Kosova dhe Serbia po vendosin ndërlidhës policorë jashtë vendit për të punuar me përpjekjet e vendeve kundër krimit.
Nga Muhamet Brajshori dhe Ivana Jovanoviç për Southeast European Times në Pristinë dhe Beograd
Serbia dhe Kosova po dërgojnë atashe policorë jashtë vendit si një pjesë e rëndësishme e luftës së krimit të organizuar ndërkombëtar. [AFP]
Në atë që ekspertët ligjorë e quajnë një “hap të rëndësishëm,” Serbia dhe Kosova kanë vendosur atashe policorë jashtë vendit për të mbështetur autoritetet gjyqësore kundër krimit ndërmjet vendeve.
Serbia tashmë ka atashe në pesë vende: Shtetet e Bashkuara, Rusi, Maqedoni, Rumani e Slloveni. Ministritë e jashtme e të brendshme në Kosovë kohët e fundit arritën një marrëveshje për të dërguar deri pesë atashe jashtë vendit.
Afrim Hoti, lektor i të drejtës e politikës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, i tha SETimes se është e rëndësishme për Kosovën që të ketë kontakte të përhershme me anëtarët e BE-së. “Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme nëpërmjet këtyre kanaleve që të shkëmbehet informacioni me qëllim që të veprohet e të bashkërendohet parandalimi e të luftohet kundër krimit,” tha Hoti.
Hoti shtoi se është kritike që autoritetet të përqendrohen në luftën e krimit në Kosovë, “por nuk shoh asgjë të keqe që të dërgohet një personel i tillë në misionet tona [diplomatike] jashtë vendit, për deri sa u përmbahen kritereve profesionale e mundësive buxhetore.”
Dragan Gjukanoviç, nga Lëvizja Evropiane për Serbinë, tha se funksionet e atasheve policorë, që janë të deleguar e të financuar nga ministria e brendshme, janë pjesë e marrëdhënieve ndër-policore.
“Ky funksion është shumë i rëndësishëm për vendosjen e bashkëpunimit midis organizmave të punëve të brendshme të disa vendeve,” tha Gjukanoviç. Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës i tha SETimes se vendi po përcakton ende sesa atashe do të vendosë e destinacionet e tyre.
Ndërsa atashetë mund të luajnë një rol kryesor në punën ndërkombëtare të policisë, ekspertët në Serbi e Kosovë thonë se ka ende çështje që duhet të trajtohen.
Jan Litavski, këshilltar i sigurisë në Qendrën për Studime Euro-Atlantike në Beograd, tha se mënyra e zgjedhjes së atasheve të policisë duhet të jetë transparente me qëllim që puna e tyre të jetë e efektshme.
“Statusi i tyre, pushtetet e përgjegjësitë nuk janë të rregulluara nga ligji i tanishëm i policisë e kjo duhet bërë nga ndryshimet e shtesa,” i tha Litavski SETimes.
Dalibor Kekiç, profesor në Akademinë e Policisë Kriminale në Beograd tha se atashetë policorë jo kurdoherë kanë imunitet diplomatik, por argumentoi se duhet t’a kenë atë.
“Me qëllim që të përmirësohen gjendjet e sigurisë në nivele rajonale e botërore, si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në këtë fushë, është e nevojshme të fuqizohen atashetë policorë me të njëjtat autoritete që kanë diplomatët e tjerë, madje si ushtria,” tha Kekiç.
Në Kosovë, bashkëpunimi i policisë me organizatat e vendeve të tjera e ato ndërkombëtare është i vështirë pasi shumë vende nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e vendit. Bashkëpunimi me Interpolin e qendrat e tij është bërë nëpërmjet Interpol UNMIK, një zyrë që funksionon si pjesë e misionit të OKB-së në Kosovë. Bashkëpunimi me Serbinë është bërë nëpërmjet EULEX-it.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply