Procesi nis me dy familjet që u pajtuan dy ditë më parë në Prosek
Nga Aleksandër Ndoja
Mirditë/ Kisha Katolike të shkishëron, por edhe të bekon. Të shkishëron kur aplikon zakonin aspak burrëror kur vret për gjak me hak a pa hak, por edhe të bekon nëse gjen mundësinë për të falur. Nëse nisma për shkishërimin e atyre që vrasin vjen prej Arqipeshkëvisë së Shkodrës, Ipeshkëvisë së Sapës dhe Lezhës, plotësimi i saj, bekimi në rast falje vjen nga një famullitar i vetëm i Dioqezës së Rrëshenit.
Ai quhet Don Ambroz Demaj nga Stubulla, në fshat në Viti të Kosovës, por që prej më shumë se pesë vitesh shërben si famullitar në Mirditë, ku është kurorëzuar si prift për herë të parë. Don Ambroz Demaj ka qenë famullitar i Kishës së Kthellës ku bën pjesë edhe fshati Prosek, por tashmë shërben në të njëjtin pozicion, në Kishën e Kaçinarit po në Mirditë.
Ai thotë se “e kam mësuar që para dy muajsh ngjarjen e rëndë në fshatin Prosek dhe kam qenë gjithnjë i shqetësuar për një precipitim të mundshëm të situatës, duke ditur se në kësi rastesh ngjarjet mund të marrin për më të keqen. Me keq më vinte edhe për faktin se unë kam shërbyer në këtë zonë, dhe të dy familjet i njihja si familje me fqinjësi të mirë me të gjithë. Kur sot mësova përmes shtypit se këto dy familje kishin gjetur gjuhën e mirëkuptimit jam gëzuar pa masë, prandaj u mendova gjatë, dhe arrita në përfundimin se këta dy familje duhen vlerësuar për aktin human dhe njerëzor, të futjes së tyre në rrugën e Zotit, i cili siç dihet është pranë njerëzve për ti mësuar ata të vlerësojnë jetën e tyre, jetën e tjetrit. Prandaj kërkova që të bëj aq sa mundem, aq sa Zoti më urdhëron për vlerësimin e këtij akti të rrallë në kohën që jetojmë, dhe të lutemi me shpresën që ky rast të mos jetë i izoluar por të përhapet kudo”. Duke përfunduar don Amroz Demaj thotë se “kisha me i lutur të gjithë meshtarët ta përqafojnë këtë nismë, pasi kështu jepet një ndihmë e madhe në forcimin e lidhjeve mes njerëzve me besimin te Zoti”.
Në banesën e Pal Gjin Lleshit

Edhe pse bie shi pa pushim porta e Pal Gjin Lleshit qëndron e hapur. Brenda saj është Pali mbi 70 vjeç, fëmijët dhe gratë. Njëri prej tyre ende qëndron në burg në Lezhë, pikërisht për këtë ngjarje, por familja ndjehet shumë më e lehtësuar. Pali thotë se “prej ditës së djeshme jam shumë më i lehtësuar. Hoqa prej vetes barrën e rëndë të mbajtjes peng të një tjetër familjeje”. Në bisedë me Priftin ai është edhe më i hapur. Ai thotë se “gjatë gjithë kohës kam pasur një trysni të fortë nga njerëzit si për mirë si për të kundërtën. Pati nga ata që më thoshte se familja tjetër të ka dy gjaqe borxh, pasi të ka hedhur granatën në oborr ku kisha gra dhe fëmijë. Pati të tjerë që kërkonin të shuanin gjakrat. Unë sot jam më i lumtur dhe i qetë, pasi me nuk jetoj me ndjenjën e hakmarrjes”, thotë 70-vjeçari Lleshaj.
Ndërsa dom Ambroz Demaj vlerëson shumë aktin e pajtimit mes dy familjeve. “Pikërisht për këtë sot vendosa të vij këtu në banesën tënde për të ngritur një meshë të shkurtër me lutjen që të gjithë ata që kanë gjaqe për të marrë, të çlirohen prej kësaj vuajtje të pa fundme, të çlirohen nga kjo barrë e rëndë që thuhet se rrjedh prej kanunit, por që është e dënueshme nga Zoti e të gjithë”. Don Ambrozi duke vijuar më tej tha se “veprimi juaj është fisnik dhe i vlerësueshëm. Ju keni siguruar një të ardhme për fëmijët tuaj, si dhe fëmijët e familjes tjetër. Keni qetësuar të afërmit e të dy palëve dhe vetë fshatin Prosek që gjatë shërbimit këtu e kam njohur si një fshat i qetë dhe me nivel të lartë kulturor dhe të qytetëruar. Rruga e re që ka lidhur këtë fshat me qytetin padyshim është edhe një ogur i mirë për më shumë qytetërim, për më shumë harmoni, dhe mbi të gjitha për më shumë besim te Zoti”. Më pas të gjithë familjarët janë grumbulluar në një dhomë ku edhe kanë ndjekur ritet fetare me këtë rast, deri në përfundimin e saj ku është finalizuar me hedhjen e ujit të bekuar tek secili pjesëtar i familjes dhe në ambientet brendshme. Familjarët e Pal Gjin Lleshit kanë falënderuar përzemërsisht Don Ambroz Demajn, që mbështeti veprimin e tyre të faljes së gjakut, dhe për nismën e tij që do të funksionojë në çdo rast të faljes së gjaqeve dhe shuarjes së konflikteve të natyrave të ndryshme.
Bekimi i rradhës, në shtëpinë e Kol Gjet Dedajt
Të mbërrish në banesën e palës tjetër që ishte në konflikt nuk ke nevojë për përdorësh makinë. Është vetëm 100 metra larg shtëpisë së Lleshajve. Ajo ndodhet në një rrugicë sapo lë murin rrethues të Palit. Dy shtëpitë janë shumë pranë në një fshat, më i madhi në të gjithë rrethin e Mirditës. Te porta na pret Kola i cili nuk e fsheh gëzimin prej ditës së djeshme. Kola thotë se “për pak mbush të 70-tat, por kurrë nuk e kisha menduar se do të vihesha në një pozitë të vështirë prej 23 korrikut. Kisha dëgjuar për ngujime, konflikte, gjakmarrje, por i kam përjetuar nga jashtë. Vetëm kur e provon vetë e kupton se sa e rëndë është”. Ai vijon duke folur gjatë për faktin se me Palin e Lleshajve ishin moshatarë, kishin kaluar 70 vite së bashku, por nuk e kishte besuar se do vinte një moment që do viheshin në dy llogore të kundërta. Ai falënderon të gjithë ata që ndikuan për shuarjen e këtij konflikti.
Nga ana e tij Don Ambroz Demaj pasi ka vlerësuar lart aktin fisnik të dy familjeve e ka sqaruar mbi nismën e tij e cila zuri fill pikërisht sot, sapo ka parë në gazetën “Tirana Observer” ku jepej me detaje ky akt njerëzor. Don Ambrozi foli gjatë mbi nevojën që ka njeriu për Zotin i cili gjithmonë vlerëson jetën e njeriut si më të shenjtën, duke theksuar faktin se askush nuk ka të drejtë ti marrë jetën tjetrit.
Në fund edhe në këtë banesë është zhvilluar ceremonia e bekimi të pjesëtarëve të gjithë familjes, ndërsa dom Ambroz Demaj ka marrë falënderimet dhe inkurajime nga shumë banorë të këtij fshati, për nismën e cila do të ketë ndikim të rëndësishëm në procesin frenimit të gjakmarrjes, proces i cili ka shkaktuar vrasje tronditëse si në gra dhe fëmijë.
Tiranaobsever
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply