Në një Tiranë nën shi, mes reve të gazit lotsjellës, ujit me presion, përplasjeve dhe qytetarëve të lënduar, 28 Nëntori mori një pamje krejt tjetër nga ajo e festës kombëtare. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë protestuesve qëndronin blindat, autobotet dhe mburojat e policisë, mbi të cilat ishte vendosur flamuri kuqezi.
Simboli që duhej të bashkonte shqiptarët në ditën e Pavarësisë ishte vendosur mbi mjetet e përdorura për shpërndarjen e një pjese të tyre.
Kush e mendoi, kush e urdhëroi dhe mbi çfarë baze ligjore u autorizua ky përdorim i flamurit kombëtar?
Ligji nr. 8926, datë 22.07.2002, që rregullon përdorimin e flamurit kombëtar, si dhe Rregullorja e Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr. 112, datë 24.02.2025, nuk parashikojnë shprehimisht vendosjen e flamurit mbi mjetet e ndërhyrjes policore gjatë tubimeve.
Legjislacioni lejon përdorimin dekorativ të flamurit gjatë festave kombëtare. Por a mund të konsiderohet pjesë e dekorit festiv një autobot që hedh ujë me presion ndaj qytetarëve?
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të sqarojë nëse vendosja e flamurit mbi këto mjete është bërë në zbatim të një protokolli institucional apo me një urdhër të posaçëm për protestën e 28 Nëntorit.
Përtej aspektit juridik, kjo mënyrë e përdorimit të flamurit ngre pikëpyetje mbi keqpërdorimin institucional të një simboli që u përket të gjithë shqiptarëve.
Flamuri kombëtar nuk është pronë e qeverisë, nuk është atribut ekskluziv i policisë dhe nuk duhet të shërbejë si dekor i operacioneve policore kundër qytetarëve.
Shqiptarët që sot ndodheshin përballë blindave dhe autoboteve kanë po aq të drejtë të identifikohen me flamurin kuqezi sa edhe efektivët që drejtonin këto mjete.
Pikërisht në ditën e Pavarësisë, simboli i bashkimit kombëtar nuk duhej të shndërrohej në simbol të përplasjes mes shqiptarëve.VNA.al
Burimi/Facebook/AlbDreams Televizion


Leave a Reply