshtuese ndaj TETES, pra në krah të minatorëve, u gjendën papritur në një qëndrim të përbashkët të dhe, sa hap e mbyll sytë, i dhanë fund një greve më shumë se njëmujore?
Kush e mori nismën, kush negocioi dhe mbi çfarë marrëveshjeje u mbyll greva?
A ishte ky një përfundim i negociuar në interes të minatorëve apo thjesht një ndërhyrje për t’i dhënë fund protestës?
– KU PËRFUNDUAN DHJETË KËRKESAT E MINATORËVE?
A u zgjidh qoftë edhe njëra prej dhjetë kërkesave që minatorët parashtronin me këmbëngulje?
Cila prej tyre u pranua, cila u realizua dhe cila mbeti vetëm në nivelin e premtimeve?
Nëse greva u mbyll në emër të një zgjidhjeje, ku është sot kjo zgjidhje? Dhe, nëse kërkesat nuk u plotësuan, mbi ç’bazë iu kërkua minatorëve të ndërprisnin grevën?
– KUSH I MBROJTI MINATORËT PAS PËRFUNDIMIT TË GREVËS?
Pse, pas ndërprerjes së grevës, minatorët u lanë në mëshirë të TETES? Pse 17 prej tyre nuk u rikthyen më në vendet e punës?
Çfarë garancish konkrete morën nga bashkia, sindikatat dhe përfaqësuesit politikë që ndërhynë për mbylljen e grevës?
Kush duhej të garantonte rikthimin e tyre në punë dhe kush mbante përgjegjësi për respektimin e këtyre garancive?
Apo ndërhyrja e “trojkës” përfundoi pikërisht në çastin kur minatorët lanë grevën?
– A U PRENË NË BESË MINATORËT DHE KUSH MBAN PËRGJEGJËSI PËR KËTË?
Një vit më pas, një pjesë e minatorëve më aktivë të grevës janë ende pa punë, ndërsa të tjerë janë detyruar të punësohen pranë nënkontraktorëve me lidhje indirekte me minierën. A ishte ky realiteti që u premtua kur u ndërpre greva?
A e dinin ndërmjetësuesit se çfarë i priste grevistët pas kthimit në punë? Nëse po, pse nuk ndërhynë?
Nëse jo, pse nuk kërkuan garanci të dokumentuara përpara se t’u kërkonin minatorëve të hiqnin dorë nga greva?
Dhe, mbi të gjitha, a mund të quhet përfundim i suksesshëm i një greve një proces që i la pikërisht ata që e udhëhoqën atë në pasiguri dhe papunësi?
– PO ORGANIZATORËT, A KANË PËRGJEGJËSI PËR MËNYRËN SI U ADMINISTRUA KJO GREVË?
A ishte prioriteti i tyre mbrojtja e dhjetë kërkesave dhe e të drejtave të minatorëve, apo menaxhimi mediatik i protestës?
Pse u kujdesën më shumë të krijonin imazhin e një greve përballë kazanëve të makaronave, sesa të komunikonin qartë karakterin e saj të ligjshëm dhe të drejtë? Pse vëmendja publike u zhvendos nga thelbi i konfliktit te spektakli mediatik, deklaratat dhe protagonizmi personal?
Kush përfitoi nga ky ekspansion mediatik dhe kush mbeti në fund me pasojat?
Një grevë që, falë ekspansionit mediatik të “Diellës së Mirditës”, u shndërrua në një spektakël deklaratash dhe trimërish facebook-iste, ndërsa kërkesat dhe fati i minatorëve u lanë në plan të dytë.
Në fund, “Diella” mbeti të bëhej “kurban” i trimërive facebook-iste, me apo pa tuta “korrneve” të Abatit!
Një vit më pas, pyetja nuk është më vetëm pse u ndërpre greva. Pyetja është:
KUSH E FITOI ATË DITË DHE KUSH E PAGUAN ÇMIMIN NJË VIT MË VONË?
Sepse një grevë nuk matet me numrin e ditëve që zgjat, me fotografitë e ndërmjetësuesve apo me duartrokitjet e momentit kur shpallet e përfunduar. Ajo matet me fatin e njerëzve që e zhvilluan, me kërkesat që u plotësuan dhe me të drejtat që u garantuan.
Dhe pikërisht për këtë, një vit më vonë, heshtja nuk mund të jetë përgjigje!
Burimi/Facebook


Leave a Reply