
Ilir Seci
Per te pasur nje ide te qarte se çfare “Çlirimi” u be me 29 Nentor 1944,mes tjerash duhet lexuar libri “INTERNIMI I KUFOMES” nga autori Marçel Hila,nje liber jashtezakonisht i mire qe na deshmon per barbarite e kryera nga komunistet “Çlirimtare” menjeherë sa erdhen ne pushtet me 29 Nentorit 1944…Libri eshte bazuar ne ngjarje reale,eshte bazuar ne jeten e Zoi Xoxes te cilit ja moren shtepine dhe e internuan diten qe i vdiq djali 16 vjeçar,Muzaka!?…Nuk e lane as te varroste te Birin ne Tirane,por e urdheruan te shkojë ne internim ne Shtyllas te Fierit,bashke me trupin e pajete te djalit qe e urdheruan ta merrte me vete ne internim?!…I vdekuri ne internim!?Makabritete qe vetem katile te pashpirt si komunistet mund tj bejne!
Libri flet per vitet e para mbas “Çlirimit” kur u vendos diktatura dhe “Udheheqja e Larte” krijoi Bllokun duke ua marre ne force vilat pronareve te ligjshem…Pronare qe u burgosen ose internuan te gjithe!
Lexoni Fragmentet:
…”Kur kishte ardhur në Tiranë, nga Berati, ditën e 28 nëntorit, pasi ishte zhvilluar parada e trupave partizane, Enver Hoxha kishte mbajtuar fjalimin e parë tek hotel Dajti. Aty, fillimisht, kishte marrë zyrat, aty kishte vendosur edhe të banonte përkohësisht. Edhe për pritjet do të qëndronte aty, deri që të merrte një shtëpi të përshtatshme. Do të rrinte në hotel vetëm për pak ditë. E shoqja e tij, vite më vonë, kur shkroi kujtimet në librin e saj “Jeta ime me Enverin”, thotë: “Mbaj mend se ndenjtëm këtu gjatë të gjithë muajit dhjetor 1944, derisa u rregulluan zyrat përkatëse e derisa gjetëm edhe shtëpinë për banim”.
Gjetjen e shtëpisë, Enver Hoxha e ka treguar me gojën e tij në një takim publik në Gjirokastër, me 23 mars të vitit 1978. Ja sesi përshkruhet e gjithë ngjarja e gllabërimit të banesës: “Pas çlirimit, kur akoma banonim përkohësisht në hotel Dajti, vjen njëri nga shokët e sigurimit e më thotë: shoku Enver, të kemi gjetur një shtëpi, shtëpinë ku banon Petraq Katro’”. Ky Petraqi kishte qenë një i pasur Korçe, që Enveri e njihte shumë mirë. “Thirra Esat Dishnicën – kishte vazhduar tregimin Enveri – dhe e porosita sesi të vepronte. Ai vajti bashkë me dy partizanë në shtëpinë e italianit Belloti, ku tani banonte Petraqi. Trokitën në derë, por nuk po e hapnin njerëzit brenda. Partizanët dhe Esati u kishin thënë njerëzve të shtëpisë: ‘Hapeni derën, apo doni t’jua futim me mitraloz? Atëherë, nga brenda, u dëgjua një zë gruaje: – ‘Ku e keni urdhrin?’ – Nuk ka urdhër me shkrim për të ta dhënë ty, por hape shtëpinë!”. Gruaja ka vazhduar të mos e hapë derën. – “Ku e ke burrin?”. – “Nuk është këtu!” – është përgjigjur gruaja. – “E kujt është shtëpia?”. – “Më parë ka qenë e italianit Belloti, por tani është e Petraqit, e ka me tapi!” – u është përgjigjur ajo. Atëherë, Esat Dishnica dhe partizanët i kanë urdhëruar ashpër e me ton të egër: – “Vishi këpucët ti e Petraqka e na jepni çelësat e shtëpisë!”. Gruaja i kishtë thënë: – “Kjo qeveri nuk është nga ata që na lë në rrugë!”. Por Esati dhe partizanët i kanë thënë, pa marrë parasysh asnjë nga fjalët e gruas: – “Nesër në mëngjes do të vijmë prapë! Mos trazoni asgjë nga të gjitha sendet që janë brenda!”. – “Si urdhëroni!” – kishte thënë e tmerruar. Enveri kishte vazhduar të tregojë sesi pronarët e ligjshëm kishin hequr gjërat e tyre: “Kur vajtëm të nesërmen, nuk gjetëm asgjë në shtëpi. Për tërë natën, Petraqi me njerëzit e tij, i kishin hequr të gjitha!”. Enveri, që si duket kishte shkuar edhe ai tek shtëpia të nesërmen, për ta marrë në dorëzim, vazhdon tregimin e tij, këtë radhë në vetën e parë shumës, kur thotë se u thamë atyre: – “Ku i keni fshehur plaçkat? Ku e ke Petraqkën? Gruaja u mundua të gënjente, por ‘ne’ i gjetëm gjërat e fshehura!”. Enveri nuk harron të thotë edhe se: “Më vonë mora vesh se Petraqin e kishin arrestuar. Kështu e pësuan Petraqi me shokë, që iu kundravunë popullit dhe luftës së tij!”. Lufta kundër popullit ishte vetëm mungesa e dëshirës së menjëhershme të pronarit që t’ia lëshonte pronën e tij kryeministrit grabitës!
Kështu kryheshin konfiskimet, shtetëzimet dhe dëbimet, e më pas burgosja e pronarëve, dëbimi apo internimi i tyre. Nexhmija, në librin e saj, këtë grabitje spektakolare ditën për diell, e përshkruan kështu: “Mirë që e gjetëm një çati ku të fusnim kokën!”. Eh, çfarë gjetjeje! Eh çfarë çatie kishin gjetur, çfarë strehe! Një vilë e mrekullueshme, me një oborr gjigant.”?!!…
…”Pas Enver Hoxhës e Koçi Xoxes, këtu erdhi edhe komisari i Korparmatës së Parë, Tuk Jakova, një ndër themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare…”Aty erdhi edhe Bedri Spahiu, ish komisar i rëndësishëm, tani Prokuror i Përgjithshëm, që do të kërkonte dënime kapitale pa fund dhe do të kryente gjuajtjet në kokë të të gjithë dënuarve me vdekje pas ekzekutimit.”…”Do të vinin edhe Sejfulla Malëshova, teoricieni i pafat i komunizmit shqiptar, i pari anëtar i Byrosë Politike që do të dilte në vitin 1946 nga ai ishull komod e i rrethuar me roja.”…”Do vinte edhe Pandi Kristo, anëtar i Byrosë Politike, i pari shef i Shërbimit Informativ, që do të banonte në shtëpinë ngjitur me oborrin e madh të Enverit, në pjesën e pasme, një shtëpi dy katëshe me ca shkallë jashtë…”Hyri aty edhe Nako Spiru, ministër i Ekonomisë, kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit si dhe kryetari i Këshillit Ekonomik. Në fillim, shikoi vilën e Zoi Xoxes por, edhe pse ishte një ndërtim modern, shumë i bukur e me tri kate, partizani tekanjoz nuk e deshi, sepse në ato ditë të fillimit, shtëpia ende nuk kishte hyrë në perimetrin e bllokut. Kjo gjë atij iu duk ulje. Ndaj deshi një tjetër, brenda rrethimit dhe e mori. Hyri bashkë me gruan e tij të re, Liri Belishovën, komuniste e bindur e luftëtare partizane, me të cilën sapo ishte martuar. Ishte fillimi i vitit 1945.
Pastaj, ia behu edhe Mehmet Shehu, shef i Shtabit të Përgjithshëm, e më vonë, nga viti 1949, ministër i Brendshëm e në vitin 1954, kryeministër i Shqipërisë, post që do ta mbante për njëzet e shtatë vite.Ai mori në fillim shtëpinë e ish kryeministrit zogist Koço Kota, diku aty pranë, ku u ndërtua më vonë Komiteti Qendror, sot Kuvendi Popullor. Shtëpia e bukur dykatëshe që la, do të bëhej pak më vonëShtëpia e Partisë, ku udhëheqja e lartë do të luante poker, bilardo e do të shikonte filma që askush nuk kishte të drejtën t’i shikonte.
Kur Beqir Balluku u bë ministër i Mbrojtjes, por që do të pushkatohej nga Enver Hoxha në vitin 1974, mori shtëpinë e biznesmenit Jonuz Shijaku. Në atë shtëpi luksoze trikatëshe Balluku qëndroi gjatë të gjitha viteve kur ishte në pushtet, derisa e nxorën jashtë familjen dhe njerëzit e tij të shtëpisë, që i burgosën dhe i internuan…”Erdhën në atë Bllok edhe Gogo Nushi, Spiro Koleka, Rita Marko, Haki Toska, Myslym Peza, Omer Nishani e të tjerë. Erdhi edhe Hysni Kapo, që Enveri e mbajti gjatë të gjithë kohës afër, si njeriun e tij më të besuar, e për këtë arsye, edhe shtëpinë ia caktoi afër së tijës. E kur Ramiz Alia u bë anëtar i Byrosë Politike, erdhi edhe ai.
Sipas nevojave për vende të lira, komisioni nxirrte urdhrin: filan-filani, me vendim të Komisionit të posaçëm, nxirret prej këtu e çohet në filan fshat të jugut të Shqipërisë. E gjithë pasuria e tij konfiskohet. Të dëbuarit ose i ngarkonin lëmsh e li në një prej atyre kamionëve, të shtetëzuar, ose i nxirrnin jashtë, në rrugë të madhe dhe urdhëroheshin që brenda 24 orëve të shkonin vetë në filan fshat, me mjetin që duhej ta siguronin vetë ata. Nuk kishte fjalë. Po të mos paraqiteshin në vendin e caktuar, e dinin se ç’i priste.
Kështu, në perimetrin e zonës së zaptuar zgjerohej blloku komunist përmes degëdisjes së dhimbshme të të shpronësuarve, që si lecka i merrnin e i syrgjynosnin fshatrave të largëta të të internuarve…”
-“- Shiko, lexoje këtë letër! – i tha Mithat Beshiri,Zoit,pa e përshëndetur e pa asnjë hyrje, duke i zgjatur para një shkresë, me firmë e vulë. Ishte urdhër-dëbimi. Zoi e mori. Sapo deshi t’i hidhte sytë ta lexonte, Mithat Beshiri i dha edhe një tjetër e i tha aty për aty: – lexoje edhe këtë! – e i dorëzoi urdhër-sekuestrimin e pasurisë. I turbulluar Zoi filloi t’i lexonte. Ishte urdhri që ata duhej të largoheshin urgjentisht nga shtëpia e të degdiseshin në Shtyllas të Fierit. Urdhri tjetër thoshte se e gjithë pasuria e tij, kudo që të ishte dhe në dorë të kujtdo që të gjendej, sekuestrohej. Shtëpia i kalonte një farë Muço Mevlanaj, emrin e të cilit nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë në jetën e tij…”
-“- Shoku oficer, ju lutem, të paktën sa të varros djalin dhe iki, vetëm më lini sa të varros çunin! – e bëri një gjest, si të donte të thoshte se kam vetëm këtë kërkesë.
Dy ushtarët, ndërkaq kthyen. Iu afruan oficerit dhe Mithat Beshirit, që po rrinin në hije, mbështetur për mur. Diçka i përshpëritën komandatit të tyre të kompanisë. Ai, sapo e mori përgjigjen, i bëri me gisht Zoit që të afrohej e i tha:
– Lironi shtëpinë! Nuk ju jepet kohë! Vendimi i marrë nuk anullohet! Duhet të dilni!
– Ju lutem, shoku komandant! Të paktën, sa të varros djalin!
– Jo! Djali dëbohet bashkë me ju! Varroseni atje ku do të shkoni!
– Si? Të varros djalin atje? – tha me habi Zoi.
– Po, se emri i tij është në listë këtu, sipas certifikatës. Jeni të dëbuar! Bëhuni gati e dilni!
– Po dal, por … po pres karrocën e të vdekurve këtu jashtë, po varros djalin dhe … ç’të bëj, … po nisem! Ta varros të paktën! – tha duke mërmëritur Zoi. Deshi të merrte aprovimin, si në heshtje, të paktën, për varrimin e të birit në Tiranë.
– Do ta varrosësh atje ku po shkon! Jo në Tiranë! Do ta marrësh me vete. Ky është urdhri!
– Aman, more burrë … më kuptoni, mos kështu! – tha Zoi me vuajtje të dukshme në fytyrë…”
-Fragmentet jane marrë nga libri :
“INTERNIMI I KUFOMES”,me autor Marçel Hila…
—————————————————————-
Nga Nga Agim Bajrami
Udhëtimi i kufomës nëpër terrin komunist
Proza e Marçel Hilës të bën të drithërohesh me pasqyrimet dramatike të luftës së klasave në vendin tonë.Njohës deri në detaje i krimeve komuniste, por edhe përjetues dhe dëshmitar i tyre, çdo frazë e saj përshkruese të lë, si pa dashur, në duar grahma viktimash të pafajshme e grumbuj pikash gjaku. Të gjitha këto, të vendosura në një gjysmë qielli të vrarë keq nga dimrat e urrejtjes dhe në një tokë të tharë prej mallkimesh. Tragjedi mbas tragjedie, vrasje mbas vrasjesh, peizazhet nën të cilat të udhëheq proza narrative e këtij autori, janë të mbushura vazhdimisht me këngë korbash. Liria është vetëm një pikëz e vockël dhe e pandier, mbetur pezull dhe e paarrirë nga askush. “Internimi i kufomës” s`është tjetër veçse metafora rrëfimtare e autorit, kushtuar kalvarit të vuajtjeve të një familjeje të madhe shqiptare, emri i së cilës, në vend të piedestalit, u luftua me cinizmin dhe me egërsinë më të ashpër nga pushteti komunist. Heronjtë dhe antiheronjtë e parë nga këndvështrime të ndryshme, shpresat dhe zhgjendrrat që lozin dramën e njëra – tjetrës, të gjitha këto nën një dekor dhe regji të menduar më së miri, të tërheqin si padashje brenda tyre. Proza e autorit M. Hila thërret dhe klith në të njëjtën kohë, klith për mizoritë dhe vdekjen e trurit të Kombit, por edhe thërret që e shkuara e korbave të mos rikthehet sërish në çerdhen e saj të kobshme.
Narracioni i Marçel Hilës ngjan se është ndërtuar mbi kufomën e një shprese dhe zhvillohet me drita të fikura. Dhe se kjo mund të jetë një lojë skenike. Themi lojë sepse brenda gjysmë territ ku është vendosur kjo kufomë, zëra të padukshëm kanë filluar të mendojnë ringjalljen. Është vetëdija e Kombit që ka nisur të flasë me të nesërmen dhe që merr, në këtë roman, metaforën e jetës.
Familja e Zoi Xoxës dhe e qindra familjeve të tjera atdhetare, ishin ato që do t`i tregonin këtij vendi të lodhur se, mbas çdo tuneli, ka dritë.
I gjithë ky roman udhëhiqet nga kredoja e lirisë dhe UN-i i saj, ashtu siç e përcakton edhe vetë autori me një frazë që ka forcën e një postulati: “Nata, sado e zezë sterrë, e ka ndriçimin e vet.”
Bazuar në një histori të vërtetë, në kohën kur në Shqipëri po zinte vend regjimi më gjakatar, ai i Enver Hoxhës, dhe kur po formohej Blloku famëkeq i udhëheqjes komuniste, një shtëpi intelektuali bëhet pré e lakmisë së tyre. Bishat e kuqe, ashtu siç ndodh në xhungël, fillojnë e lëpijnë buzët nga era e gjakut të viktimës. Të përgatitur për ta ndërtuar parajsën e tyre mbi jetët dhe lumturinë e të tjerëve, ata nuk ndalen para asnjë lloj krimi e mizorie. “Fitimtarët” duhet të shpërblehen. Dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është diktatura e proletariatit.
Që në hyrje të kësaj vepre, lexuesi zhytet në atmosferën e ngrirë të sistemit, në paranojën e udhëheqësve të tij dhe e ndien veten si në një çark në mes të pyllit.
Viktima të çdo moshe dhe seksi, të lidhur me pranga dhe me zinxhirë, britma të pështira çobanësh me uniformë dhe me dialekte të pagdhendura, të orientojnë artistikisht se jemi në epokën e hakmarrjeve bizantine dhe të sjellin ndërmend personazhet e novelës së Xhek Londonit, “Forca e të fortëve”.
Janë këta personazhet dhe ky dekor tragjik mbi të cilën nis udhën e tij romani. Është me pak fjalë, hapja e perdes së tmerreve që do të pasojnë. Me një frazë elegante, dëshmi e kulturës së autorit dhe të ngarkuar me përshkrime të gjithfarëllojshme, vepra e Marçel Hilës, arrin të na japë një dimension të caktuar historik, njerëz realë, si dhe mesazhe të drejtpërdrejta të një shtrese shoqërore që ende ulërin nga padrejtësitë që i janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen mbi shpinën e saj. Është i njohur për këdo roli patriotik i Zoi Xoxës, këtij politikani dhe gazetari me emër të paraçlirimit, i cili nuk u pajtua asnjëherë me padrejtësitë e pushteteve të çdo lloj ngjyre dhe që penën e vet e ngjeu me gjakun e shpirtit dhe e vuri përherë në shërbim të Kombit. Është një hero për të cilin gjithkush para veprës së tij, do të përkulej me nderim të veçantë.
Zoi Xoxa, së bashku me Branko Merxhanin, Lame Kodrën, Petro Markon, Ernest Koliqin, Ali Asllanin e shumë të tjerë, hodhën në Shqipëri bazat e publicistikës dhe të gazetarisë moderne; por, mbi të gjitha të asaj pa kompromis dhe të ndershme. Janë këta emra të cilët, me shkrimet e tyre, e pajisën mendimin intelektual të asaj kohe me koncepte e qëndrime të reja dhe të guximshme Janë ata që sollën, në skenën e këtij mendimi, ngjyrat dhe vizionet europiane. E pra, ata nuk e menduan asnjëherë se të ishe vetvetja aso kohe, dhe të ishe nacionalist, do të thoshte të kishe mbi kokë shpatën e Damokleut.
Romani e parapërgatit lexuesin se tragjedia po afron. Me një thjeshtësi njerëzore, autori na fut, si pa ndjerë, në atmosferën e atyre viteve ; na njeh me personazhe historikë të politikës dhe të tjerë, me mjedise familjare dhe publike. Ashtu si një gërmues i objekteve të së shkuarës, ai ka aftësinë jo vetëm të zbulimit, por edhe të vendosjes së tyre në stendën e duhur.
Duke u futur në analizën psikologjike të këtyre personazheve, romani arrin të na ofrojë marrëdhëniet shoqërore të mbarsura me aq konflikte në atë periudhë, psikologjinë dhe demagogjinë e sunduesve të rinj komunistë. Gjithçka në roman lëviz dhe parashtron në funksion të këtij qëllimi. Ngërdheshjet e sistemit, cinizmi, fodullëku dhe mënyra prepotente me të cilët ata filluan t`i ndërtojnë marrëdhëniet me shtresat e përmbysura, janë gongu paralajmërues i atij llahtari që do vinte: “Andej nga fundi i muajit tetor – thotë autori – në shtëpinë e Zoit u paraqit vetë babai i Koçi Xoxes. – Jam babai i një njeriu shumë të rëndësishëm të qeverisë së re, të ardhur nga malet; kemi marrë shtëpinë përballë, atë të Petraq Katros”. Këtë detaj autori e ka vendosur si për t`i paraprirë rrëfimit të mëtejshëm të tij. Rrëfim i cili do të na udhëheqë vazhdimisht nëpër rrugë dhe shtigje të pafundme. Simbolika të cilën autori e vesh me një dritë fosforeshente, vendos piketa të njëpasnjëshme për ngjarje dhe ndodhi që do ta shoqërojnë këtë udhëtim.
Disa nga simbolikat janë ngritja e postbllokut të ri, çka krijon në atmosferën e përshkrimit, një ajër të rëndë shpirtëror: “Ishte kohë dreke – shprehet autori – kur Kostaqi po kthehej për në shtëpi. Për çudi të tij, kur desh të shkonte andej nga kalonte çdo ditë, dalloi një postbllok që nuk e kishte parë në mëngjes”. Vetë prania e këtij objekti për qëllimin e narratorit ka dy funksione: ndarje nga bota tjetër, ajo e zakonshmja, dhe izolim. A nuk bëri sistemi të njëjtën gjë ca vite më pas me të gjithë shqiptarët? Pesha psikologjike me të cilën e ngarkon rrëfimin, vendosja e këtij objekti, i ka shërbyer këtij autori për të na dhënë natyrën demoniake të sistemit që po formësohej.
Vepra është një udhëtim real në një botë fantazmash të gjalla, kafshimi i përbindëshit mbi njerëz që donin të jetonin si gjithë të tjerët. Shkelja e dinjitetit të tyre dhe mbi të gjitha përdhosja e të vdekurve nga të gjallët e veshur me pushtet, në kundërshtim me çdo traditë tonën.
Si një psikanalist shumë i mirë autori, nga faqja në faqe, mbasi tregon natyrën vrastare, kundërnjerëzore të qeverisë së re, – konfiskimin e pasurive, arrestimin, masakrimin e klasave të përmbysura, – arrin, nëpërmjet figurës së Muzakës të sëmurë, të bëjë edhe një lloj diagnostikimi të shoqërisë së atëhershme shqiptare: “Ekziston një lidhje e fortë por e padukshme mes fizikes dhe shpirtërores, të cilën sëmundja e vë në dukje, por pastaj e dërmon. Vuajtja në këto raste është e thellë, dhimbja e madhe, sepse fizikja e vret shpirtëroren”.
Qoftë edhe me këtë pasazh filozofik, autori na paraqet portretin e atdheut të tij të sëmurë e të përvuajtur. Mbi trupin e tij, virusi i komunizmit vazhdon të vrasë. Njerëz si Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Muço Mevlanaj etj. lëvizin si krimba dhe nuk ngopeshin së bëri ligësira. Ja si e përshkruan shefin e gardës autori: “Ishte i pamëshirshëm, inatçor; bënte atë që ia thoshte egërsia e tij.Ishte i pandjeshëm dhe i pëlqente pashpirtësia e vet.” Ky karakter më kujton fare mirë një nga personazhet e Shollohovit, të quajtur Mitkë Korshunovi, i cili edhe para gjakut të fëmijëve kënaqej dhe zgërdhihej si një bishë e vërtetë. Detyra e autorit me këta personazhe është e qartë: t`i vendosë ata në mjedise dhe në situata të caktuara, me synimin e vetëm për të nxjerrë në pah suportin mbi të cilin do të vendosej regjimi i ri. Njerëz injorantë, intrigantë, që karrierën e tyre do ta zhvillonin vetëm mbi Golgotat e krimit.
Ky lloj regjim barinjsh do të ishte i aftë të bënte edhe masakrat më të paimagjinueshme e pa keqardhjen më të vogël.
Vepra ballafaqon karaktere dhe tipa të ndryshëm të kohës, idealistë dhe mashtrues, njerëz të thjeshtë dhe intrigantë. Duke gërmuar hap mbas hapi në jetën e tyre, autori bën dy punë njëherësh: pasqyron vlerat morale të një kombi, por dhe antivlerat që nxiste regjimi. Është emocionues dhe domethënës udhëtimi rrugë e pa rrugë nëpër natë, për të mundësuar varrosjen e djalit të vdekur dhe ndihma që do t`i japë familjes fatkeqe Galip Merxhani, kryetari i këshillit të fshatit Shtyllas. Zhgënjimi i këtij njeriu përballë burokracive dhe antihumanizmit të strukturave të shtetit, zhvillohet në trajtën e një reaksioni kimik. Ky personazh, ndonëse është njeri i asaj administratës shtetërore dhe ka luftuar për ardhjen e këtij pushteti, e kupton më së miri natyrën demagogjike të shokëve të tij të idealit komunist.
Ky moment përbën dhe një nga çastet kulmore të romanit. Ai, zbulon krisjen e madhe që do pasonte shoqërinë shqiptare, në vitet e ardhshme.
Galipi e kupton kotësinë e asaj lufte dhe të gjakut të derdhur.
Figura qendrore e romanit ndriçohet vazhdimisht nga autori me një dritë të kursyer, ashtu sikurse ishte dhe vetë koha. Kalimi i tij, nga një stad jetësor në një stad të panjohur dhe të papritur, do t`i krijonte atij vështirësi dhe kokëçarje të shumta. Shkuarja në hekurudhë e të vëllait të Muzakës, vështirësitë e punës, vdekja e vëllait të Kostaqit, mos lejimi për ta përcjellë për në banesën e fundit dhe largimi nga shkolla si edhe internimi, ishin plagë shumë të rënda për psikologjinë e një djaloshi. Si do t`i përballonte vallë ai, këto? Kjo është një pyetje që qëndron e ndehur në faqet e romanit. Figura e njeriut në udhëkryqin e jetës, pa të ardhme dhe pa asnjë ndihmë, është sunduese në këtë libër. Në çdo çast të pasqyrimit të këtij karakteri, krahas vërtetësisë jetësore, autori ka ditur ta veshë këtë karakter edhe me një botë të madhe shpirtërore, të japë artistikisht dyzimet, ankthin, brengat por edhe diellin e shpresës për ta nxjerrë atë nga ajo gjendje. Kostaqi të bën për vete me natyrën e tij të veçante djaloshare, me pasurinë e ndjenjave dhe me botëkuptimin e tij të përparuar. Është një njeri që sa më shumë ndëshkohet nga jeta, aq më tepër i mpreh armët e mbijetesës në atë realitet. Ai është vetë forca lëvizëse e romanit. Është simbolika e atij që e shikon të vërtetën e hidhur në sy, pa u dorëzuar para saj. Ideja e qëndresës dhe ruajtja e dinjitetit edhe në kushte të rënda është shqetësimi i tij kryesor. Do të mjaftonte të përmendnim aktin e përmbushjes së amanetit të Muzakës për të takuar të dashurën e tij, Marjetën, dhe për ta çuar atë, me tufën e saj të luleve, te varri i të vëllait. Familja e Zoi Xoxës përfaqëson në romanin e Marçel Hilës, viktimat e një krimi të pandëshkuar akoma.
Ajo familje përbën një sinonim të atyre patriotëve dhe intelektualëve të shkolluar jashtë shtetit që erdhën në vendin e tyre me dëshira dhe vullnet për të kontribuar për këtë vend, por që e paguan shtrenjtë idealizmin e tyre. Në antitezë, është familja e Muços nga Brataj i Vlorës, familje e cila e mësuar me zakonet e fshatit dhe me mënyrën e saj të jetesës, krijon episode komike kur vjen për të banuar në vilën e Zoit.
Romani e paraqet si në një karikaturë mentalitetin e kësaj shtrese të lindur dhe të rritur mes një injorance ekstreme. Dritëhijet që shoqërojnë pjesëtarët e kësaj familjeje, e sjellin dukshëm para nesh se kush ishin ata që do të qeverisnin shqiptarët.
Ky libër të bën për vete, sa për shumësinë e ngjarjeve dhe problematikat që i shoqërojnë ato, aq dhe për mënyrën e rafinuar të zgjidhjeve, për idetë dhe mesazhet e tij. Gjatë të gjithë kohës së leximit nuk të ndahet një lloj tronditje dhe ankthi në shpirt. Njerëz të cilëve u është prerë kënga e jetës në mes, pa mëngjese dhe të ngarkuar me terr, tringëllima prangash dhe jetë në udhëkryq.
Fokusi i vështrimit të autorit i ndjek ata hap pas hapi. Detajet e shumta artistike dhe të goditura, linjat e ndërthurura më së miri mes tyre, si edhe një gjuhë mjaft e figurshme, i japin narracionit një fuqi të admirueshme. Romani e zhvillon vetveten sa nëpërmjet pasqyrimit besnik të jetëve të personazheve, aq edhe nëpërmjet refleksioneve që i shoqërojnë ata. Notat tragjike të jetëve të tyre përhapin një lloj kumbimi në ndërgjegjen tonë, duke na bërë të mendohemi dhe të marrim pjesë aktivisht në dhimbjen e tyre. Vihet re simpatia e autorit për personazhet e tij tragjike. Duke qenë edhe vetë përjetues i ngjarjeve të tilla, atij nuk i kanë shpëtuar edhe hollësitë më të imta nga jeta e personazheve të tij. Përthyerjet e vazhdueshme të romanit, i kanë dhënë rrëfimtarit mundësi për ta bërë veprën sa më të rrjedhshme dhe interesante në lexim.
Romani i M. Hilës nuk është vetëm një subjekt apo histori e një familjeje. Ai nuk ngjason me shfletimin e një dosjeje të caktuar, por më gjerë akoma. Është një këngë e trishtuar për fatin e njerëzve të pambrojtur në diktaturë, një kujtesë se deri ku mund të shkojë shpirtligësia dhe hakmarrja e njerëzve injorantë, por të veshur me pushtet. Është kjo arsyeja që, mbasi e mbaron këtë roman, lexuesi ndjen nevojën për të psherëtirë dhe, pse jo, edhe të urojë që kohë të tilla të mos vijnë kurrë.
http://gazeta55.al


Leave a Reply