“Nga bletët te turistët”/ Ministri Salla promovon të riun shkodran dhe sipërmarrjen e tij
Nga bletaria tradicionale te një aktivitet i ri që ndërthur natyrën, produktet e bletës dhe trajtimin alternativ! Një i ri shkodran ka zgjedhur të investojë në një model të veçantë biznesi, duke ndërthurur bletarinë me apiterapinë, një praktikë terapeutike që përdor produkte të bletës si mjalti, propolisi, poleni, dylli dhe produkte të tjera të kosheres, të cilat përdoren tradicionalisht për qëllime të mirëqenies dhe në praktika të ndryshme të kujdesit shëndetësor.
Sipërmarrja e Jozefit, e nisur këtë pranverë, është promovuar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, gjatë vizitës së tij në Shkodër.
Në këtë aktivitet, vizitorët mund të njihen nga afër me botën e bletëve dhe produktet e tyre, ndërsa apiterapia synon t’i japë bletarisë edhe një dimension terapeutik, krahas atij tradicional dhe ekonomik.
Aktiviteti ka tërhequr interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj dhe, sipas ministrit Salla, ka shfaqur ecurinë pozitive që në muajt e parë.
Ky model synon të diversifikojë aktivitetin e bletarisë, duke krijuar produkte dhe përvoja të reja, por edhe mundësi për zhvillimin e turizmit natyror dhe rural në zonën e Shkodrës.
Sipërmarrja e të riut shkodran shihet si një shembull se si një aktivitet tradicional mund të zhvillohet përmes ideve të reja, duke i shtuar vlerë prodhimit vendas dhe duke krijuar mundësi të reja ekonomike për të rinjtë.
Burimi/Istagram/portaliveriusot


Leave a Reply