Jam i krishterë, besoj në Krishtin, por gjysma e dajve të mi dhe e dajve të fëmijëve të mi janë myslimanë, e gjysma të krishterë; i kam gjak, i kam vëllezër! Historia e ka bërë të veten, por të mitë e lanë vendin, nuk u lanë të tjerët me ua prishë gjakun e me ua shlye besimin, po mbetëm në besimin tonë e në trungun tonë pavarësisht kohërave të vështira e pushtuesve. Këto ishin nanat e besimit tonë, kurse sot kultura dhe agjenda të huaja po investojnë me na ndrrue e tjetërsue sa me mos na lanë gja shqiptare. Zoti na ruajtë!
Në këtë kohë kur çdo gja rreth nesh duket se po ftohet dhe po shndërrohet në një numër, në një interes apo në një produkt të ftohtë tregu, pyetja se kush po i zëvendëson këto nana dhe këtë predikim të ngrohtë të dhemb në shpirt, se e vërteta e hidhur asht se nuk po i zëvendëson askush.
Sot, vendin e atyre vatrave ku digjej zjarri i urtësisë dhe ku fjalët e gjysheve na jepnin paqe pa kushte, e kanë znënë predikimet e ftohta, dogmatike dhe shpesh të sponsorizuara nga interesa të hueja, që vijnë vetëm për me na nda e me na përça aty ku kemi qenë gjithmonë bashkë. Në vend të zërit të butë të Nënës Ajshe, e cila na mësonte se “edhe xhamia, edhe kisha janë shtëpija të Zotit” dhe se Zoti të dëgjon kudo që t’i falesh me shpirt të pastër, sot na bërtasin ekranet dhe profilet e rrjeteve sociale me morale të rreme, me predikime radikale dhe me zëra që ma shumë kërkojnë me kultrue urrejtje sesa njerëzillëk.
Këto nana nuk kishin diploma universitetesh e as libra teologjie në duar, por kishin atë që sot i mungon ma shumë botës: zemrën e madhe dhe dashuninë e pakushtëzuar për njeriun. Predikimi i tyre ishte ma i ngrohti në botë se buronte nga dheu ynë, nga sakrificat e përditshme dhe nga besimi i pastër, ku fqinja ishte motër pavarësisht se çfarë emri mbante shtëpija e lutjes. Mungesa e tyre sot ka lanë një zbrazëtirë të madhe në familjet tona, duke lanë rininë tonë në mëshirën e erërave të hueja që përpiqen me na i rrnjosë vlerat tona tradicionale të harmonisë dhe mirëkuptimit.
Prandaj, për sa kohë nuk gjejmë guximin me u kthye te kjo ngrohtësi shpirtërore dhe me refuzue çdo ndikim të huej që kërkon me na helmojë vatrat, do të vazhdojmë me u ndi jetimë në tokën tonë, duke kërkuar dritë te zjarret e rreme që vetëm na djegin e nuk na ngrohin kurrë.
Me respekt për këtë vlerë nanë,
Paulin Maçaj
Shkodër
Burimi/Facebook


Leave a Reply