Këto ishin fjalë të zakonshme të nji djali që mendonte se kishte ende nji të nesërme.
Pëllumb Nikoll Pëllumbi ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç kur, më 14 qershor 1990, u vra në kufinin e Hotit, ndërsa përpiqej të largohej nga Shqipnia komuniste. Dy ditë ma vonë, arkivoli i tij u ngrit mbi supet e të rinjve të Shkodrës dhe funerali u shndërrue në nji protestë kundër regjimit që ende mbante vendin të mbyllun.
Por Nesër kthehem nuk asht vetëm historia e mënyrës se si Pëllumbi vdiq. Asht historia e djalit që ishte para se të bahej viktimë: e nanës së tij, Mrijës, e vorfnisë, e nji familjeje të persekutueme dhe e nji brezi të rinjsh për të cilët kufini nuk ishte thjesht nji vijë në hartë, por pengesa mes jetës që kishin dhe lirisë që kërkonin.
I mbështetun në dëshmi, kujtime dhe dokumente, ky libër përpiqet me ia kthye Pëllumbit atë që diktatura u përpoq me ia marrë bashkë me jetën: emnin, dinjitetin dhe kujtesën.
Ai doli prej shtëpisë tue thanë se do të kthehej të nesërmen.
Pëllumbi nuk u kthye. Historia e tij po.
Rreth autorit
Gjergj Lacuku, lindun në Beltojë të Shkodrës më 1971, u arratis nga Shqipnia komuniste në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, në fund të vitit 1990. Prej ma shumë se tri dekadash jeton në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. I diplomuem në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me studime në Histori dhe Shkenca Politike, ai shkruen mbi kujtesën, diktaturën, lirinë, persekutimin dhe përvojën e mërgimit. Në veprat e tij kërkon me ruejtë historitë e atyne që regjimi komunist u përpoq me i dënue edhe me harresë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply