Atanaz Gegaj
Shenime historjake
Çë se i Madhi Fatos i kombit t’onë i mbylli ditët e mbrame të ksajë jete të dekshme në Lezhë, atdheu i ynë shkoi tue u zdeshë kadalë kadalë prej çë do elementi, qi mujte me e mkambë e me i dhânë zemër per me i pertri kohët e kalueme e me u librue prej robnije, qi dita me ditë po vite tue u bâ mâ e randë.
Princat t’onë, qi ishin kênë mburoja e atmes e krahi i djathtë i Skanderbegut, neveritë për fat të keq, qi i rá me vuejt Shqypnís, do lán vendin e vet, e tjerët, ku prej ngushtice, ku joshë e mahitë prej zyreve, filluen me i lshue armët e mos me e drashtë mâ anmikun, qi i kishte vue kambën në fyt popullit shqyptar. Si mos t’ishte mjaft kta, i u shtuen edhe luftat e padame e dasija, qi filluen me mjerue vendin t’onë e me bâ, qi të harroshin shqyptarët se ishin vllazen njani me tjetrin. Turku i Azís, qi tjetër nuk dishrote, veç me njallë dasí e mandej me u a lanë shqyptarëvet, qi t’i ndreqshin, e kështu ai të sundonte në shpinë t’yne, çë do rasë qi pat e diftoi barabarizmin e vetë tue u mundue me shue çë do çerdhe lirije, qi mujte me kênë në Shqypní. Kështu shohim se urdhnat rregulltár, si qandra kulture, kjenë qitë fare; qytetet tona historike lanë mbas dore; vendet e forta bâ rrash me dhé, aq sa mund të thohet se jetoi si shqyptar veç njaj qi ndêj me pushkë për faqe, ase në mjedis të mjerimeve, qindroi tue pasë shpresë ndokund njeti për kohën e ardhshme. Në ket mëndyrë kur Europa delte kahë Koha e Mjesme për me hi në Rilindjen e re, Shqypnija shlyhet prej listës së shteteve të lira.
Kohën e robnís turko-aziatike i vetmi komunitet të thuesh, qi nuk dijti me i u da kurr Shqipnís, kjenë Etent Françeskaj. Megjithëse gjendja ishte kaq e vshtirë, françeskanin nuk e lshoi kurr zêmra.
Këputë për shumë kohë prej çë do marrëveshtje me shtete tjera, ndezë kuvendet, ndiekë shpesh fort prej anmikut të kombit e të vendit[1], frati si kishte dijtë me jetue me Turqt e Azís në Palestinë, n’Egipt, në Bosnje, Bulgarí e Azí të Vogël, dijti me jetue edhe në Shqypni tue u mundue përherë jo veç për përparim të popullit po edhe per pavarsi kombtare[2].
Në nji artikull tjetër[3] na pat ra rasa me pa se si Etent Françeskaj në shekullin XVIII-XIX punuen per gjuhë shqype; këtu po na kande veç me çekë ndonji send sa mâ fort të dokumentuem mbi shkolla qi paten në Shqypní mbrenda shekullit XVII, sadoqi ket studim nuk po e punojm per me qitë në pah vepren e pervujtë françeskane, porse si shêj evarije per ata eten Françeskaj, qi sadoqi gjuhë e gjaku të huej gadi të gjith, punuen per vend t’onë si t’ishte kênë i veti.
Shkollë Fillore në Pdhanë.
Kahë shekulli XVII Provinca Françeskane e Shqypnís ndiete nevojen e bashkëpunimit të vllazenvet tjerë edhe ktu në Shqypní, ku shumica e popullit kishte mbetë pa klér. Për ket punë në vjetë 1638 u drejtote per kto vise me nji çetë françeskane P. Bonaventura da Palazzolo, O.F.M. nji nder bamirës mâ të mdhajt qi pat fatin me pasë vendi i jonë. Porsa mbrrijtën në Pdhanë, katund asokohe mjaft i populluem afer lumit të Matit, tue pa padijen e madhe, qi mbretnonte nder banorë, çilen nji shkollë fillore[4] neper iniciativë të P. Hiacintit a Sospitello, O.F.M. ku fmija prej 8-10 vjeç merrte mësimet e para. Me nji herë, si u hap fjala rrân edhe fmí prej viseve tjera, deri prej Zadrimet, per me ndjekë mësimin n’at vend. Si çë do vepër e ré, ashtu edhè kjo ndeshi në mnín e Turqvet, të cillt në vjetë 1648 e bân rrash per dhé. Por vepra nuk mbaroi me kaq. P. Leo a Cittadella, O.F.M. nepër ndermjetsin e kryetarit të Matit, rishtas e mkambi mbas nji vjeti, tue kenë se banorët e Pdhanës lypshin padá rindertimin e saj[5]. Ndolljet e ksajë shkollë nuk i kemi mâ të giata, veç mbas dokumentash[6] e dijm se në vjetë 1675 ishte ende në kambë. Nder ata, qi e paten mâ per zemer edhe mësuen aty moshen e ré, posë të naltpërmendunve, âsht për t’u çekë P. Filipi da Locarno O.F.M. i cilli ndahet në shenj në luftën e Castelnuovo, ku, marrë vesht me republikën e Venedikut per me mujtë me lirue Shqypnín prej zgjedhës turke, pat luftue trimnisht nder rreshta të parë[7]. Mâ tepër âsht per t’u permendë edhe P. Gjoni Shqyptar (Albanensis) P. Sebastjani a Rovetta O.F.M. e P. Bernardini prej Romet (Vrò: Mons Spila, Memorie Storiche, t. II, pg 316 e 317, n. 2)
Shkollë e mjesme në Blinisht
Si u muer vesht nder vende të tjera të çilunt e shkollës së Pdhanës, parija e Blinishtit i u suell P. Bonaventurës da Palazzolo qi të çilte nji kuvend në Blinisht edhe të merrshin ata Eten drejtimin e moshës së ré. Tue mos pasë mujtë P. Bonaventura me u a çue dishirin me nji herë në vend, rishtas banorët e Blinishtit i u suellën kuvendit të Troshanit per ket qellim. Kta nuk e shtyen punën mâ pertej, por si u këshilluen së bashku me P. Kerubinin a Vallebona, P. Evangelista Venetus e P. Karli Mirandulus, tue kenë marrë vesht mâ perpara edhe me ipeshkvin e Sapës, në vjetë 1639 çilën nji kuvend (hospic) e perbri tij edhe nji shkollë të mjesme (gymnasium)[8].
Si drejtuer kje shenjue P. Karli Mirandulus i cilli kishte prej natyre nji cilltí të posaçme per me mësue moshen e ré[9]. Tue kenë se në ket shkollë vishin fmí e të mdhaj, per me mujtë me xânë sendet mâ të parat, zhvillimi i landvet niste tue spiegue në gjuhë shqipe (lingua vernacula) sendet mâ të nevojshmet. Si u mbarote punë me këta çë në fillim, mâ se 50 studenta ndoqen mësimet tjera bâ aq në rregull, sa u bindshin deri vetë Turqt e si në çudi u thoshin Banorvet të Blinishtit: Shtasët u a patën bré germat t’ueja veç se këta fretën rishtas u a njallen[10].
Njoftime mâ të giata mbi ket shkollë të mjesme nuk më rá rasa me pasë e as nuk dijm sa vijoi. Shpresohet se vijimi i sajë do të jét kenë nemosè sá i asajë së Pdhanës, në mos mâ tepër, pse në Troshan, afer Blinishtit, fretent banuen padá.
Shkollë e mjesme në Pdhanë
Në vjetë 1638 P. Hiacinti p. Sospitello bashkë me P. Benediktin p. Soligo, si pám edhe mâ nalt, themelojn shkollën fillore në Pdhanë. Si e shetiten mbarë dioçezin e Durrcit, tue e pa padijen e madhe, qi zotnote nder të tana anët, aq sa nuk u gjête nji n’at vend qi të dijte latin[11], dán me çilë edhe nji shkollë të mjesme ase gimnaz. Kështu me mjete qi muejten me pasë per doresh, dmth me dorëshkrime, filluen me mësue. Âsht për t’u vue n’oroe se ket shkollë të mjesme e ndoqen, sidomos shumë prej moshës së ré, qi dishroshin me u bâ pjestarë të klerit[12]. Nuk kemi shka shtojm mâ tepër mbi ket shkollë, kahë mbas të tana giasvet ndjekë rrymen e fillores themelue nji kohë me tê.
Mësim privat i moshes s’ré në Shkodër
Nji shkollë tjetër, krejt private, na del në shesh në Shkodër kahë mbarimi i ktij shekulli, mbi të cillin jemi tue folë. P. Filipi da Locarno, kishte pasë marrë me vedi nji djaloç prej Shqypnije, i cilli si mbaroi këndimet, me 19 Gusht 1698 kje shugurue meshtar, e i thoshin emnit P. Filipi prej Shkodre. Aso kohe, familja e Kolë Kamsit (Cola Cambesi) tue kenë e dame në shêj per bâmirësi ndaj misionarët, xuer prej ipeshkvit të Tivarit, qi P. Filipi t’u shenjote në Shkoder. Por sa mbrrini, me nji herë P. Filipi xuni vend në shpí të familjes Kamsi, ku çili nji shkollë per me msue fmít; ashtu edhe u sherbej katolikvet[13]. Për mâ tepër, mbi ket shkollë nuk na ra me hasë në ndonji dokument tjetër qi flet mbi te e as per sa kohë mujt me vijue.
Hylli i Dritës, 1932 (VIII), Nr. 3, ff. 135-138.
(Përgatiti: Arben Ndreca)
——————————————————————————–
[1] P. Fr. Gonzaga. De Origine Seraph. Rel. Romae, 1587, p. 547.
[2] Vrò Dr. A. Hudal, Die Serbische-Orthodoxe Nationalkirche. Graz 1920.-
[3] “Hylli i Drites”. Vj. VII. Nr 4, fq. 215
[4] P. P. Marcelinus a Civetia et Domenichelli, De Missionibus Ordinis Fratrum minorum, Quaracchi MDCCCLXXXVI, tom. II, p. 442, nr. 49.
[5] Idem n. 49.
[6] Idem p. 443, n. 49
[7] Lettera di Gerolamo Cornaro, Lucio di Bello, Cancell d. S. Eccellenza, Spalatro, 21 Febraro 1689. — Mons. Spila Memorie Storiche, tom II, p. 326-327.
[8] Orbis Seraphicus, PP. Marcellinus a Civetia et Theophilus Domenichelli o.f.m., De Miss., FF. Minorum, lib.IV, p. 443, n. 50.
[9] Mons. Spila, Memorie Storiche d. Prov. r. Romana, tom. II, p. 539, ss, n. 3
[10] Orbis Seraph. P. 443, n. 50.
[11] P. Gubernatis, Orbis, Seraph, lib. IV, n. 57-58, s.p. 502 ss. Ket gja send na e verteton edhe Emzot Marin Bizzi në vjetë 1610 në pershkrimin e udhtimit të vet.
[12] ibidem, lib. IV, n. 47.
[13] Mons Spila, Memorie Storiche, tom II, p. 374, n. 22— Orbis Seraph. Lib IV


Leave a Reply