Në Turqi mund të jetojnë më shumë shqiptarë sesa në Shqipëri dhe Kosovë së bashku? Shifrat zyrtare flasin për rreth 1.3 milionë persona me origjinë shqiptare. Por burimet jozyrtare dhe shoqatat në terren e çojnë këtë shifër nga 3 deri në 5 milionë. Ata nuk njihen si minoritet zyrtar, ndaj nuk regjistrohen sipas etnisë. Megjithatë, njerëzit me gjak shqiptar përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha me prejardhje të huaj në të gjithë Turqinë.
Kur feja i ktheu shqiptarët në “turq”
Historia e tyre në Anadoll nuk nisi me dëshirë, por me dhunë. Mes viteve 1923 dhe 1926, Greqia dhe Turqia shkëmbyen popullsitë e tyre. Konventa e Lozanës përdori fenë si kriter të vetëm: çdo mysliman u quajt automatikisht “turk”. Kështu, rreth 60 mijë deri në 90 mijë shqiptarë nga Çamëria, Kosturi dhe Follorina u dëbuan me forcë drejt Turqisë. Mijëra familje u shpërndanë nga Izmiri deri në Samsun, duke lënë pas tokat e tyre përgjithmonë.
Eksodi i heshtur i viteve ’50
Një valë edhe më e madhe erdhi nga ish-Jugosllavia. Pas Luftërave Ballkanike u larguan rreth 250 mijë shqiptarë, por kulmi u arrit në vitet 1951–1968. Pas “Marrëveshjes së Xhentëlmenëve” mes Titos dhe Turqisë më 1953, nisi presioni i egër i policisë sekrete jugosllave. Shqiptarët u detyruan të regjistroheshin si “turq” për të marrë vesikën, lejen e shpërnguljes. Mbi 415 mijë shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia lanë shtëpitë dhe u vendosën në Turqi.
Pse rruga drejt Shqipërisë ishte e mbyllur?
Shumëkush pyet pse këta njerëz shkuan në Turqi dhe nuk erdhën në Shqipëri. Përgjigjja fshihet te politika e hekurt e kohës. Marrëveshjet e Greqisë dhe Jugosllavisë ishin lidhur vetëm me Ankaranë, sepse Beogradi nuk donte ta rriste popullsinë e Shqipërisë përtej kufirit. Për më tepër, pas prishjes së Titos me Enver Hoxhën në vitin 1948, kufiri shqiptar u mbyll me tela me gjemba dhe mina. Ata pak mijëra kosovarë që rrezikuan jetën dhe kaluan kufirin ilegalisht në vitet ’50, nuk u pritën si të lirë. Regjimi komunist i mbylli në kampe internimi, si në Seman të Fierit dhe Lushnjë, me dyshimin se ishin spiunë jugosllavë.
Toka e premtuar përballë një shteti të varfër
Edhe në vitet ’20 dhe ’30, Shqipëria ishte një shtet i sapoformuar, i varfër dhe pa mundësi financiare për të strehuar qindra mijëra refugjatë. Krejt e kundërta ndodhte në Republikën e re të Turqisë, e cila kishte humbur miliona banorë në luftë dhe kishte nevojë jetike të popullonte Anadollin. Qeveria turke u jepte të ardhurve menjëherë nënshtetësi, tokë bujqësore, shtëpi, bagëti dhe përjashtim nga taksat. Për më tepër, pas 500 vitesh në Perandorinë Osmane, Stambolli dhe Bursa nuk shiheshin si vend i huaj, por si një strehë e sigurt ku jetonin tashmë të afërmit e tyre.
Ata që ia dolën të preknin tokën amë
Vetëm një pakicë mundi të vinte në Shqipëri, dhe kjo ndodhi në rrethana të veçanta. Kur bandat e Napoleon Zervës kryen masakrat në Çamëri në vitet 1944–1945, nuk kishte më asnjë marrëveshje shkëmbimi me Turqinë. Rreth 25 mijë deri në 35 mijë shqiptarë çamë kaluan kufirin tokësor drejt Shqipërisë së Jugut, duke u vendosur në Sarandë, Delvinë, Vlorë dhe Fier. Po ashtu, rreth 20 mijë deri në 30 mijë shqiptarë të Kosovës arritën të vinin para Luftës së Dytë Botërore, ku Mbreti Zog i sistemoi në Fier, Lushnjë, Kavajë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, si dhe gjatë viteve 1941–1944 kur kufijtë u hapën përkohësisht.
“Shqipëria e vogël” në zemër të Stambollit
Nëse vizitoni sot lagjen Bayrampaşa në Stamboll, do të ndiheni si në shtëpi. Kjo lagje njihet si kryeqyteti jozyrtar i shqiptarëve të Turqisë. Rrugët mbajnë erë mëlçie të fërguar (Arnavut ciğeri), byreku dhe trileçeje. Njësoj ndodh edhe në Bursa, ku dialekti gegë dëgjohet ende lirshëm nëpër tregje dhe dasma. Edhe pse brezat e rinj flasin turqisht, në shtëpi ata ende përdorin fjalë shqipe si “babi”, “nani”, “dajë” dhe “fli”.
Si u fshinë mbiemrat shqiptarë brenda një dite
Më 21 qershor 1934, Turqia miratoi Ligjin e Mbiemrave. Çdo qytetar u detyrua të merrte një mbiemër të ri në gjuhën turke. Mbiemrat fisnorë dhe etnikë u ndaluan me ligj. Shqiptarët gjetën një zgjidhje gjeniale: i përkthyen mbiemrat fjalë për fjalë. Kështu, Guri u bë Taş ose Kaya. Ujku u kthye në Kurt, Bardhi në Ak, ndërsa Shqiponja u bë Kartal. Të tjerë morën emrat e qyteteve të origjinës, si Prizrenli, Üsküplü (Shkupjan) apo Yanyalı (Janinjot). Duke i detyruar të fshihnin publikisht përkatësinë e tyre etnike, autoritetet turke përdorën metoda të ngjashme me ato të vendeve ballkanike që i përzunë shqiptarët autoktonë nga trojet që tashmë ata ua kishin marrë me pahir. Kjo ndodhi edhe pse shumë shqiptarë i shihnin turqit dhe i shohin edhe sot si shpëtimtarë, duke patur masivisht si shpëtimtarë të njejtën përbërje fetare.
Një klikim që zbulon rrënjët e harruara
Sot, teknologjia po zbulon atë që historia u mundua ta fshihte. Shteti turk hapi arkivat dixhitale përmes portalit shtetëror e-Devlet. Me një klikim të thjeshtë, miliona qytetarë turq panë pemën e tyre gjenealogjike deri në shekullin XIX. Për habinë e tyre, në kolonën e vendlindjes së gjyshërve lexuan emra si Priştine, İşkodra, Manastır apo Preveze. Ky zbulim ndezi një valë të re kureshtjeje, duke bërë që mijëra turq të rinj të kërkojnë sot rrënjët e tyre shqiptare.
Burimi/Facebook/Ultra Fakte


Leave a Reply