Shtëpi të shembura, rrugë të qeta dhe pak banorë që vazhdojnë të jetojnë. Shpopullimi ka prekur edhe fshatin Goraj-Budishtë në Malësinë e Madhe, ku emigrimi i vazhdueshëm ka ndryshuar rrënjësisht jetën e komunitetit.
Dikur me më shumë se 300 banorë, sot në këtë fshat të njësisë administrative Kastrat jetojnë rreth 100 persona, ku pjesën më të madhe e përbëjnë të moshuarit.
Mungesa e vendeve të punës, e investimeve dhe e shërbimeve bazë ka shtyrë shumë familje të largohen jashtë vendit në kërkim të një jete më të mirë.
Edhe fëmijët e paktë që kanë mbetur në fshat dëshirë të vetme kanë emigrimin.
Të rinjtë që rikthehen gjatë muajve të verës për të kaluar disa ditë pranë gjyshërve tregojnë se Goraj-Budishta po zbrazet çdo vit e më shumë dhe se nuk shohin mundësi për t’u rikthyer.
Për pjesën më të madhe të vitit, fshati mbetet i qetë dhe pothuajse i boshatisur, ndërsa mungesa e brezit të ri ndihet në ato pak shtëpi që kanë mbetur atje sepse pjesa më e madhe e banesave janë shembur.
Dy shkollat e fshatit janë mbyllur prej vitesh dhe godinat e tyre janë lënë në amortizim.
Fëmijët që jetojnë ende në Goraj-Budishtë udhëtojnë çdo ditë drejt Zagorës, rreth 15 minuta me automjet, për të ndjekur mësimin në klasa kolektive.
Edhe pse ndodhet vetëm rreth 40 minuta larg qytetit të Shkodrës, Goraj-Budishta po shpopullohet ashtu si shum fshatra të tjerë në Malësinë e Madhe dhe shumë zona të vendit.
Burimi/Facebook/Shkodra Live


Leave a Reply