Udhetimi do të bëhet shumë më i lehtë në vendet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme dhe për ata në Azi dhe Australi gjithashtu.
Nga Ivana Jovanoviç, Muhamet Brajshori dhe Marina Stojanovska për Southeast European Times në Beograd, Prishtinë dhe Shkup
Linjat ajrore të Lindjes së Mesme po përmbushin kërkesën në rritje në Ballkan për fluturime të drejtpërdrejta e jo të shtrenjta në Lindjen e Mesme dhe më tej. [Aleksandar Pavlevski/SETimes]
Disa linja ajrore të Lindjes së Mesme kanë vendosur fluturime të drejtpërdrejta në Ballkan në një masë që ekspertët thonë se do të lehtësojë si udhëtimin dhe tregtinë si dhe do të përmirësojë marrëdhëniet e rajonit me vendet e Lindjes së Mesme.
Fly Dubai, Qatar Airways dhe Air Arabia kanë nisur fluturime të drejtpërdrejta nga Doham Dubai dhe Sharjah në Shkup, Beograd, Zagreb dhe Prishtinë.
“Ato ofrojnë përfitime të shumta. Së pari, mundësinë për diasporën tonë, jo të vogël në Emiratet e Bashkuara Arabe për të fluturuar drejtpërsëdrejti [në atdhe], por gjithashtu për njerëzit në Australi që mund të fluturojnë drejtpërsëdrejti në Dubai dhe pastaj në Beograd,” i tha SETimesKatarina Andriç Milosavljeviç, këshilltare publike në Drejtorinë e Aviacionit Civil të Serbisë.
Nikola Manasijeviç, një farmacist në pension në Vladiçin Han në Serbi, tha se djali i tij dhe familja e tij jeton në Emiratet, por e gjenin shumë të paleverdishme që të ndryshonin dy apo më shumë fluturime në rrugën për në atdhe teksa udhëtonin me fëmijë dhe transportonin materiale lidhur me punën.
“Ishte gjithashtu e ndërlikuar për mua dhe gruan pasi jemi të moshuar dhe jo në shëndetin më të mirë. Fluturimi i drejtpërdrejtë Beograd-Dubai i bëri gjërat më të lehta,” i tha Manasijeviç SETimes.
Që nga dhjetori 2011 vetëm Fly Dubai kishte një fluturim të drejtpërdrejtë Beograd-Dubai që shkonte çdo javë.
Linja ajrore vendosi dy fluturime të drejtpërdrejta në Shkup muajin e shkuar dhe do të shtojë një tjetër deri nga fundi i vitit. Ai i shërben diasporës së madhe maqedonase në Australi si dhe shumë maqedonasve që shërbejnë në funksione të ndryshme në misionin ISAF të NATO-s në Afganistan.
“Njerëzit mund të udhëtojnë tani jo shtrenjtë me një ndalesë [në Maqedoni],” i tha SETimesSvetlana Unkovska, administratore e shitjeve në agjencinë turistike Savana, në Shkup.
“Vëllai dhe nëna ime që jetojnë në Australi kanë ardhur në Maqedoni vetëm në raste të rralla për shkak të biletave të shtrenjta, lidhjeve të këqia dhe numrit të transferimeve. Tani, i pres ata këtë muaj falë fluturimeve jo të shtrenjta të Fly Dubai,” i tha SETimesSanja Ristevska, një banore e Shkupit.
Fluturimet e mëparshme të shtrenjta, deri në 1,500 euro dhe lidhjet e dobëta kanë penguar më parë maqedonasit nga fluturimi pa vështirësi në Lindjen e Mesme.
Dubai është destinacioni i tretë më i madh për fluturimet e nisura nga Prishtina, sipas Dritan Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i autoritetit të aviacionit civil të Kosovës.
“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit Kosovë-UAE mundësoi nisjen e fluturimit të parë të drejtpërdrejtë në vendin e Lindjes së Mesme,” i tha Gjonbalaj SETimes.
Ka interes të madh në punësimin në Lindjen e Mesme dhe pasja e fluturimit të drejtpërdrejtë është shumë e rëndësishme, sipas Jovanka Dragiçeviç, pronare e agjencisë së punësimit Agava në Novi Sad.
“Më shumë linja të drejtpërdrejta me Lindjen e Mesme do të vendosen sa më parë të jetë e mundur. Gjithashtu, biletat do të jenë më konkurruese, kështu që të gjithë njerëzit, tregtare e punëtorë, që u duhet të shkojnë atje mund t’i përballojnë ato,” i tha Dragiçeviç SETimes.
Në përgjigje të rritjes së vazhdueshme në kërkesa, Qatar Airways tha se do të vendosë tre fluturime të përjavshme midis Beogradit dhe Dohës më 20 nëntor, ndërsa Air Arabia do të nisë një fluturim të drejtpërdrejtë nga Prishtina në Sharjah më 22 nëntor.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba- Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply