Historia e burrneshave (nga fjala shqiptare burrë) është një traditë e vjetër e maleve shqiptare dhe kosovare, që ka lindur rreth 300 qind vjet më parë, ndërsa për to flitet shumë edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodi më i ashpër kombëtar i krijuar deri më sot. Shndërrimi bëhet kur vajza, akoma e vogël, betohet për “pastërtinë” e saj para 12 burrave më të vjetër të fshatit
Qamile Stema
87 vjeçe, më e vogla e nëntë motrave. Qamilja jeton vetëm në Barkalesh, një qytet rreth 6 kilometra nga Kruja. Si të gjitha burrneshat, Qamilja është e autorizuar të pijë raki dhe duhan. Meqë ishte vajza e nëntë e familjes u bë burrë për t’i plotësuar dëshirën babait për të pasur një mashkull në familje, por edhe sepse familja kishte nevojë për një burrë të ri në shtëpi.

Fatime Xhedia
77 vjeçe. Jeton në Zogaj të Tropojës, ndërsa nipi e thërret xhaxheshë. Jeton me nipin, djalin e vëllait. Më parë punonte në minierën e kromit,
ndërsa në kohën e lirë ruante dhitë e familjes. Është bërë burrneshë për të shmangur një martesë të padëshiruar.
Bariu i shtyn dhitë në vathë. Duket një plak i vrazhdë nga lodhja, ndërsa pirja e duhanit i ka formuar në fytyrë rrudha të thella e të dhimbshme njëlloj si vetmia e tij. “Kam pasur një jetë të egër e të vështirë. Nëse nuk do të kishte qenë i fortë, nuk do ta kishte bërë kurrë këtë punë. Të rrish me kopenë natë e ditë në majat e maleve, të flesh, të hash dhe flasësh me to. Në fund bëhesh luftëtar, sepse për të mos u dorëzuar duhet të luftosh”. Por plaku dikur ka bërë edhe një tjetër punë: “Vitet më të këqija kanë qenë ato të minierës. Më parë nuk bëja asgjë, por pastaj u gjenda në fund të tokës. Ai është një zanat i tmerrshëm, nuk është as për burrat dhe jo të mendosh se diçka të tillë ta bënte një grua!” Po, pikërisht një grua. Sepse, në pasaportën e këtij bariu-minator është shkruar vetëm një emër: Fatime Xhedia, datëlindja 1930. Nuk bëhet fjalë për një tjetër rast të seksit të tretë. Kjo “zonjë”, me pantallona ngjyrë gri të fortë, këmishën bojëqielli dhe flokët e shkurtër ngjyrë gri, nuk është transeksual. Është një virgjëreshë e betuar, një grua që ka premtuar se do të qëndrojë përherë e pastër, për të pasur nderin e të qenit burrë. Të vishet, të mbajë armë, të luftojë, por edhe t‘i lejojë vetes gjëra luksi tradicionalisht për meshkuj, si duhani e alkooli, të ndaluara për gratë e shoqërisë shqiptare. Historia e burrneshave (nga fjala shqiptare burrë) është një traditë e vjetër e maleve shqiptare dhe kosovare, që ka lindur rreth 300 qind vjet më parë, ndërsa për to flitet shumë edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit, kodi më i ashpër kombëtar i krijuar deri më sot. Shndërrimi bëhet kur vajza, akoma e vogël, betohet për virgjërinë e saj para 12 burrave më të rëndësishëm të fshatit. “Dridhesha. Mes krenarisë për t‘u bërë burrë, por edhe frikës për të hequr dorë nga nostalgjia dhe ëndrrat fëmijërore”, tregon Leila, një 56-vjeçare nga Tropoja, ku punon si zdrukthëtare. “Atëherë plaku më i vjetër i fshatit më dha xhaketën e tij, ndërsa më i riu pushkën. Pastaj plaku më preu një për një kaçurrelat e mia të zeza, që u “rrokullisën” përtokë njëlloj si feminiliteti tim. Isha bërë një burrë i vërtetë”. Virgjëresha të betuara dikur kishte edhe në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa sot janë shumë të rralla dhe pak të tilla, disa dhjetëra, fshihen në malet ku Shqipëria kufizohet me Kosovën. Arsyet dhe misteret që i kanë çuar gratë kosovare dhe shqiptare të bëhen virgjëresha të betuara duhen kërkuar te zakonet dhe zemrën e kësaj toke luftëtarësh. “Nuk bëhesh virgjëreshë për arsye fetare, burrneshat mund të jenë si myslimane ashtu edhe kristiane. Por shpesh vajzës i duhet ta paguajë me pastërti, pasi ka refuzuar premtimin e një martese”. Kështu ka shkruar antropologia Antonia Young, në librin e saj “Women who become men” të shkruar mbi jetët dhe zakonet e virgjëreshave të betuara. “Shndërrimi bëhet sidomos kur meshkujt mungojnë në familje. Një vajzë mund të bëhet burrë për të trashëguar pasuritë familjare, që ndryshe nuk do të mund t‘i kishte. Por “shkëmbimi” ndodh edhe për kujtim të babait apo vëllait të vdekur para kohe”.
Njëlloj si Diana Rakipi, 54 vjeçe, e shtata nga nëntë fëmijët e familjes së saj: “Vëllai im vdiq nga mallkimi i syrit të keq. Kështu, për ta kujtuar, vendosa të bëhesha një mashkull i bukur, ashtu siç ishte ai”, tregon Diana, që thith cigaret njëra pas tjetrës plot qejf, me bindjen se po të ishte femër nuk do të mund ta bënte dot. Diana vesh uniformën e rojës në Portin e Durrësit ku edhe punon. Kapelja ushtarake nuk e fsheh feminilitetin e vjetër që i shfaqet në lëkurë dhe buzëqeshje. Dëshira për të qenë femër duket se i tradhtohet edhe nga unaza prej floriri dhe sytë e kaltër. “Të gratë pëlqej ndjeshmërinë, ndërsa te meshkujt vlerësoj kurajën dhe sinqeritetin”. Me virgjëreshat e betuara u dashurua edhe shkrimtarja shqiptare, Elvira Dones, kur në një foto të vjetër të familjes kosovare pa fytyrën e një burri shumë femëror. Elvira nisi të hetojë, duke shkuar nëpër vende dhe fshatra të maleve shqiptare e duke zbuluar histori dhe jetë, që sipas fjalëve të saj, “i pikturuan shpirtin”, aq sa shkroi romanin “Hana”, një roman ku një vajzë bëhet burrneshë me dëshirë të familjes, e ikën në Amerikë për të gjetur feminilitetin e humbur. Por që nuk ia arriti dot. Ajo që i shqetëson antropologët, shkrimtarët dhe këdo është ndjenja e sakrificës që qëndron brenda zgjedhjes së gruas-burrë shqiptare. Një vajzë e bukur, e ndoshta ëndërrimtare për familje dhe fëmijë, që ia dhuron jetën e saj nderit të nënës dhe babait. Jetë të shenjtëruara, sepse në ato toka të humbura, një vajzë
luftëtare e pastër, i jep familjes së saj lavdinë e fitores epike. Diçka që të kujton mitin kombëtar të ideologjisë së kaluar komuniste: atë të malësorit, domethënë të luftëtarit guximtar, simbol i pavarësisë shekullore nga otomanët. Duke lënë mënjanë ritet dhe mitet, tradita e virgjëreshave ka një shpjegim shumë më modern. Në një Shqipëri rurale, ku për një grua duhani, puna, seksi e çdo ndjenjë lirie quhet turp, burrneshat e vënë këtë maskë thjesht për të jetuar. E ndoshta edhe për të fshehur homoseksualitetin e tyre, një sakrilegj që në këtë vend as nuk është imagjinuar. Nuk është rasti i Qamile Stemës, 87 vjeçe, me jelek të zi dhe orë me lavjerrës. “Isha një vajzë normale, por u bëra burrë vetëm për të bërë të lumtur tim atë”, tregon duke fërkuar duart e saj të rrudhosura. “Ai priste një djalë, por unë linda e nënta vajzë. Nuk kisha zgjidhje”. Për të mbërritur në fshatin e saj në Krujë ecet me mushkë deri në majë të malit. Peizazhe përrallore e të vështira, që Qamilja i ngjit me hapa të vegjël e të shpejtë. Sapo mbërrin në shtëpi, pasi gëlltit rakinë, një lloj pije alkoolike e ndaluar për femrat, Qamilja ulet për të ngrënë drekë vetëm me nipin, ndërsa gratë e tjera të shtëpisë i shërbejnë. “Nuk është asgjë e çuditshme, kjo e jona është një tokë shndërrimesh magjike. Në disa fshatra, pas lindjes së një fëmijë, burri hiqet si ‘nëna‘ e tij i shtrirë në shtrat dhe i veshur si grua”, tregon antropologu shqiptar Moikom Zeqo.
Cudirashqiptare.com
Osman(e) Shahini, burrnesha lë vendlindjen pas 82 vitesh

Ka punuar për 15 vjet në minierë, nëntokë, si burrat. U betua se nuk do të martohej kurrë, që në rini, që t’u shërbente prindërve e sot, në moshën 82-vjeçare, dikush duhet të kujdeset për të. Shtëpia i është rrënuar dhe ajo do lërë vendlindjen për të ardhur në Tiranë, për të ngrysur ditët në një azil të moshuarish.
Në minierë e kanë thirrur Osman, ndërsa në fshat Osmane. Deri tani banon në fshatin Bejnë të bashkisë Klos, ndërsa ka përgatitur dokumentet për t’u “dorëzuar” në një azil të Tiranës. 15 vjet ka punuar nëntokë, bashkë me minatorët e Batrrës. Ndërkohë pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në fshat, si çobaneshë. Nuk është martuar kurrë. Vishet e sillet si burrë. Megjithëse ka jetuar më shumë se tetë dekada, është e ndrojtur. Mosha ka bërë të sajën. Nuk dëgjon mirë. Nuk di as shkrim e as këndim. Thotë se deri në moshë madhore iu përkushtua prindërve të saj. Jeton në një banesë të vjetër, gati të rrënuar. Nuk e ndihmon askush. Dy vëllezërit janë larguar prej kësaj shtëpie, ndërkohë fqinjët as që e shohin Osmanen. Prej disa ditësh troket në zyrën e nënkryetarit të Bashkisë Burrel, Mexhit Sina. Ka përgatitur me ndihmën e tij të gjitha dokumentet ligjorë për t’u strehuar në azilin e të moshuarve në Tiranë. “Nuk mund të rri vetëm. Askush nuk më vjen në ndihmë. Nuk më vjen hiç keq që po largohem prej këtu. Shtëpia po shembet”, shprehet e moshuara e vetmuar.
Është burrë apo grua 82-vjeçarja? Minatorët e Krastës dhe kuadrot e minierës “11 heronjtë e Batrrës” e kanë thirrur Osman. Ndërkohë të afërmit dhe banorët e fshatit përherë e kanë thirrur Osmane. Teksa “guxojmë” ta pyesim: Nëse do të martohej, do të merrje burrë apo grua? Ajo përgjigjet me zë të mekur: Burrë! Pra Osmania lindi femër, jetoi, u rrit dhe u plak si burrë. “Kurrë nuk kam menduar të martohem. U jam përkushtuar prindërve të mi. Nuk ka guxuar njeri të më thotë fjalë që i thuhen një femre”, shprehet Osmane Shahini.
Udhëtojmë bashkë me të nga qyteti i Klosit deri në Bejnë. Djemtë e atij fshati na transportojnë me mjetin e tyre. Pasi ecim 4 kilometra, mbërrijmë një kodër të fshatit. Aty janë disa ndërtesa, njëra pranë tjetrës. Shtëpia më e dëmtuar është ajo e Osmanes. Ngjisim disa shkallë të drunjta, të ndërtuara shumë dekada më parë. Ajo hap derën (derë i thënçin) dhe hyjmë në bujtinën e saj. Gjithçka është grumbulluar në një dhomë 3 x 3 m. Mbi krevatin e drunjtë Osmania ka vënë të paktën 10 qese të mëdha plastike, të mbushura me rrobat e saj. “I kam bërë gati se do t’i marr me vete në azil. Plaçkat e tjera i kam shitur në fshat”, thotë ajo dhe tregon disa sende që nuk vlejnë për asgjë. Muaj më parë i kanë vjedhur të holla dhe kjo është një tjetër shtysë që burrnesha ikën nga fshati i lindjes, ndoshta për të mos u kthyer kurrë.
Kur keni lindur, sa vëllezër e motra keni dhe ku keni punuar gjatë jetës suaj?

Datën e lindjes nuk e mbaj mend, por sipas prindërve kam lindur në vitin 1930. Kam një motër të martuar dhe dy vëllezër. Njëri banon në Tiranë dhe tjetri në një lagje tjetër të fshatit Bejnë. Deri në vitin 1970, pra në moshën 40-vjeçare kam punuar pranë familjes sime, kryesisht me blegtori dhe në ish-kooperativën bujqësore. Isha e gjallë dhe bëja çdo punë. Në ato vite prindërit u ndanë nga djemtë dhe unë vendosa t’u përkushtohem vetëm atyre. Vendosa të mos martohem kurrë. Pas një viti kërkova leje në ish-Komitetin Ekzekutiv të Rrethit për të punuar në minierën e kromit Batërr. Fatmirësisht leja m’u dha pa shumë pengesa. Fillimisht drejtuesit e minierës më caktuan në punë të lehta, më pastaj për shumë vite kam punuar në front, në nxjerrjen e kromit. Punoja me lopatë po aq sa burrat dhe mbushja vagonët. Nuk e kisha problem fare. Punoja sa burrat. Ndërkohë isha e respektuar nga drejtoria e ndërmarrjes, specialistët dhe minatorët. Punova në minierë deri në vitin 1986, deri atëherë kur dola në pension.
Ku flije dhe si e kaloje kohën në qytetin e minatorëve?
Në dhomë flija me tetë burra minatorë, madje më patën caktuar si përgjegjëse të dhomës. Të gjithë më thërrisnin Osman. Respekti ishte i plotë dhe i ndërsjellë. Për 15 vjet nuk pati minator të më thotë gjysmë fjale të keqe apo që lidhej me marrëdhëniet mes meshkujve e femrave. Hanin, pinim, bisedonim si të barabartë. Flija kur të doja dhe zgjohesha herët për në punë, që në orën pesë. Në vitet e para kam punuar vetëm turni i parë, më vonë edhe i dytë dhe tretë. Vetë e kisha zgjedhur këtë punë dhe nuk bëja zë.
Çfarë është kjo që mbani mbi jelek?
Ne minatorët e Batrrës, afro 30 veta, punuam në vitet 1972-1974 në elektrifikimin e zonës së Martaneshit. Transportonim shtylla, tel, hapnim gropa dhe ndihmonin specialistët elektricistë. Atëherë, kur Martaneshi u elektrifikua, u dha një dekoratë. Ajo m’u dha vetëm mua. Siç e shihni, ajo shkruan “30-vjetori i çlirimit”. Jam shumë krenare që kam punuar edhe për elektrifikimin e krahinës së Martaneshit, përkrah burrave e grave të mira të kësaj zone.
Sa pension merrni dhe si jetoni aktualisht?
Unë marr 13 mijë lekë pension miniere. Për veten time ai më mjafton. Por, tani nuk mund të jetoj aty ku më lindi koka. Shtëpia është e vjetër dhe po shembet. Gjatë dimrit gjithë shiu bie brenda. Një dhomë që pata ma ngushtuan njerëzit e mi. Po ashtu fqinjët nuk më duan. Jam e thyer në moshë dhe duhet që vitet e mbetura t’i kaloj diku tjetër, në azil.
Kush ju ka ndihmuar të shkoni atje?
Deputeti Qemal Minxhozi dhe nënkryetari i Bashkisë Klos, Mexhit Sina, më kanë ndihmuar të përgatis dokumentet dhe ndoshta brenda këtyre ditëve do ta lë fshatin dhe do të strehohem në azil. Më vjen keq ndonjëherë që do ta lë vendin e lindjes, por në këto kushte nuk mund të jetoj.
Kohët e fundit banesa juaj është grabitur.
Po. “Dikush” ka hyrë në shtëpi dhe më ka vjedhur të gjitha të hollat që kisha. Jam e moshuar dhe nuk i njoh lekët, pra nuk di sa para kam pasur në dy zarfe të fshehura në rrobat e shtëpisë. U ankova në polici, por autori nuk u gjet. Tani kam vendosur që paratë e pensionit t’i dorëzoj në azil dhe të jetoj vitet e mbetura atje.
Pse nuk vajte te njerëzit e tu të afërm?
E pleqërova edhe këtë që thoni ju. Pasi u mendova mirë, vendosa të mos shqetësoj askënd. Ata kanë familjet e tyre dhe pse t’i fus në sherr me gratë apo fëmijët. Secili kërkon ta ndërtojë jetën siç dëshiron.
A nuk ju vjen keq që nuk u martuat dhe të kishit edhe ju fëmijët tuaj, të cilët do t’ju vinin në ndihmë në këtë moshë të thyer?
Kështu vendosa që në rini dhe nuk jam bërë pishman aspak. Duke parë si ka ardhur koha, nuk më vjen keq pse nuk kam fëmijë. Shoh bashkëfshatarët apo miqtë që kanë plot fëmijë, por jetojnë si unë, të vetëm. Disa kanë emigruar jashtë vendit dhe nuk i shohin fëmijët as një herë në 10 vjet, të tjerë janë braktisur nga ata. Shumë i kanë fëmijët vetëm në letra, ndërsa realisht jetojnë vetëm, madje si puna ime.
HASAN PASHA
Panorama
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply