Nëse konfirmohet vendimi i raportuar për heqjen e statusit të dëshmorit për Ahmet Krasniqin, Fehmi Aganin, Bajram Kelmendin, Enver Malokun dhe personalitete të tjera të sakrificës kombëtare, atëherë Qeveria e Kosovës dhe Komisioni përgjegjës u kanë borxh një shpjegim të menjëhershëm familjeve të tyre dhe gjithë qytetarëve të Republikës.
A e kuptoni se për cilët njerëz po flasim?
Për kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, të dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës”!
Për profesor Fehmi Aganin, bashkëpunëtorin e ngushtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova, një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës!
Për avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin e Kushtrimin, të vrarë nga forcat serbe!
Për Enver Malokun, zërin e së vërtetës dhe të rezistencës shqiptare!
Këta njerëz nuk e dhanë jetën për pensione, privilegje apo interesa personale. Ata sakrifikuan për lirinë që ne e gëzojmë sot!
Qeveria duhet të sqarojë se si është e mundur që emrat e këtyre personaliteteve të përfshihen në një vendim të tillë. A bëhet fjalë për heqje të statusit, për ndërprerje të përfitimeve financiare apo për një gabim administrativ?
Sepse statusi i dëshmorit, titulli Hero i Kosovës dhe e drejta në pension nuk janë e njëjta gjë!
Askush nuk është mbi ligjin, por asnjë komision nuk duhet ta zbatojë ligjin duke cenuar padrejtësisht dinjitetin e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Kërkoj publikimin e vendimit të plotë, arsyetimin ligjor për secilin rast dhe korrigjimin e menjëhershëm të çdo padrejtësie.
Historia e Kosovës nuk fillon me ardhjen në pushtet të asnjë qeverie dhe nuk mund të rishkruhet me një vendim administrativ!
Emrat e dëshmorëve dhe veprimtarëve të lirisë janë të gdhendur në kujtesën e kombit. Asnjë komision nuk mund t’ua fshijë sakrificën!
RESPEKT PËR DËSHMORËT! DINJITET PËR FAMILJET E TYRE! TRANSPARENCË DHE PËRGJEGJËSI NGA INSTITUCIONET! 🇽🇰
A.SH.
Burimi/Facebook


Leave a Reply