Kjo foto është shkrepur më shumë se 80 vjet më parë për të fiksuar një nga çastet më të bukur në jetën e ndërprerë barbarisht të inxhinierit Abdyl Sharra. Dita e tij e dasmës. Por lumturia për çiftin e ri nuk do të zgjaste shumë.
79 vjet më parë, më 22 nëntor 1946, kur ishte vetëm 31 vjeç, Abdyl Sharra do të ekzekutohej me varje në Maliq. Ai ishte njëri prej të dënuarve me vdekje në gjyqin e njohur si “sabotatorët e Maliqit”. Për ata që e dënuan, nuk kishte nevojë për ekspertizë teknike dhe inxhinierike, për ta shpallur fajtor. Mjaftonte që s’po realizoheshin në kohë detyrat e ngarkuara nga Partia. Kështu u shua një nga inxhinierët më të përgatitur që kishte vendi, i cili ishte nderuar me medalje ari pas përfundimit të studimeve universitare në Romë, pinjoll i një prej familjeve me kontribut të pakrahasueshëm në çështen kombëtare, veçanërisht në shpalljen e Pavarësisë.
Përveç angazhimit në sipërmarrjen e guximshme profesionale për tharrjen e kënetës së Maliqit, ing. Abdyl Sharra dhe kolegu i tij ing. Kujtim Beqiri, kishin kontribuar në rindërtimin e disa prej objekteve strategjike në Shqipërinë e shkatërruar të pas luftës, si: rindërtimin e Portit të Vlorës, urën e Drashovicës, urën e Mifolit etj. Por ashtu siç ndodhte rëndom, regjimi i ri me bazë te të pashkolluarit, trembej nga të shkolluarit dhe gjente rrugën më barbare, eliminimin e tyre. Kjo ndodhi dhe me inxhinierët heronj Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, të varur në mënyrë demostrative më 22 nëntor 1946.
Sot ata janë nderuar me titullin “Dëshmor i demokracisë”
Burimi: Muzeu Kokalari
Burimi/Facebook/Na ishte dikur


Leave a Reply