GJIROKASTËR – Gjashtë tituj shkollorë të arsimit 9-vjeçar, që janë prodhuar për nxënësit e minoritetit grek nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar (SHBLU), me një vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, nuk plotësojnë asnjë kriter metodik, madje ato nuk janë certifikuar nga Albateksi, si institucioni i vetëm që certifikon standardin e librave shkollorë. Lidhur me këtë skandal kanë reaguar mësuesit minoritarë, por dy drejtoritë rajonale të arsimit Gjirokastër dhe Sarandë, janë munduar ta fshehin një fakt të tillë.
Tekste skandalozë…
Burime konfidenciale nga Drejtoria Rajonale e Arsimit për Qarkun e Gjirokastrës, pohojnë për gazetën “Metropol”, se 6 nga 30 tekste shkollore janë jashtë programit mësimor. Një tjetër abuzim në përmbajtjen e teksteve gjendet edhe ne librin “Qytetaria 9”, ku një prej temave mësimore është diskriminimi i shqiptarëve nga shteti grek. “Nuk e kuptoj si është e mundur që një temë e tillë është futur në librat shkollorë. Kjo është çmenduri”, shprehet një mësuese, e cila preferoi të ngelet anonim. Skandali thellohet akoma më shumë, ku në librin e klasës së gjashtë “Gjuha Greke 6”, në faqen 41, flitet mbi lindjen e Jezu Krishtit, madje ajo është shoqëruar edhe me një fotografi. “Kjo temë është e ndaluar me ligj. Shkollat publike janë laike. Kjo tregon se tekstet shkollore për minoritetin grek janë realizuar me shpejtësi, pa u certifikuar nga Albatekst”, thotë Maluq K., mësues i ciklit 9-vjeçar. Situata rëndohet akoma në shkollat e minoritetit, ku nxënësit vazhdojnë të marrin dije me librat që janë prodhuar një vit më parë, pasi SHBLU-ja ka dorëzuar pranë drejtorive arsimore vetëm 1 kopje nga 100 kopje që ishin parashikuar në kontratë. “Tekstet shkollore duhet të marrin pëlqimin e mësuesve, por një fakt i tillë nuk ka ndodhur, përkundrazi, SHBLU dhe Ministria e Arsimit ka vendosur “veton”, duke mos pyetur fare stafin pedagogjik”, mendon Maluqi.
gazetametropol.com
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply