Në Kosovë, në “Ditët e Diasporës-2012
Bisedë me Kastriot Lekdushin, zemra dhe shpirti i grupit polifonik “Vëllazërimi”
Një udhëtim drejt Kosovës, njërës prej copës së prerë nga trualli shqiptar menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, pa dyshim të le mbresa, të mbush zemrën dhe shpirti. Kështu ndodhi me mu, kështu ndodhi edhe me grupin “Vëllazërimi”, kështu ndodhi edhe me fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi që u bënë pjesë e kampingut të madh me fëmijë mërgimtarësh shqiptarë ardhur në Kosovë që nga rrethi polarë e deri në Mesdhe. Unë ende ruaj në shpirt emocionet e mëdhatë përjetova në “Ditët e Diasporës 2012”. Sot po ua lë radhën emocioneve të Kastriot Lekdushit në bisedën me të për “Bukën e Zymit”, “Zonjën e Hasit”, Prishtinën, Prekazin…
Një udhëtim i gjatë, rreth 1500 kilometra, është kosto, lodhje, shqetësim vetjak por edhe familjar: ditë pune të humbura e të papaguara, shpenzime udhëtimi, ditë të tëra përgatitje për ta bërë këngën të ushtojë, tu flasë njerëzve me fjalën dhe ison e saj. Ju, me sa ju kam ndjekur tash e shumë vite jeni kurdoherë të pranishëm. Si i përballuat këto?
Si shqetim kryesor kishim anën financiare, në veçanti udhëtimin, i cili nuk futej në shpenzimet e organizatorve.
Vendosëm bashkërisht me pjesëtarët e grupit që nisja të bëhej nga Tirana në 13 gusht, pra shpenzimet e udhëtimit Athinë-Tiranë do të përballoheshin nga vetë pjesëtarët e grupit…

Si gjithnjë, gati, si një trup i vetëm…
Udhëtimin Tiranë –Prishtinë, mbasi ju drejtuam Ambasadës së Republikës tonë në Athinë, disa drejtuesve të shoqatave, agjenci udhëtarësh të linjave Greqi-Shqipëri, si dhe disa biznesmenëve lokalesh me shqiptarë, me përjashtim të kompanisë së udhëtimit MAKSA-TRAVEL me president Thimjo Maksakulin dhe biznesmenit emigrant nga Krasi i Tepelenën Razi Kapllani, askush tjetër nuk u bë i “gjallë”.
Një vlerë e bukur që meriton të përshëndetet…
Ndaj gjej rastin t’i përshëndes në emër të të gjithë pjestarëve të grupit zotin Thimjo Maksakuli dhe zotin Razi Kapllani për kontributin dhe angazhimin e tyre atdhetar në realizimin e veprimtarive tona kulturore. Dua të theksoj se zoti Thimjo Maksakuli është i vetmi sponsorizues i veprimtarive tona jashtë Greqisë. Këtë herë kjo kompani na vuri në dispozicion një autobuz komod për katër ditë, gjë e cila jo vetëm na lehtësoi udhëtimin, por na krijoi edhe mundësi që vizitën në Kosovë ta shfrytzonim maksimalisht në vëndet historike !
Të zbresim në mjedisin e bukur të Kosovës, mikpritësit me shpirt e zemër…
Komunikimin me Ministrinë e Diasporës së Kosovës e kishim me zonjushën Arta Kallaba, zyrtare e lartë në këtë ministri. Në datën 13 gusht në mbrëmje mbërritëm në Prishtinë dhe u sistemuam në hotelin “ORA”, në qëndër të kryeqytetit atje ku keni qenë edhe ju para nesh. Të nesërmen herët në mëngjes vjen zonjusha Arta e shoqëruar me katër nëpunës të tjerë të kësaj ministrie, me të cilët u takuam dhe bëmë prezantimin e çastit. Ishte një takim tepër vëllazëror dhe i përmallshëm. Dukej sikur kishim vite që njiheshim me njëri tjetrin.U njohëm me programin e organizatorëve dhe ditën e parë ia kushtuam njohjes me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Nga sa lexoj në program ju ishit pjesë e manifestimeve në fshatin Zym të Hasit më 15 gusht 2012 ku do të paraqiteshit të parët në programimet e veprimtarive. Mund të na flisni pak për Zymin dhe njerëzit e tij?
Grupi ishte planifikuar të prezantohej dhe të jepte një koncert në fshatin Zym të Hasit, trembëdhjet kilometra në veri –perëndim të qytetit historik të Prizrenit, rrëzë malit Pashtrik.
Është një qëndër e krahinës së Hasit me vlera historike. Është vëndlindja e Abetares të 1900-tës dhe e mësonjëtores së gjuhës shqipe në ato treva shqiptare. Zymi i Hasit njihet si vëndi i mjeshtrave bukëpjekës dhe feston tradicionalisht këtë vlerë dhe mjeshtëri të cilën e zotërojnë edhe sot!
Organizatorët e kishin planifikuar prezantimin dhe koncertin e Asamblit “Vëllazërimi” nga Greqia, në Zym të Hasit në 15 gusht për faktin se në këtë fshat çdo viti festohet tradicionalisht festa fetare “ZONJA E HASIT” me një pjesmarrje masive.
Kur mbërritëm në Zym të Hasit jetuam një çast të pa imagjinueshëm. Atje do të gjenim mbi dhjetëmijë banorë të cilët kishin ardhur nga mbarë Kosova në festën e “ZONJËS së HASIT” dhe të “BUKËPJEKSËVE”. Në qendër të fshatit na priti zëvendës ministri i diasporës z. Qerim Bajrami dhe z. Frrok Kristaj organizator i veprimtarive kulturore në fshatin Zym.
Ndoqëm meshën, parakalimin tradicional të Zonjës së Hasit dhe përurimin e një përmendoreje.
Zëvendësministri i Diasporës Qerim Bajrami së bashku me mjeshtrin bukëpjekës Dodë Lekaj zbuluan përmendoren “GURI KURBETQARIT”, një vepër arti e cila i kushtohet plagës së rëndë të kurbetit. Mbas këtyre veprimtarive të planifikuara nga organizatorët, por edhe nga traditat e krijuara, do të jepej një koncert në amfiteatrin “SHTJEFËN GJEÇOVI” në qendër të Zymit.
Si u paraqit grupi juaj?
Në koncertin e organizuar grupi ynë u paraqit me tre këngë të cilat u mirëpritën dhe u duartrokitën ngrohtësisht edhe pse koncerti jepej në një zonë ku pak e njohin polifoninë. Kënga “Vajzë e nënës moj Kosovë”, “O Shqiponjë e Shqipeve” dhe kënga “Jap e marr” ngjallën shumë interes edhe tek media e pranishme të cilat në kanalet kryesore televizive Kosovare u transmentuan në një kohë të shpejtë. Interesim të veçantë treguan edhe gazetarë të ardhur nga diaspora të cilët kronikat i plotsuan me intervistat e dhëna nga ana jonë. Por programin tonë e pasuroi dhe ja rriti vlerat rapsodi me çifteli nga Burreli Ikli Pavaniu, i cili ishte një kënaqsi e veçantë në amfiteatrin e mbushur plotë e përplotë me pesëqintë vënde.

Prania e çiftelisë i dha grupit “Vëllazërimi” imazhin e një asambli të vërtetë. Mbas grupit “Vëllazërimi” në skenë doli asambli i etnokulturor “Katerina Josipi” i fshatit Zym i cili bëri një iterpertim dinjitoz të valleve popullore kosovare.
Grupi përfaqsues nga Greqia u paraqit edhe më i kompletuar me një dyzinë pikturash të piktorit të mirënjohur në emigracion Sazan Mane. Ekspozita u ndoq me interes dhe u pëlqyen prej vizitorëve.
Guri i gyrbetqarit
“Ditët e Diasporës” në Kosovë janë shndërruar në një shkollë të madhe njohjesh e miqësish. Mund të më tregosh diçka për miqtë dhe miqësitë tuaja në Kosovë?
Në këtë ditë, ku sukseshëm realizuam programin tonë, për të cilin kishim marrë rrugën, patëm njohje dhe takime me përfaqsues të shoqërive shqipëtare në diasporë. Takimi me z.Agim Rexhepi Kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës” ishte jo vetëm emocional, por edhe i frytshëm në kuadrin e një bashkëpunimi të mëtejshëm me njëri-tjetrin. Aq i menjëhershëm ishte reagimi i tyre sa nga emocionet e krijuara ata sapo mbaroi koncerti, në prani të spektatorve vlersuan dhe përshëndetën programin dhe kontributin tonë duke na dorëzuar një Mirënjohje të veçantë të shoqatës së tyre, në sfondin e së cilës është fotografia e ish presidentit Amerikan Bill Klinton. Po kështu takimi me përfaqësuesin e Shoqërisë “Zëmra shqiptare” në Gjermani zotin Dr.Xhevat Muqaku ishte sa vëllazërore, po aq i frytshme e mbresëlënëse. Zoti Xhevat Maquka pjesëmarrjen e grupit tonë në “Ditët e Diasporës 2012” e ka pasqyruar në tre organe shtypi në Gjermani dhe Kosovë: “BOTA SOT”, “ZËRI DITOR” dhe “FAKTI DITOR” si dhe në faqen e internetit të shoqërisë “ZËMRA SHQIPËTARE”. Kostumet popullore të Labërisë tërhoqën dhe ngjallën interes tek përfaqsuesit e medias të pranishëm në këtë eveniment politiko shoqërorë.
Prizreni historik, njeri prej vlerave të mëdha të njëqindvjetorit të shtetit shqiptar sa ishte në programin tuaj?
Mbas koncertit dhe një përcjelljeje të përzemërt e vëllazërore nga banorët e Zymit dhe miqtë e rinj të porsa miqësuar, frymën e mbajtëm në qytetin e Prizrenit, në shtëpinë ku Rilindasit tanë mbajtën “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”. Sigurisht kurioziteti është i pranishëm, por më mbresëlënëse janë momentet kur mbetesh i befasuar para të pa njohurave. Personalisht kam mendimin se kemi shumë boshllëqe, duhet të ballafaqohemi realisht me faktet historike, sidomos brezin e ri duhet ta ushqejmë dhe edukojmë me atë histori të faktushme dhe të pa tjetërsushme.Të flasësh për “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit”, për atdhetarizmin, trimërinë dhe mençurinë e atyre burrave duhen kohë dhe mëndje të ndritura për të kuptuar dhe përvetësuar atë realitet historik.
Thatë që autobusi juaj në dispozicion u krijoi kushte për ta shëtitur Kosovën. Mund të më përshkruani shkurt udhëtimin tuaj më tej?
Mbas një dite të ngarkuar me emocione, përgjegjësi, por edhe me arritje të suksesshme, mbrëmjen e 15 gushtit do ta mbyllnim me një shëtitje në shëtitoren “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Dita e 16 gushtit solli për ne të tjera ngarkesa emocinale. Vizita e organizuar në kompleksin “ADEM JASHARI” në Prekaz të Drenicës ishte tepër shokuse dhe e mallngjyshme. Kishim dëgjuar për legjendarin Adem Jashari, por përballja me ambientet, faktet dhe mjetet e një lufte të pa imgjinushme ishin tepër tronditse. Një kullë e goditur me predha artilerie të kalibrave më të lartë, me granata dhe murtaja të lëvizshme, me një rrethim ushtarak nga një divizion këmbsorie do të merrnin jetën e 60 luftëtarve të Jasharajve në Prekaz të Drenicës, nga 5 vjeçari Bujar Zenë Jashari e deri tek 74 vjeçari Shaban Murat Jashari. Në atë vizitë në kompleksin “ADEM JASHARI” mësova dhe krijova bindjen e plotë, se beteja e Jasharajve në Prekaz të Drenicës është një nga betejat më të përgjakshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare, është kështjella e pamposhtur në historinë e luftrave të kombit tonë për liri. Komandanti legjendar Adem Jashari me veprën e tij përjetsoi 28 nëntorin e 1912. Sakrificat sublime të tij bënë realitet amanetin e Rilindësve tanë. Ndoshta është i nevojshëm një mesazh ndaj brezit të ri: Këtë kështjellë nuk duhet të mbetet as një i ri shqiptar, kudo që të ndodhet, pa e vizituar! Po kështu edhe politikanët shqiptarë kudo ku veprojnë, para veprës së legjendës së Jsharajve të jenë më njerëzorë. Komandant Adem Jashari është i pranishëm në çdo 28 Nëntor, data e lindjes së tij. Ndoshta një koiçidencë, por fama dhe lavdija e tijë historikisht do të jenë të përjetsuara!
Pak për grupin tuaj që tashmë është shndërruar në vlerë kombëtare…
Me grupin folklorik lab “Vëllazërimi” kemi marrë pjesë në disa veprimtari folklorike jashtë Greqisë dhe sigurisht kemi kujtimet tona nga më të mirat, të cilat natyrshëm janë pjesë e angazhimit dhe përkushtimit të pjestarëve të këtij grupi. Janë pasioni për këngën, atdhetarizmi i tyre, kultura dhe profesionalizmi për të dhënë sa më shumë në fushën e folklorit. Sakrificat e tyre janë nga më të ndryshmet, por misionin e tyre si ambasador të kulturës dhe të këngës labe nuk e kanë braktisur. Shfrytëzoj momentin ti falënderoj për ndihmesën që kanë dhënë në organizimin dhe gadishmërinë e tyre në këto vite. Përshëndetjet dhe falenderimet më të përzëmërta për veteranët e këtij grupi:Vasilika Sakaj, Kamber Dajko, Niko Çurri, Perlat Golemi, Ziver Orenja, Emro Çela, Lefter Gjoka, Arjanit Qorri si dhe për rapsodin me çifteli Ikli Pavaniu. Në kosovë grupi shoqërohej edhe nga kryetar i shoqatës “Vëllazërimi” zoti Mihal Dusha, i cili me pranin e tij i rriti vlerat e përfaqsimit të komunitetit të emigrantëve Shqiptarë në Greqi. Edhe prania e operatorit të kanalit televiziv shtetror TVSH, Kujtim Vani ishte imazhi i seriozitetit me të cilën neve ishim angazhuar për të qënë të pranishëm në “Ditët e Diasporës 2012”në Kosovë.
Cili është vlerësimi juaj për ditët e bukura të Kosovës?
Është një pyetje e cila mundet të ishte bërë qysh në fillim të bisedës, por arkitekt i kësaj jeni Ju.
Për mendimin tim, organizimi nga Ministria e Diasporës i programit të “Ditët e Diasporës 2012” është një angazhim dhe përkushtim i qeverisë së Kosovës në tërësi dhe i Ministrisë së Diasporës në veçanti, për të arritur standartet Europiane të jetesës në Kosovën e porsadalë nga lufta. Ftesa e Ministrisë së Diasporës për të marrë pjesë në një program të tillë është një thirrje e cila u bëhet emigrantve shqipëtarë të Kosovës për të rikthyer sytë nga vendlindja, për t’u thënë se vëndi ka nevoj për ta, duhet rindrtuar, duhet zhvilluar arti, kultura, duhet të rritet mirëqenia, që të shërohen plagët e luftës.Ndryshe nga ç’ndodh me qeverinë shqiptare, ku nuk egziston një ministri e tillë, ku ministri i punës i qeverisë shqiptare organizon një ekip, bën një vizitë turistike disa orë-she në Athinë, shpenzon nga të ardhurat e taksapaguesve shqiptarë dhe mbath opingat. Ky është realiteti i qeverisë shqiptare dhe këtu bëhet dallimi midis Kosovës e Shqipërisë.
Dhe mesazhi për organizatorët…
Pritja nga organizatorët ishte nga më të përkryerat. Personalitete më të larta të Ministrisë së Diasporës treguan një përkujdesje të cilën nuk e kemi gjetur gjetkë. Personeli i hotelit “ORA” me pronsi të vëllezërve Caushi (Agim, Hasan dhe Abdulla) ishte i përkushtuar dhe me një shërbim të shpejtë dhe të kulturuar lanë mbresat më të mira. Respekt dhe mirënjohje për gjithë atë personel të mrekullueshëm.
Dhe së fundi dua të shpreh edhe në emër të pjestarëve të grupit, mirënjohjen më të thellë për komisionin organizator të Ministrisë së Diasporës në Kosovë, për mundësinë që na krijoi për të qënë pjesë e programit të tyre. Në veçanti zonjushën Arta Kallaba për kujdesin që tregoi gjatë ditëve
të qëndrimit tonë në Kosovë. Në të njëjtën kohë përshëndesim Ministrin e Diasporës z. Ibrahim Makolli, i cili në pa mundësi për t’u takuar, e nderoi grupin me një Mirënjohje të veçantë!
Ju faleminderit!
Bisedoi Abdurahim Ashiku
Nga Abdurahim Ashiku
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply