Si fillim, kjo rrugë duhet të ketë dritë, shumë dritë, që të jetë transparente. Sa herë dikush ka një mision, një vizion ose një dëshirë për të kontribuar, në politikë ajo që ka munguar gjithë këto vite është transparenca e ideve që përcaktojnë përparësitë.
Kështu e lë veten kollaj të kritikueshëm, por edhe e bën të lehtë që të të kërkohet llogari! Sa bukur, apo jo? Modernitet, civilizim, qartësi!
Kur idetë dhe përparësitë bëhen transparente, i hedh në një projekt dhe përcakton deri në detaje se si do ta zhvillosh një qytet. Si do ta rindërtosh atë qytet, pasi ata që e qeverisin e kanë zhbërë deri në atë pikë sa të administrohen pula e lopë!
Pastaj, duke ecur në këtë rrugë të ndriçuar, kalon te programi ose, ndryshe, te përgjegjësitë.
Një individ, një parti apo një grupim njerëzish që mbajnë përgjegjësi janë seriozë!
Programi duhet të bazohet te parimet. Ato janë busulla e ideve mbi të cilat do të ndërtohet programi.
Por është e kollajtë të ndërtosh një program për këdo dhe kudo! Kjo quhet sharlatanizëm në politikë ose, më butë, demagogji!
Përparësitë dalin nga idetë dhe, në këtë proces, dikush preket, ndërsa dikush tjetër përfiton. Kush janë këta “dikush”? Shtresat e ndryshme të qytetit. Përcaktimi se kujt i drejtohesh, i cili buron nga ato më sipër, i bën këta të fundit të besojnë, të kontribuojnë dhe të thonë: “Ne do ta bëjmë qytetin”, sepse, në fund të fundit, ne jemi qyteti.
Kështu që, nëse mundeni, ndizni dritat që të shikojmë. Se mbase, aty, ecim bashkë për një qytet të ri! Erdhi momenti që, në Shqipërinë e re, politika duhet të jetë korrekte!
Patjetër që, brenda një organizmi që bashkon njerëz, duhet të ketë një kontratë të hapur e transparente, ku gjithkush të mbajë përgjegjësitë e veta.
Sepse atë kontratë që ia jep në dorë qytetarit, duhet ta zbatosh me aq përgjegjësi, sa të të digjet fytyra nëse nuk e mban!
Burimi/Facebook


Leave a Reply