Në një nga periudhat më të errëta të historisë, kur nazistët hynë në Vlorë dhe hebrenjtë detyroheshin të fshiheshin për të shpëtuar, shqiptari Nuro Hoxha hapi dyert e shtëpisë së tij.
Ai strehoi katër familje hebreje, miq të tij, dhe u dha një premtim që djali i tij Sazan do ta kujtonte gjithë jetën:
“Tani jemi një familje. Nuk do t’ju ndodhë asgjë. Unë dhe djemtë e mi do t’ju mbrojmë edhe me çmimin e jetës.”
Familjet u fshehën në bunkerë nëntokësorë të lidhur me shtëpinë, me disa rrugëdalje në rast rreziku. Sazani, atëherë vetëm 10 vjeç, u çonte ushqim dhe siguronte gjërat që u nevojiteshin.
Mes të strehuarve ishin tre breza të familjeve të Ilia Sollomonit dhe Mojsi Negrinit, gjithsej 12 persona, si dhe të tjerë.
Për familjen Hoxha kishte një fjalë që shpjegonte gjithçka: BESA.
Më 21 korrik 1992, Yad Vashem e njohu Nuro Hoxhën si “I Drejtë mes Kombeve”, titull që u jepet atyre që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit.
Kur të tjerët shihnin rrezikun, ai pa njerëz që kishin nevojë për mbrojtje. Kjo ishte Besa shqiptare.
Burimi/Facebook/Revista Ora


Leave a Reply