Nga Gjergj Zefi]
Si asnjëherë tjetër në historinë e saj 25 vjeçare në qytetin e Shkodrës, Partia Demokratike është tkurrur sot në një grusht njerëz, në eventin më të rëndësishëm, të shpalljes së kandidatit për qytetarin e parë në katër vitet e ardhshme. Kurrë më parë nuk ka ndodhur që bastioni i demokratëve te ketë pritur me një indiferencë të tillë, një kandidat për bashkinë e qytetit.
Pa brohoritje , pa thirrje, pa pankarta, me më pak njerëz, se ka dasmorë në një dasëm shkodrane, kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha ka prezantuar sot rreth mesdites, Voltana Ademin për bashkinë e Shkodrës. Prezantimi ka zgjatur rreth 15 minuta dhe është shoqëruar me romuze dhe barcaleta në të gjithë qytetin. Mungesa e kryesueses së listës së deputetëve të Shkodrës, Jozefina Topallit,por jo vetëm, në ceremoninë e prezantimit të Voltanës është shenja më e qartë se asgjë nuk shkon mirë në punët e demokratëve të kryeqendrës së veriut.
Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është se, shkaku i këtij ambiguiteti nuk është Voltana. Përkundrazi Voltana është një përpjekje për kompromis, në përzgjedhjen e një deputeteje me më pak ndikim në vendimmarrjen klienteliste të klaneve të PD-së, që e kanë asfiksuar jetën politike të këtij qyteti për dy dekada me rradhë.
Klanet janë përplasur edhe herë tjetër dhe me vështirësi e kanë gjetur “zholin” e kompromisit, por siç duket këtë rradhë përplasja është e “madhe dhe kushedi ku do të dali”.
Këto përplasje klanore që paraqiteshin herë si me “ngjyrime fetare” e herë si me “ngjyrime politike”; herë si “vokacion krahinash” e herë si “përplasje ideologjike”; herë si “afinitet ndaj Saliut”; herë si vokacion “antikomunist” e herë si “aleancë spiunësh” i kanë fillimet e tyre që në vitet ’90, me përfaqësuesit tipikë si Ali Spahija e Pjetër Arbnori, Filip Guraziu dhe Ali Kazazi.
Këto klane e kanë asfiksuar jetën politike të Shkodrës, e kanë çuar atë në një regres historik dhe siç dihet që, çdo gjë e ka një fund, tani jemi në fazën e çmontimit të ndikimit të këtyre klaneve mafioze në jetën e këtij qyteti.
Voltana, fatmirësisht nuk është pjesë e këtyre klaneve, por është viktimë e tyre. Integriteti politik i Voltana Ademit është i ndryshëm nga politika e akshihaneve të PD-së së vjetër.
Voltana do të humbë , por ajo i ka shanset që të hedhë themelet e një PD-je të re në Shkodër, një partie larg klaneve mafioze, larg vrasjeve politike, larg mërive dhe konflikteve të vjetra, një partie të re me objeksion progresin, me sensin e realpolitikës, me sensin e punës dhe të pudorit, dhe jo një “arenë spiunësh” ku përplasen aferat ekonomike të së sotmes dhe rivalitetet e vjetra të së shkuarës.


Leave a Reply