“Nëse nuk do të zbatohet ligji për tu dënuar tre të akuzuarit që mendohet se kanë rrëmbyer dhe kanë zhdukur Remzi Hoxhën, familjarët e këtij të fundit do të zbatojnë kanunin e Lekë Dukagjinit”. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme Ardian Hoxha djali i Remzi Hoxhës, i cili është i pakënaqur nga drejtësia shqiptare.
Seanca
Gjatë seancës së radhës për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes trupi gjykues ka vendosur të shtyjë seancën për dhënien e pretencës për tre ish-zyrtarët e lartë të ish-SHIK-ut, të cilët dyshohen për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha 16 vite më parë. Seanca e radhës ndaj të pandehurve, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro do të zhvillohet më 16 tetor, kur prokurorja Elisabeta Imeraj, e cila ka marrë në duar dosjen e shumëpërfolur pas vdekjes së prokurorit Xhevat Hana, nga një sëmundje e rëndë, do të japë pretencën për të akuzuarit. Gjyqi ndaj tre punonjësve të SHIK-ut po vazhdon prej pesë vitesh në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokurori i ndjerë Xhevat Hana solli në sallën e gjyqit dhjetëra dëshmitarë, si dhe prova të tjera për të provuar fajësinë e tre të pandehurve. Tashmë kur dosja është drejt fundit, është në duart e prokurores Imeraj, e cila duhet të bëjë kërkesën për fajësinë e tre të pandehurve në gjykim. Djali i Remzi Hoxhës bëri thirrje për drejtësi dhe tha se nëse nuk zbatohet ligji, familjarët e Remzi Hoxhës do të detyrohen t’i rikthehen Kanunit.
Ardian Hoxha
Djali i biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, Remzi Hoxha i ka dërguar një letër të hapur Prokurorisë dhe Gjykatave ku kërkon që të bëhet drejtësi për babain e tij. Ardian Hoxha dhe familja e Remziut vlerësojnë se tani është momenti kur drejtësia në Shqipëri do të dëshmojë nëse do ta kalojë testin, ose jo. Në këtë letër publike, djali i Remzi Hoxhës shpjegon se tani është momenti kur do të shihet nëse Sali Berisha është mbi drejtësinë, apo jo. “Familja jonë mbetet me shpresë se drejtësia do të vihet në vend dhe si rrjedhojë do të gjenden eshtrat e babit tim, dhe të ndalen së rrituri plagët e familjarëve të mi dhe miqve të familjes. Duhet ta kuptojë Sali Berisha dhe klani i tij mafioz se përveç torturimit të babait tim dhe vrasjes së tij, edhe familja jonë është duke u torturuar prej 17 vitesh. Ne presim që drejtësia në këto momente ta bëjë punën e saj ashtu siç duhet dhe t’i tregojë opinionit shqiptar dhe gjithë botës se nuk është e ndikuar dhe e manipuluar nga Sali Berisha dhe klani i tij mafioz. Shpresojmë se nuk do të na i rrisin plagët dhe të na i shtojnë dhimbjet edhe më shumë”, – thuhet në letrën e Ardian Hoxhës.
Tiranaobserver
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply