Kur njeriu e kupton se beteja me kohën nuk fitohet duke u përpjekur ta ndalojë atë, por duke e mbushur çdo grimë të saj me kuptim, atëherë ditët nuk numërohen më; ato përjetohen. Pikërisht në ato çaste, koha, edhe pse vazhdon udhën e saj të pandalshme, duket sikur e ngadalëson hapin, si për t’i bërë vend kujtesës, dashurisë dhe asaj pjese të qenies sonë që nuk pranon të largohet: vështrimit që mbetet shpirtërisht shprehës, momentit që rreket të ruajë caqet ku kujtesa kornizon të shkuarën, për ta shndërruar atë në një të tashme të përjetshme.
Nga të gjitha mënyrat që njeriu ka shpikur për t’i bërë ballë harresës dhe për të sfiduar ikjen e kohës, fotografia mbetet më domethënësja, më e sinqerta, më e thjeshta dhe, ndoshta, më e vërteta.
Ajo i kundërvihet kohës pa zhurmë, pa nevojën e rebelimit, vetëm me qetësinë e saj dhe me ngulmimin për ta parë gjithçka të pasqyruar në dritë. E ndal një çast, atë të mbrujtur me mirësi dhe ëmbëlsi, dhe nuk e lejon të shkojë as përpara, as të kthehet pas. E mban pezull, si një frymëmarrje që nuk pranon të shuhet, si një diell që mbetet ndezur në qiej, duke flakëruar me ngjyrat e pafundme të jetës.
Megjithatë, koha shpesh është e padrejtë në ritmin e saj, nëse nuk dimë ta masim:
me frymëmarrjet që të lënë pa frymë;
me përjetimet që të veshin me aureolën e mrekullimit;
me ngulmimin për ta pranuar vetveten të reflektuar në dritë;
me shpirtëroren që mëkon çastet dhe i shndërron në përjetësi;
me thjeshtësinë që lartëson çdo falje e çdo përulje;
me njerëzoren që ndan me të tjerët në shërbesën e mirësisë.
Koha…
Koha është e pamëshirshme për ata që presin. Ajo zvarritet si një dimër pa fund për ata që arratisen nga shpresa dhe druhen t’i hapen së bukurës, t’i japin zë zjarrit të zemrës. Për ata që hezitojnë, ajo rend me vrullin e një lumi të tërbuar. Për të pikëlluarit dhe ankimtarët bëhet një natë e gjatë, ndërsa për të lumturit, për ata që mbushen nga magjia e jetës, ajo është veç një rrahje qepallash.
E megjithatë, për ata që dinë të duan pastërtisht e thellësisht, për ata që i shërbejnë dashurisë dhe sakrifikojnë me devocionin e një besimtari, për ata që ecin pas rrahjeve të zemrës, që përkunden në mall dhe flenë në krahët e ëndrrave, koha humbet pushtetin e saj. Ajo i nënshtrohet këtij vullneti sovran dhe kthehet në përjetësi.
Duaj me gjithë praninë tënde, nëse dëshiron që koha të ndalojë; nëse dëshiron që gjithësia të derdhë mbi ty gjithë yjet e pafundësisë së përjetimeve.
Sepse dashuria e vërtetë nuk njeh kalendarë dhe as matje të kohës. Ajo kapërcen moshën, mbijeton trupin, nuk e tremb largësia dhe nuk e mposht as vdekja. Sa zemra kanë pushuar së rrahuri, ndërsa dashuria e tyre vazhdon të jetojë në kujtime, në fëmijë, në vepra dhe në shpirtin e atyre që i deshën.
Edhe lumturia është një mënyrë për ta mashtruar kohën. Është mënyra për ta zgjeruar hapësirën ku ajo merr frymë dhe për ta thelluar përmasën e jetës. Ajo na e rrëmben jetën në mënyrën më të ëmbël. Çastet më të bukura ikin pa trokitur, si drita e mbrëmjes që tretet në horizont përpara se ta kuptosh se ishte perëndim.
Prandaj mos e prit jetën me ankth. Prite me besim.
Mbushi sytë me vështrime të qiellta. Bëji të tuat aktet magjike të shkujdesjes dhe pranisë së ëmbël të ndijimeve. Kridhu dehshëm në vështrime, humbu në prekje, digju etjes së diejve të shpirtit në puthje. Jetoje hyjshëm bekimin e frutit të pasionit, pa frikën se gjithçka një ditë mund të humbasë.
Sepse gjithçka që kërkon është tashmë brenda teje, duke i dhënë formë qenies, duke kthjelluar qiejt e shpirtit, duke ngjyruar pamjen e botës dhe duke endur me fijet e bardha të dritës çdo ëndërr e çdo përjetim.
Mos u tremb nga ajo që ende nuk ka ardhur; bano plotësisht në këtë çast. Mos u lidh pas dhimbjes, sepse edhe nata, sado e gjatë të jetë, ia lë vendin agimit.
Mos e shty lumturinë për nesër.
Jetoje sot.
Dashuroje sot.
Sepse koha nuk matet me akrepat e orës.
Ajo matet me rrahjet e zemrës.
Dhe ndoshta, në fund, nuk është jeta ajo që zgjat pak apo shumë, por dashuria që i jep asaj përmasën e përjetësisë.
Nëse kam mundur t’i bëj një dhuratë kohës, nuk ka qenë duke e ndalur atë, por duke e bërë të heshtë për një çast, të ngadalësojë hapin aq sa një fotografi të bëhet kujtim dhe një kujtim të shndërrohet në jetësimin e dritshëm të së përditshmes.
Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply