
FMN tha se politikat makro-ekonomike dhe financiare janë gjerësisht në rrugën e duhur.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë
Punëtorët ndërtojnë një pjesë të autostradës vitin e kaluar në Vermicë. Projektet e autostradave janë janë një përparësi e lartë në buxhetin e Kosovës për 2013. [AFP]
Qeveria e Kosovës do të shpenzojë më shumë se 40 përqind të buxhetit të saj prej 1.58 miliardë euro për 2013-tën, në projektet kapitale të përmirësimit, një shifër që tërheq kritika nga disa analistë ekonomikë. Ndërkohë, ndërsa vendi administron ndikimin e krizës së zonës euro, FMN vlerësoi politikat makro-ekonomike e financiare të Kosovës.
Përparësitë e qeverisë në buxhetin e 2013-tës, që u miratua më 29 tetor, mbeten arsimi, infrastruktura rrugore, siguria, kujdesi shëndetësor e bujqësia. Përfundimi i autostradës Merdarë-Morinë e fillimi i një autostrade të re Prishtinë-Shkup janë midis projekteve më të mëdha të infrastrukturës.
Agron Demi i Institutit GAP të Kosovës tha se pjesa e luanit e buxhetit, 43 përqind, do të shkojë për investime kapitale.
“Treqind milionë nga 620 milionë euro të investimit kapital, do të shkojnë vetëm për dy projekte rrugore, autostradën Prishtinë-Merdare dhe Prishtinë-Hani i Elezit [autostrada Kosovë-Maqedoni],” i tha Demi SETimes, duke argumentuar se shpenzim i tillë “nuk ka treguar një lidhje të drejtpërdrejtë midis rritjes së investimeve kapitale e rritjes së zhvillimit ekonomik.”
Nezir Sinani, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politikën e Zhvillimit, i tha SETimes se buxheti ka një përqëndrim të madh në rrugët ,”por mendoj se qeveria duhet të përqendrohet në drejtimin kryesor të ekonomisë së Kosovës, bujqësinë.”
Sinani tha se arsimi, kujdesi shëndetësor dhe energjia e përtëritëshme duhet të jenë gjithashtu përparësi.
“[Energjia e përtëritëshme] do të krijonte mundësi të reja zhvillimi në vend,” shtoi Sinani.
Buxheti i ministrisë së infrastrukturës për 2013-tën është afërsisht 811 milionë euro. Ministria e bujqësisë, pylltarisë e zhvillimit rural e ka buxhetin 44.6 milionë euro. Kërkimi në energjinë e erës, gjeo-termike dhe të biomasës është buxhetuar me 350,000 euro të kombinuara.
“Investimet e qeverisë në këto dy autostrada si dhe ato në rrugë të tjera rajonale po kontribuojnë për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit, si një element i rëndësishëm për të krijuar parakushtet e zhvillimit të sektorit privat,” tha Ministri i Financave Bedri Hamza.
Buxheti i 2013-tës përfshin një mungesë të ardhurash prej 163 milionë euro që Hamza tha se do të mbulohet nga një tepricë nga buxheti i 20120-tës, sipas një njoftimi nga transmetuesi publik RTK. Kosova pret gjithashtu të marrë 41 milionë euro nga FMN në dhjetor, kësti i fundit i kredisë prej 107 milionë euro të rënë dakort në mars.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i tha qeverisë së tij se buxheti është “krejtësisht i harmonizuar me FMN,” dhe do të “mundësonte vazhdimin e financimit të shumë projekteve që kanë një rëndësi të posatçme për ekonominë tonë.”
Hamza tha se buxheti mori parasysh krizën e zonës euro me vëmendje të posatçme të treguar për ndihmën për shlyerjen emergjente të sektorit bankar e të rezervës së buxhetit. Ai shtoi se Kosova pret rritje ekonomike prej 4.5 përqind më 2013, mbështetur në rritjen e konsumit, investimit dhe eksporteve.
FMN mbështeti optimizmin e qeverisë, por llogariti se “rritja reale do të tejkalonte 3 përqind më 2012 e 2013, që është më e lartë se në shumicën e vendeve në rajon.”
FMN tha gjithashtu se politikat makro-ekonomike e financiare janë gjerësisht në rrugën e duhur.
“Të gjitha kriteret sasiore të ecurisë të fund-gushtit u përmbushën, pasi mungesa e pakët në mbledhjen e të ardhurave u kompensua nga përmbajtja në shpenzime. Për më tepër, faturat gjithsej të buxhetit [të përbërë nga të ardhurat e financimi] tejkaluan parashikimet,” tha FMN.
Por Fondi paralajmëroi për një përkeqësim të mundshëm në kushtet e tregut të punës në vendet ku është diaspora. Diaspora e Kosovës mbetet një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekonominë e Kosovës duke kontribuar me rreth 600 milionë euro në vit.
“Në këtë mjedis sfidues, administrimi i disiplinuar fiskal, arritja e një niveli të përshtatshëm e ekuilibrave bankare qeveritare, forcimi i kuadrit ligjor e rregullator për sistemin financiar të Kosovës, mbikëqyrja e matur financiare nga një bankë qendrore e fortë dhe e pavarur dhe reformat strukturore për të nxitur konkurrueshmërinë, mbeten kritike për të mbështetur stabilitetin makroekonomik dhe rritjen.” tha FMN.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba- Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply